Pushteti në karrige, populli nën të

Opinione

Pushteti në karrige, populli nën të

Nga: Faton Mehmeti Më: 15 nëntor 2017 Në ora: 13:05
Faton Mehmeti

Rrethanat historike, prapambetja, fati i keq historik i imponuar nga fqinjët dhe më gjerë, nuk na e mundësojnë të realizojmë demokracinë liberale si në vendet e zhvilluara, këtë shpikje kaq të mrekullueshme e cila do tu jepte të gjithëve hapësirën e nevojshme për të jetuar, kuadrin ligjor të përshtatshëm për t‘i vënë fre krimit në mënyrë që të mos e vrasim njëri-tjetrin. Në Kosovë partia është mbi të gjitha. Teksa ulen në kulltuqet e shtrenjta parazitët që vendosin për fatin e një populli të tërë. Pushteti, partia tek ne kanë sinonim karrigën. Ndonëse për njerëzit e rëndomtë karrigia ka shërbyer si ndenjëse me katër këmbë për t’u çlodhur, pra si mjet çlodhës. Në sistemet monarkiste, mbretërit dhe princërit shijonin momente relaksimi në kolltuqet elegante dhe të rehatshme, ndonjëherë kur ishin nervoz kreshpëronin grushtet mbi bërrylësat e kolltukut.

Në ato kolltuqe, vendosej fati i popujve dhe njerëzve gjatë historisë se njerëzimit. Kryesisht mbi karrige uleshin njerëz të fuqishëm, njerëz në duart e të cilëve varej fati i popujve. Karrigia ka shërbyer si analogji e ngritjes së figurës së mbretit apo udhëheqësit, derisa nën karrige klithte populli i varfër, që vdiste për një kafshatë bukë. Ndonëse keqpërdorimi me deshje i karriges nga ana e udhëheqësve, ka sjellë shumë vuajte dhe luftëra.

Karrigia në Kosovë domosdo lidhet me pushtetin i cili    ka si moto “pushteti në karrige, populli nën të”. Karriget e politikanëve tanë u ndërtuan aq të mëdha dhe të larta, sa asnjëherë nuk e panë popullin në sytë e të cilëve shpresa po venitet çdo ditë, mbase sikur të kishin karrige më të ulëta, do e shihnin popullin më afër dhe më mirë. Karrigia është ndërtuar për t’u çlodhur dhe për të punuar, në rastin konkret të qeverisjes, ajo duhet të shërben si mjet pune në shërbim të qytetarëve. Duke qenë se ka ndodhur e kundërta, mbi karrige të ministrave e kryeministrave të vendit tonë, është thelluar vuajtja dhe mjerimi i këtij populli. Katandisja ekstreme ka ardhur si rezultat se në ato karrige janë ulur njerëz servil, të papërgjegjshëm dhe shpesh edhe kriminel me kollare, të kamufluar si shpëtimtarë e komandantë të luftës së lavdishme të UÇK-së.

Antagonizmi i karriges në Prishtine dhe asaj në Bruksel, vë në pah mungesën e parimit që duhet të kenë udhëheqësit e institucioneve të Kosovës. Të njëjtit persona janë aq të zot për të kamufluar hajnit e tyre brenda zyrave në Prishtinë, po të njëjtit në bisedime me Serbinë në Bruksel, nuk janë të zot të mbrojnë interesat e vendit të tyre. Përkundrazi, janë aq të pa skrupull, ata që duken gjigant para qytetarëve, në Bruksel janë marioneta, aq sa mezi i zë syri i kamerës.

Ndonëse, në të dyja rastet ulën në karrigia, njëra pushtim e tjera nënshtrim, mbi të gjitha është populli ai që pëson. Karrigia si nocion ku u ulën burrat me të mëdhenj të kombit shqiptar si: Skënderbeu , Ismail Qemaili, Naimi, Fishta, Rugova, Kadare etj, nuk është e drejtë që as si ndërtim drunor të jetë edhe e Hashimit , Kadriut, Ramushit, Fatmirit. Populli nën karrige si maca nën sofër, e mbi atë karrige sa luksi e amoraliteti kryhet. Eh populli ende shpreson, kjo e fuqizon thënien se : shpresa vdes e fundit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat