Kisha Ortodokse Serbe në kompleksin e UP-së është ndërtuar për ta vulosur pushtimin e Kosovës nga Serbia

Opinione

Kisha Ortodokse Serbe në kompleksin e UP-së është ndërtuar për ta vulosur pushtimin e Kosovës nga Serbia

Nga: Sadik Elshani Më: 19 nëntor 2017 Në ora: 14:07
Sadik Elshani

Këto ditë në shtypin ditor u bë e ditur për një vendim të Gjykatës së Apelit për t’i njohur të drejtën e pronësisë Kishës Ortodokse Serbe të ndërtuar në oborrin e Universitetit të Prishtinës. Vendime të tilla janë shumë të dëmshme e të rrezikshme për Kosovën. Këso vendimesh marrin ata që janë tepër naivë, të papërgjegjshëm, të pandërgjegjshëm, ata që nuk e njohin përvojën e hidhur historike të popullit tonë.  Së pari, ky objekt në ndërim nuk është kishë dhe kurrë nuk është përdorur si kishë. Ky objekt është një ngrehinë, një grumbull tullash e betoni e ndërtuar pa leje, pa dokumentacion të nevojshëm dhe është ndërtuar në tokën e huaj pa lejen e pronarit, universitetit apo komunës së Prishtinës. Ky objekt ka filluar të ndërtohet në kohën e okupimit të përgjithshëm të Kosovës nga Serbia e udhëhequr nga një regjim kriminel dhe në prani të kriminelëve serbë, si Arkani me bandën e tij. Kisha Ortodokse Serbe kurrë nuk e ngriti zërin kundër krimeve çnjerëzore që po bënte Serbia në emër të çështjes serbe dhe projektit të Serbisë së Madhe. Përkundrazi, me bekimin e kësaj kishe u kryen krime çnjerëzore të papara në kontinentin europian që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore. Prandaj, një objekt i tillë që simbolizon pushtimin, krimin, pastrimin etnik, çrrënjosjen e një populli nga trojet e tij shekullore, gjenocidin, nuk e ka vendin në oborrin e një institucioni që është tempulli i diturisë së një vendi. Madje në asnjë vend tjetër. Ndërtuesit e kësaj kishe nuk kënaqen me kaq, ata do të kërkojnë vend për ta ndërtuar konakun. Pastaj duan tokë rreth kishës për të mbjelle grur, misër, pemë, perime, sepse sipas tyre, kisha duhet të vetëmbahet. Pra, ata mëtojnë ta zaptojnë tërë atë sipërfaqe rreth kishës, ndërsa universitetit të mos i mbetet asgjë. Pyetni deçanasit për praktikat, taktikat zaptuese të Kishes Ortodokse Serbe. Serbët kurrë nuk ngopen me toka shqiptare.

Është për t’u shqëtesuar reagimi i udhëheqësve të Kosovës lidhur me këto zhvillime të ditëve të fundit. Si zakonisht reagimet e tyre janë të pamatura, naïve dhe servile. Kështu, Kryetari Thaci më herët deklaronte me arrogancë, se: “Askush nuk guxon ta prek kishën”; “Nuk shkohet në Europë duke rrënuar kisha”, etj. Askush nuk është duke u vërsulur egërsisht me kazma e lopata për ta shkatërruar këtë kishë. Ka forma të tjera sesi mund te zgjidhet kjo çështje. Jane serbët ata që kryen gjithë ato vrasje mizore të njerëzve të pafajshëm: burrave, grave fëmijve, pleqve; dhunuan femra shqiptare; shkaterruan objekte fetare, kishave katolike, xhami, teqe; ndërtesa shkollore, biblioteka dhe mijëra objekte banimi. Ndërtesën e Lidhjes së Prizrenit nuk e shkatërruan as turqit, kundër të cilëve ishte organizuar kjo Lidhje, as regjimet e Kralit e të Rankoviqit që ishin mjaft të egra. Por,ja regjimi i Milosheviqit e rrafshoi për toke atë. Është shumë e thjeshtë: nëse diçka është bërë pa ligj, atëherë ligji duhet të respektohet dhe e padrejta duhet të korrigjohet, të vihet në vend.

Kjo kishë është ndërtuar për qëllime politike. Nuk është objekt fetar, por është objekt për të legjitimuar pushtimin e Kosovës, për të thënë se ata nuk mund ta lënë Kosovën se aty ndodhet njëra ndër kishat më të mëdha serbe në Ballkan. Ata ua ndërruan emrat rrugëve tona, duke u dhënë emra të mbretërve e princave serbë,e mbushën Kosovën me përmendoret e car Dushanit, Vuk Kraxhiqit, Dositej Obradoviqit, etj. Në të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se për fat të keq, koherat, historia ndërrojnë shpesh në Ballkan. Serbët i kanë të projektuara në perspektivë planet e tyre djallëzore, shohin shumë larg, ndërsa udhëheqësit tanë nuk shohin as para hundës së tyre. Ky objekt nuk simbolizon harmoninë, tolerancën ndërfetare e ndëretnike, por simbolizon tmerrin vuajtjet, terrorin, një kohë të egër që e ka traumatizuar një popull të tërë. Prania e këtij objkkti në këtë vend, gurthemeli i të cilit është vënë në prani të kriminelëve të egër është një provokim dhe fyerje për të gjithë shqiptarët.

Të gjitha grupet etnike që jetojnë në Kosovën e lirë dhe demokratike, duhet t’i gëzojnë të gjitha të drejtat, përfshirë edhe të drejtat për të ndërtuar objektet, tempujt e tyre fetar. Shqiptarët nuk janë kunder ndertimit të kishave dhe objekteve tjera fetare, por ato duhet të ndërtohen duke respektuar ligjin, rregullimin hapësiror e urbanistik të vendbanimeve përkatëse. Shqiptarët janë të njohur për tolerancën e tyre fetare. Janë pikërisht shqiptarët ata që i mbrojtën kishat dhe manastiret serbe në Kosovë, madje në disa raste edhe duke e flijuar jetën e tyre. Janë vetë serbët ata që egërsisht ndër shekuj dhe në konfliktin, luftërat e viteve të 90-ta të shekullit të kaluar rrafshuan me dhe me mijëra objekte fetare, kulturore ne Kosove, Bosnje e Kroaci. Prandaj këta shkatërrimtarë barbarë nuk mund të na mbajnë ligjërata e të na shesin moral për tolerancën fetare. As Europa nuk mund të na mbajë ligjërata të tilla, sepse kur Europa e “qytetëruar” po shfaroste hebrenjtë, shqiptarët e “prapambetur” i strehuan dhe i mbrojtën ata nga vdekja e sigurt. Shqiptarët ndoshta janë të varfër e sipas disave, të “prapambetur”, por shqiptarët kanë krijuar ndër shekuj një kod moral e etik të lartë, kanë shpirt njerëzor e fisnik, kanë mëshirë.

Gjendja e krijuar rreth kësaj ngrehine, kishe, është shumë e ndjeshme dhe kërkon qasje serioze, gjykim serioz e maturi dhe jo veprime me koka të nxehta. Serbët me veprimet e tyre duke u munduar ta funkcionalizojnë këtë objekt, janë duke i vënë shqiptarët në një pozitë të vështirë, para një dileme hamletiane: ta rrëzosh, apo të mos e rrëzosh: ta lejosh të funksionojë, apo të mos funksionojë. Sa të jetë ky objekt në këmbë në këtë vend, gjithmonë do të jetë burim provokimesh e trazirash. Zgjidhja e këtij problem duhet bërë nëpër rrugët institucionale e ligjore. Studentët dhe qytetarët duhet ta ngrenë zërin, por është mirë që askush të mos i merr gjërat ne duart e veta. Veprimet e pamatura mund ta dëmtojnë rëndë çështjen, imazhin e Kosoves. Për këtë janë duke punuar me përkushtim ditë e natë kisha dhe qeveria serbe dhe përkrahësit e tyre, bashkëpjesëmarrësit në krimet e tyre. Edhe në shtetet perëndimore prishen kishat që nuk kanë vlera historike dhe që ndodhen në ndonjë vend ku duhet të ndërtohet diçka tjetër në përputhje me kërkesat, nevojat e vendbanimeve të caktuara. Disa bashkësi fetare i shesin kishat dhe objektet tjera fetare, sepse nuk mund t’i mbajnë ato për shkak të numrit të vogël të besimtarëve. Në raste të tilla, blerësi e shkatërron atë objekt dhe ndërton diçka të re ose e përshtat për ndonjë përdorim tjetër: banesa, shitore, etj.

Duke patur parasysh rrethanat dhe qëllimin e ndërtimit të kësaj kishe në pronë të huaj, pa lejen e pronarit, pa lejen e organeve përkatëse komunale, pa dokumentacionin e duhur, atëherë kjo kishë nuk mund të qendrojë në vendin e tanishëm. Atyre që e kanë nisur këtë objekt duhet thënë që ta çvendosin në një vend tjetër, sipas ligjit dhe rregullimit hapësiror. Siç i kanë vënë tullat një nga një, mund edhe t’i heqin ato, një nga një. Për këtë duhet dhënë një afat i caktuar dhe pas këtij afati duhet bërë e ditur se objekti do të shkatërrohet. Nëse ky objekt mund të përdoret për diçka tjetër, atëherë, si shenjë e vullnetit të mirë, ndoshta duhet ofruar një kompensim material dhe ndërtuesit të heqin dorë nga pronësia e këtij objekti një herë e pergjithmonë. Sepse siç u cek më lart ky objekt është në ndërtim dhe kurrë nuk ka qenë kishë dhe nuk ka kurrëfarë vlera historike që të qendrojë aty ku është sot. Mund të ketë edhe zgjidhje të tjera, por gjithmonë duke patur parasysh se duhet vepruar me maturi, gjakftohësi dhe për interesat më të mira të Kosovës. Në këtë debat është mirë të angazhohen edhe intelektualët, historianët, politikologët, sociologët, institucionet shkencore, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të gjitha palët. Edhe pse serbët kanë dëshmuar se nuk janë të prirur për të lëshuar pe.

Për këtë çështje dhe disa çështje tjera të rëndësishme, udhëheqësit e Kosovës kanë një trysni nga bashkësia ndërkombëtare. Ne u jemi mirënjohës përjetë të gjithë miqve tanë që na përkrahën në ditët më të vështira, por sot disa nga ata nuk janë duke u sjellur si miq të vërtetë. Miku i mirë, miku i vërtetë nuk të vë në pozitë të vështirë.

Udhëheqësit tanë nuk i rrezatojnë, nuk i paraqesin vlerat tona kombëtare e njerëzore te popullit tonë, prandaj sillen me përulje, me servilizëm. Ata nuk janë duke i mbrojtur ineresat e Kosovës, por ineresat e tyre dhe klaneve të tyre. Udhëheqësit e Kosovës nuk duhet ta harrojnë historinë, përvojën e popullit tonë. Zgjidhja e problemeve në mënyrë sipërfaqësore, nuk është zgjidhje me vend, ato gjithmonë fshehin diçka prapa. “Dardha e ka bishtin prapa”, thotë një fjalë e jona e urtë. Dhe këtë udhëheqësit e Kosovës nuk duhet ta harrojnë kurrë, sepse problemet që nuk zgjidhen një herë e për gjithmonë do të kenë rrjedhojat katastrofike. Per derisa ky objekt do të qëndrojë i ngritur në vendin ku ndodhet sot, gjithmonë do të jetë një mollë sherri, Të tilla janë djallëzitë serbe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat