Legjitimimi i Kishës gabim i madh historik

Opinione

Legjitimimi i Kishës gabim i madh historik

Nga: Zeqir Bekolli Më: 17 nëntor 2017 Në ora: 16:11
Kisha serbe, Prishtinë

Ditëve të fundit mediat shpërndanë një lajm jo të zakonshëm, që u prit jo vetëm me shqetësim, por edhe me  habi. Fjala është për vendimin e Gjykatës së Apelit për t’i njohur të drejtën Kishës orthodokse serbe të ndërtuar në oborrin e kampusit universitar “Hasan Prishtina” në Prishtinë e ndërtuar në periudhën e rëndë të ripushtimit të Kosovës nga regjimi i Millosheviqit. Ky objekt, që në fakt është një ngrehinë e ndërtuar në kompleksin e UP-së në një periudhë dhune dhe persekutimi, pa leje, jo që nuk shërbeu për qëllimin për të cilin u ndërtua, por ai u bë vatër e dhunës dhe e persekutimit të shqiptarëve , gjurmët e të cilave janë parë menjëherë pas luftës. Dhe në vend që ky objekt të shndërrohej në muze, Gjykata e Apelit bashkë me Rektoratin i japin drejtim tjetër, që përbën një skandal të llojit të vet.

Menjëherë pas lajmit për vendimit e gjykatës dhe “heshtjes” së Rektoratit, nisen spekulimet e llojeve të ndyshme, për interesa të ndryshme. Kjo rridhte edhe si pasojë e “arsyetimeve” të Rektoratit të UP-së për mospjesëmarrje në seancat gjyqësore për këtë kontekst, që  krijonin përshtypjen se kishte përzierje të politikës në këtë çështje. Por, diplomatja Edita Tahiri, pjesëmarrëse në bisedime dhe njohëse rrjedhave të pas luftës theksoi se Kisha ortodokse e ndërtuar në periudhën e pushtimit të Kosoves1989-1999 në kompleksin e UP-së është një kishë e karakterit politik dhe okupator.

Në dialogun e Brukselit, asnjëherë nuk është biseduar për këtë çështje, por edhe po të kishte tendenca për t’u biseduar, unë, tha ajo, nuk do ta pranoja asnjëherë një gjë të tillë sikur që nuk kam pranuar edhe tema tjera të rrezikshme, që pala serbe ka tentuar t’i imponojë. 

Po ashtu, Plani i Ahtisaarit nuk e përfshinë këtë çështje, ndonëse ky plan siç dihet ka qenë mjaft i dëmshëm për Kosovën në aspektin e zonave mbrojtjëse rreth kishave ortodokse në Kosovë. Por, nuk duhet harruar se Plani i Ahtisarit ka vlerë të madhe, sepse ka mundësuar pavarësinë e Kosovës me mbështetjen e aleatëve tanë perëndimor. Mendoj se legjitimimi i kësaj kishe është një gabim i madh historik. Unë po ashtu kam menduar dhe deklaruar publikisht se kjo kishë do të duhej të bëhej një Muze i holokaustit shqiptar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat