Edhe nga çfarë duhet të heq dorë Kosova?!

Opinione

Edhe nga çfarë duhet të heq dorë Kosova?!

Nga: Gani Qarri Më: 19 nëntor 2017 Në ora: 08:10
Gani Qarri

Është momenti vendimtar që t'i studiojmë me kohë, mirë dhe si duhet, fjalët domethënëse që së fundi, me qëllime të caktuara, promovohen nga goja e zyrtarëve më të lartë evropianë në Bruksel lidhur me të ardhmen e vendit tonë.

Vetëm dy ditë më parë, kryeministri Ramush Haradinaj ishte në një takim zyrtar me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, zonjën Federica Mogherini, në Bruksel.

Por me gjithë paralajmërimet dhe për ndryshim nga ai me palën serbe, ky takim përfundoi pa konferencë shtypi, pa shpjegime gjegjëse dhe pa asnjë koment të mëtejm publik.

Shkaku megjithëse nuk u tha hapur në selinë e BE-s, e nuk u bë i njohur as pas kthimit të delegacionit të Kosovës në Prishtinë, pa u menduar gjatë, mund të jetë i qartë dhe i gjetshëm lehtë.

Të gjithë shikuesit e vëmendshëm që mund ta kanë përcjellë konferencën për shtyp u kujtohet mirë kur zonja Mogherini, jo pa qëllim, deklaroi se sukses i dialogut donë të thotë se "të dy palët duhet të heqin dorë nga diçka"!

Në media, shprehja e zonjës Mogherini,u interpretua si; "Të gjitha palët duhet të tërhiqen nga diçka", megjithëse këto bisedime janë dypalëshe dhe zhvillohen vetëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kjo “heqje dorë-nga diçka",nuk vjen vetëm si shprehje e frikshme, por edhe si një paralajmërim i ri për Kosovën se ajo duhet ta plotësojë edhe ndonjë dëshirë të madhe të Serbisë.

Ndoshta falja e mëhershme e mbi 2-3 mijë hektarëve tokë FYROM-it, dhe mbi 8 mijë hektarëve tjerë Malit të Zi, paska qenë vetëm ngrohje fillestare para startit në këtë maratonë të pafund bisedimesh dhe parapërgatitje e "Mega-Dilit" të organizuar dhe udhëhequr nga BE, për kompromisin e radhës, më të madhin dhe më të dhembshmin që Kosova u dashka ta bëjë.

Kosova si duket po kushtëzohet për mega-faljen dhe tanimë jo vetëm në hapësira mijëra hektarëshe por të tërë Veriut të saj, me fshatra e qytete, që të “heqë dorë” nga territori i vet në tre-katër komunat bashkë me tokë e banorë, për t`ia kaluar të gjithë Veriun e vendit tonë, Serbisë.

Ndërsa kompromisi i fundit shkatërrues, me të cilin mund të ndëshkohet vendi ynë, mbetet kushti për hyrje të dhunshme në një union të detyrueshëm, me Serbinë si "dy shtete të pavarura", për asgjësimin përfundimtar të shtetit të pavarur të Kosovës, në mënyrë që të humb krejt çfarë ajo ka arritur deri më tani,dhe të fitojë rajoni siç kërkon zonja Mogherini?

Në anën tjetër, Komisioneri i BE-së për Zgjerim Johannes Hahn, në konferencën e mbajtur bashkë me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së Federica Mogherini dhe Kryeministren e Serbisë Ana Brnabic, tha se në vitin 2025, Serbia mund të anëtarësohet në Bashkimin Europian.

Ky skenar duhet ti jetë shfaqur rrufeshëm në bisedën e zhvilluar edhe kryeministrit Haradinaj, i cili me siguri nuk mund ta ketë pritur mirë e as pranuar assesi, madje edhe mund të jetë hidhëruar për padrejtësitë e pareshtura ndaj Kosovës dhe kërkuar me të drejtë nga zonja Mogherini, që të heqë dorë fare nga ndërmjetësimi i bisedimeve, që ato t'i mbikëqyr e ndërmjetësoi ndonjë ekspert i denjë amerikan dhe përfaqësues i SHBA-s, në të cilin edhe shqiptarët ndihen më të sigurt dhe kanë besim më të madh.

Ky fakt mund të ketë bërë që edhe zonja Mogherini, të jetë ndjerë e prekur, lëshuar takimin dhe të mos ketë gjete më “kohë”, as për të mbajtur konferencën dhe përgjigjur para gazetarëve.

Sido që të jetë, nuk duhet harruar se ne jemi shtet, ndaj nuk guxojmë të bijmë pre e kushtëzimeve qoftë edhe nga zonja Mogherini, tërësia territoriale e Kosovës duhet të jetë një dhe e pandashme, siç obligohemi ligjërisht që edhe kufijtë e saj të mbeten të pandryshueshëm, nëse jo në të mirë të territoreve tona, atëherë nuk guxon të ketë lëshime as në dëm të tyre.

Ajo, me qëllim shtoi se nuk beson në përfundimin zero të lojës dhe se në nivel të presidentëve qenka përshpejtuar dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Por, çdo marrëveshje e nënshkruar nga kushdo qoftë, qoftë ai edhe presidenti, pa miratimin e institucioneve shtetërore të vendit, pa vullnetin e popullit të Kosovës dhe pa ratifikim në Kuvend, duhet të hidhet poshtë si e pavlershme, të konsiderohet e paligjshme, dhe mbetet jo obligative për Kosovën.

Derisa në vende tjera, në rast nevoje, gjithmonë flijohen personalitetet më njohura për të shpëtuar vendin e vet, tek ne ndodhë e kundërta dhe këtu çdoherë tentohet të flijohet atdheu për të shpëtuar b.... e dikujt.

Kështu që përkundër nervozitetit në rritje dhe foljes përçart të një pjese jo të vogël të pushtetarëve të korruptuar vendor, kur vihet në pyetje fati i populli dhe shtetit tonë, duhet ti thuhet jo secilit vendim arbitrar, qoftë ai i nënshkruar edhe nga vet Hashim Thaçi i cili edhe Pavarësinë e Kosovës, jo fort moti, pothuajse kokë më vete, e pati hijezuar me fusnotë, për plotësimin e qejfeve të Serbisë, të cilat ende nuk po gjejnë fund!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat