Zgjedhjet lokale dhe balotazhi

Opinione

Zgjedhjet lokale dhe balotazhi

Nga: Përparim Sadiku Më: 20 nëntor 2017 Në ora: 14:51
Përparim Sadiku

Zgjedhjet lokale po bëhen më interesante se ato qendrore, më dinamike, më luftarake në kuptimin e marrjes se besimit qytetar. Me program e pa program s’ka rëndësi; personaliteti, mosha dhe besueshmëria në ndryshim janë faktorët matës të fituesve të garës. Kjo tregon se programi politik mbetet pak e hiq ai i cili duhej të ishte mesazhi kryesor i besueshmërisë së votës nga ana e votuesve. Edhe ashtu pak ka garues që kanë shtrirë program real, pra program të shndërruar në numra realizues. Kjo tregon në realitet, se skena politike po  “mashtron” votuesit duke ju servuar më shumë emocionalitet deklarativ sesa program realizues. Megjithatë populli dha verdiktin e tij.

Kush doli humbës e kush fitues?!

Në realitet në çdo fundgarë mbesin të zhgënjyerit dhe të gëzuarit, por përkthyer në numër të votuesve, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është fituese e garës, ndërsa përkthyer në komuna të fituara del Lista Serbe e Serbisë në Kosovë.

LDK po tregohet se edhe pas kaq viteve karrierë politike,  me rënie e ngritje, po e ruan elektoratin e saj tradicional dhe po tregon synimin që të rikthehet partia e parë në nivel vendit, duke menduar këtu zgjedhjet e përgjithshme. Kjo edhe nuk do të ishte e pamundur sikur LDK të i kthehej vetes seriozisht në riformatim struktural, nga baza e deri te kreu i saj, sidomos te kreu i saj udhëheqës, ku në udhëheqjen e saj duhet të vijë një përfaqësim elektoral si në moshë ashtu edhe në besim e karizëm politik.

E fuqishme në garë mbetet edhe Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Vetëvendosje edhe pse nuk ka marr shumë komuna, megjithatë nëse deri në çertifikim të rezultateve mbetet fituese në Prishtinë e Prizren, kjo fitore i jep shpresë VV-së për të mbajtur optimizmin e fuqisë politike në nivel vendi, kurse AAK duke pas kryeministrin e shtetit po tregon muskujt e vet të ndikimit tek votuesit.

Skenës politike memxi po i qëndron Aleanca Kosova e Re (AKR) e NISMA, megjithatë këto dy subjekte mbeten me pushtet edhe në nivel lokal e në atë qendror. Ndërsa humbëse e garës nga këto zgjedhje doli Partia Demokratike e Kosovës (PDK) (e ashtuquajtur parti e krahut të luftës). PDK-ja jo që nuk ka pushtet si në komuna ashtu edhe në qeveri, mirëpo duke qenë parti e fuqishme në nivel vendi, me përfaqësim politik e institucional, ku në pushtet ka kryetarin e Shtetit (ish kryetar i PDK-së) dhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës (kryetar i tanishëm i PDK-së) erdhi në momentin kur e humbi edhe komunën e dytë më të fuqishme në nivel vendi pas Prishtinës, humbi siç e quanin ata Jerusalemin e Kosovës, pra Prizrenin. Me këtë rënie të njëpasnjëshme, PDK-së i duhet ristrukturim i përgjithshëm, ndoshta edhe ndërrim i kreut të saj udhëheqës. Me një rikthim të ish kreut të saj udhëheqës Hashim Thaçit në krye të partisë, kjo parti ndoshta mund të mbiqëndrojë se qenuri parti parlamentare, në të kundërtën kjo parti do të numëroj vetëm rënie.

Balotazhi i pazareve politike!

Zgjedhjet Lokale në realitet po i kanë dy palë zgjedhje, zgjedhjet e rundit të parë dhe balotazhit. Balotazhi po krijon lojë të dyfishtë politike, ngase ata kandidat që s’kanë fituar në rundin e parë po mbeten faktori kryesor i fituesit të garës, duke bërë lloj lloj koalicionesh e bashkëpunimesh për të fituar pushtet, madje edhe duke përmbysur rezultatet e rundit të parë. Kjo fitore si e tillë është e pandershme në koncept, ngase subjektetet po përkrahin një kandidat të balotazhit që në rundin e parë të zgjedhjeve lokale e kanë akuzu me lloj lloj etiketimesh. Gjithashtu balotazhi maltreton votuesit duke i qitur në vendvotime dy herë brenda një muaji, është humbje kohe, harxhim buxhetor dhe dëmton qeverisjen e komunave, ngase pushteti ndahet me të tjerët, madje edhe me ata pa përfaqësim politik në kuvende komunale. Realisht s’di sa mund të quhet një kryetar më me legjitim elektoral nëse fiton për dhjetë (10) vota nga kundërgaruesi i tij. Pra, si i tillë ballutazhi është i dëmshëm dhe pa kuptim, prandaj ose duhet të hiqet krejt ose duhet të riformatizohet si opsion zgjedhjeje. Ky është ballotazh i pazareve politike!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat