A jemi popull fisnik dhe emocional?

Opinione

A jemi popull fisnik dhe emocional?

Nga: Milazim Maraj Më: 16 nëntor 2017 Në ora: 13:09
Milazim Maraj

Kudo në botë shkëlqejmë si individ. Humanist, shkencëtarë, luftëtarë, udhëheqës etj. E duam pavarësinë, individuale dhe kolektive. Respektojmë të tjerët shpesh herë më shumë së çka duhet. Kemi besim të zoti madje i lutemi në shumë fe. Jemi të zgjuar por zgjuarsia jonë jo gjithmonë ka koherencë. Kur falim harrojmë. Falja është virtyt i jonë kombëtarë, dhe është shumë më i mirë se hakmarrja. Por e keqja qëndron në këtë mes kur falim harrojmë. Harrojmë që falem dhe këtë harresë e justifikojmë me një fjalë të urtë, ( e mira që përmendet humbë nga vlera). Kjo  sa është e vërtetë aq është e përdorur pa vend. Falja duhet të ndodhë për shumë arsye përveç asaj humane por harresa nuk duhet të ndodhë kurrë. Ajo duhet të mbikëqyret pa ndërprerë nga kujtesa dhe përkujtimi.

Veprimet tona emocionale janë të furishme dhe historikisht zënë vendin e veprimit të kujdesshëm, si kusht i domosdoshëm për krijimin e të ardhmes së afërt dhe të largët. Nismat tona, janë të vonuara dhe presim që dikush tjetër të i zgjojë në vend të arsyes tonë. Zgjedhje emocionale, nepotiste, klientiste për interesa të ulëta, inatqore dhe ndëshkuese, nuk garantojnë interesin tonë afatgjatë. Degradimi i ekonomisë familjare dhe të vendit  në përgjithësi po degradon nivelin moral të qytetarit bashkë më pavarësinë e tij personale,familjare dhe kombëtar. Gjatë debateve për zgjedhje komunale pak patëm mundësi të shohim dhe dëgjojmë projekte të rëndësishme për zhvillimin e komunës. Debatet ishin më shumë, shprehje të inateve, demantime, injorime, përbuzje deri  thënie  të pa verifikuara dhe ofendime. Nga çka po shihet në këtë fushatë përsëri do të kemi vota për partinë dhe premtimin edhe pse ndoshta shumë herë ka dalë i rrejshëm,vota të interesave të imta pa studiuar dhe vlerësuar, rrezikun në përmasë. Edhe kësaj radhe ka rrezik që të votohet për idenë,hatrin,inatin për të ndëshkuar dikë, emrin dhe jo për interesin e përgjithshëm ku secili do të gjenë vetën dhe do të ndjehet mirë. Është bërë praktikë edhe pse e gabueshme që në zgjedhje të shkohet më ide dhe qëndrime te të tjerëve duke harruar të vetat. Adaptimi në subjekte politike është shndërruar në robërinë politike të kaluarës.  Kjo tani ka mbjellë friken e anëtarit dhe ka stimuluar tutelën e eprorit.

Ata që nuk pajtohen më vendimet e partisë pësojnë.Kanë shumë telashe, stigmatizohen dhe ndëshkohen publikisht apo në heshtje. Anëtari mundë të zgjedh në mes të “Sokratit të vuajtur dhe derrit të kënaqur”. Adhurimi i subjektit nuk mundë të lexohet dhe të vlerësohet nga mjegullnaja e ankthit dhe shpresës për te.Tani votat më të kërkuara janë votat më të lira. Votën lirë e japin ata që nuk janë në gjendje të artikulojnë mirë nevojën dhe kërkesën  e tyre. Këto vota, nuk kërkojnë përgjegjësi për premtime e dhëna para zgjedhjeve, reagojnë pa kontrollueshëm kur përfundon durimi i tyre pa e analizuar fare pjesën e tyre të fajit. Krijimi i besimit dhe humbja e tij në subjekte ende nuk bëhet mirë i studiuar sikur që edhe programin e  partisë e ka pranuar fare pa e lexuar më besim bllanko. Por ka edhe prej atyre që kanë  projektin e vet special, që synon ta realizojë në dëm të interesit të përgjithshëm. Këto pastaj jo që luftohen për të mos ndodhur por përdorën si material i rëndë në qafë, për të sulmuar subjektin tjetër. Kështu  me këtë praktikë të dëmshme krijohet një atmosferë e humbjes së besimit në lirinë e fituar më shumë vuajtje, djersë dhe gjak. Kështu përcjellim të rinjtë tonë të shëndetshëm, të bukur dhe të shtrenjtë në tregun punëtor krahu në Evropë dhe Botë. Kështu dëbojmë trurin tonë te zgjuar nëpër Universitete dhe institucione të huaja. Kështu dëmtohen karakteret  e domosdoshme që motivojnë njeriun për ta dashur atdheun dhe veten. Njerëzit që kanë ideale janë të heshtur dhe të nxjerr jashtë realitetit më kusht, a që sa më pak të hetohet ndikimi i tyre. Forca e tyre përkundër arsyes është e venitur dhe e penguar nga paragjykimi si diçka që është vjetruar dhe pa modë. Kjo na kushton të gjithëve. Konstatimi i gabimit më vonesë nuk garanton dalje të shpejt nga kriza. Kërkimi i fajtorit, gjetja dhe dënimi i tij nuk i shlyen pasojat. Vetëm veprimi i duhur, në kohë të duhur dhe hapësirë adekuate ndryshon gjendjen e keq.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat