Mbrojtja, buxhet për tulla asnjë armë

Opinione

Mbrojtja, buxhet për tulla asnjë armë

Nga: Azem Parllaku Më: 23 nëntor 2017 Në ora: 11:55
Azem Parllaku

Euforia e të qenit në NATO, i ka mahnitur dhe joshur politikanët dhe grupin e ushtarakëve vendimarrës, që t'a ngatërrojnë strategjinë, duke i bërë ata më pak të ndjeshëm ndaj transformimeve e zhvillimeve reale. Në raportin e fundit të Instituti Bruegel, i cili ka si mision përmirësimin e cilësisë së politikave ekonomike, me hulumtime, analiza dhe fakte të bazuara në debat, Shqipëria renditet si e fundit anëtare e NATO-s, që ka ulur GDP-në e shpenzimeve të saj ushtarake. Në vitin 2017, thuhet në raport shpenzimet për mbrojtjen në Shqipëri janë 0,75 e GDP-së, përkundrejt 1,5% të GDP-së në vitin 2009.

Buxheti i Mbrojtjes për vitin 2018 është afërsisht 2.8 herë më i ulët se niveli 2% GDP-së, një synim kombëtar i konfirmuar në NATO dhe angazhim i nënshkruar nga 28 Kryetarët e Shteteve të NATO-s në Samitin e Uellsit, në 2014, dhe të Varshavës, në Korrik 2016. Ky buxhet nuk reflekton shqetësimin e ngritur në mënyrë konstante nga aleatët strategjikë (SHBA) si dhe, nuk adreson qëndrimet e Presidentit Donald Trump, i cili parimin e "ndarjes së barrës" dhe specifikisht këtë shifër 2% i ka artikuluar si standarde detyruese për vendet anëtare të NATO-s. ZGJIDHJA, forca politike e drejtuar nga Koço Kokëdhima, e ka cilësuar projektbuxhetin e vitit 2018 si të borxheve dhe të varfërisë, ku përtej shifrave të fryra, buxheti nuk i sjell asnjë zhvillim ekonomisë shqiptare, përkundrazi, do të rrisë më tej barrën e taksave për qytetarët, që është sot është më e lartë dhe do t'i zhysë ata në borxhe të fshehura, që do t’ua lënë ta paguajnë brezat e ardhshëm.

Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2018 thuhet se do të sigurojë vazhdimësinë e zhvillimit të reformës së Mbrojtjes, në përputhje me angazhimet dhe detyrimet si vend anëtar i NATO dhe kërkesat e dokumenteve kryesorë të planifikimit dhe programimit që kanë Forcat e Armatosura. Shqipëria, ka marrë një angazhim në Samitin e Uellsit në vitin 2014, që buxheti i Mbrojtjes deri në vitin 2024 të arrijë vlerën e 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Mirëpo, në terma reale projektbuxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka aspak rritje në krahasim me vitin 2017.

Duke i'u referuar të dhënave nga Ministria e Mbrojtjes, me të drejtë ZGJIDHJA, thekson se buxheti mbushet me taksat që paguajnë qytetarët dhe bizneset dhe ata duhet ta dinë se ku, si dhe sa mirë do të shpenzohen paratë e tyre, prandaj duhet bërë rishpërndarja e drejtë e të ardhurave, në përputhje me prioritetet e zhvillimit dhe objektivat strategjike, përmes investimeve kapitale dhe shpenzimeve efiçente në funksion të rritjes ekonomike. Shqipëria, është një vend që ka nevojë për më shumë rrugë, shkolla, spitale, kopshte, e infrastrukturë. Ndaj, debati për të shtuar buxhetin e mbrojtjes, kur nuk ka një rrezik direkt të jashtëm, është i vështirë. Mospërfshirja e Forcave të Armatosura në misione të mirëfillta ushtarake, ka provokuar vetëkënaqësi me gjendjen aktuale.

Më së miri kjo reflektohet kur kemi parasysh që: Vetëm 5% e njerëzve në uniformë marrin pjesë në misione ushtarake jashtë vendit. Atëherë lind pyetja! Çfarë bëjnë 95% e njerëzve në uniformë? Në ndërkohë që, numri i personelit të Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2017 ishte parashikuar 8.860, ka pësuar një rritje me 360 vetë, teksa numri limit i personelit është atribut i Kuvendit të Shqipërisë. Në rastin konkretet, në Rishikimin Strategjik të Mbrojtjes, Strategjinë Ushtarake, dhe Planin Afatgjate të Zhvillimit të Forcave të Armatosura 2016-2025, numri limit i miratuar me ligj nga Kuvendi është përcaktuar në 8.500 brenda vitit 2015. Njëlloj si paraardhësja e saj, Ministrja Olta Xhaçka, nuk flet për trendin e "rritjes" së buxhetit, teksa mashtron kur thotë se, është dakordësuar edhe me aleatët strategjike amerikanë dhe NATO-n.

Xhaçka, e rilindjes flet për modernizimin e Forcave të Armatosura, në ndërkohë që shpresat janë varur tek 230 mjete të blinduara, të cilat do të dhurohen nga SHBA, ashtu sikurse edhe 5000 armë automatike, që do të dhurojë Ministria italiane e Mbrojtjes, dhe përfitimet nga granti i përvitshëm turk. Bashkimi strukturalisht i Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave në Ministrinë e Mbrojtjes, do të bëjë që puna në këtë ministri, kryesisht të përqëndrohet në përshtatjen e strukturave ushtarake për t'iu përgjigjur sa më shpejt të gjitha emergjencave me të cilat përballet popullata. Kjo do të çojë tek shfrytëzimi në maksimum i burimeve financiare të Mbrojtjes në dispozicion të një shërbimi relativisht të vështirë për t'u kontrolluar dhe me mundësi të pafundme abuzimi.

"Sistemi i Integruar i Vëzhgimit të hapësirës ajrore" një projekt 22 milionë dollarë, kur aktualisht vëzhgimi i hapësirës ajrore kryhet nga NATO, nuk mund të thuhet se është i motivuar, kur në anën tjetër për projektin Grup-batalioni i Këmbësorisë së Lehtë, si një pjesë tejet e rëndësishme e paketës së objektivave të kapaciteteve të NATO-s për vendin tonë, nuk thuhet se sa përfiton nga buxheti i vitit 2018. Si një Ushtri gjithnjë e me më pak misione, strukturat e Mbrojtjes pjesën e luanit i'a adresojnë shpenzimeve në fushën e infrastrukturës dhe faturave të majmura të mirëmbajtjes të teknikës dhe pajisjeve. Koço Kokëdhima, kreu i ZGJIDHJE-s, thotë se "Të gjithë ne, do të duhet të paguajmë në vitin 2018 edhe 70 milionë euro për koncesionet, që, përveçse janë klienteliste, nuk po i sjellin asnjë vlerë të shtuar ekonomisë.

Gjysma e tyre do të shkojë për koncesionet e dështuara në fushën e shëndetësisë, ndërsa shqiptarët do të vazhdojnë të vuajnë kushtet skandaloze të spitaleve shqiptare dhe pagesat nënë dorë". Qeveria po përgatit projektin "1 miliard euro", përmes partneritetit publik-privat, duke mos bërë asnjë transparencë për koston dhe eficencën e tyre. Këto projekte, do të fryhen pa fund si rrjedhojë e lidhjeve korruptive të përfituesve të tyre me qeveritarët, do të rrisin ndjeshëm borxhin publik dhe do ta shpejtojnë ditën e vështirë të shkatërrimit të balancave të buxhetit dhe kolapsit të financave të shtetit. Kështu do të ndodhë edhe tek Mbrojtja, e cila ka planifikuar të shpenzojë për tulla dhe pret t'i dhurohen armë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat