Sfidat, sukseset dhe dështimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme

Opinione

Sfidat, sukseset dhe dështimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme

Nga: Adlum Ramadani Më: 27 nëntor 2017 Në ora: 18:10
Adlum Ramadani

Fillet e diplomacisë sonë kosovare datojnë më herët se me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në Shkurt të 2008-ës, kur edhe u krijuan institucionet shtetërore, ndër to edhe Ministria e Punëve të Jashtme. Në të vërtetë filozofia e diplomacisë sonë qëndron qysh nga fillimet e viteve 90-ta, kur delegatët e Kuvendit të Kosovës shpallën Kushtetutën, të njohur si “Kushtetuta e Kaçanikut”, ndërsa Kryetar të Republikës zgjodhën Dr. Ibrahim Rugovën, i cili organizoi rezistenca paqësore kundër pushtimit serb. Ishin këto vite që tërhoqën vëmendjen e botës dhe luhatën qëndresën e popullit kosovar drejt njohjes nga bota si popull i rezistencës. Pikërisht këto vite përcollën kosovën drejt hapave të parë drejt rimëkëmbjes dhe shpalljes së pavarësisë, e cila pas thuajse 2 dekadave, do të jetësohej nga mekanizmat ndërkombëtarë. Gjatë kësaj dekade, do të organizoheshin demostrata studentore të udhëhequra nga Albin Kurti, të cilat do të ndryshonin kursin e okupatorit serb karshi kosovarëve dhe kjo dekad, do të simbolizonte njëherazi fillet e diplomacisë sonë karshi botës, e cila për qindra mijëra qytetarë kosovarë, shihej vetëm bardh e zi nga ekranet televizive jugosllave.

Ndërhyrja e aleatëve veri-atlantik në Kosovë theu akullin i cili kishte pushtuar tokën e përgjakur të Kosovës. Bombardimet i dhanë jehonë shpirtit të kosovarëve ndërsa perëndimi i dha jetë diplomacisë kosovare, duke e bërë atë të njohur para botës, para atyre qindra miliona njerëzve, të cilët me lot në sy panë egërsirën njeri teksa ndiqte, dhunonte, dëbonte e vriste popull të pafajë. Pikërisht këta aleatë, të cilët sot e asaj dite ia mbajnë themelin shtetësisë sonë, mundësuan që ne sot t’a gëzojmë e jetojmë këtë liri.

Pra, dekada e parë e diplomacisë kosovare ishte sfidë e pa imagjinuar por që doli të jetë sukses në vete, sepse mbi të gjitha, i dha popullit kosovarë shoqëri të përherë, e cila e ngriti dhe e rriti si shtet.

Me shpalljen e pavarësisë, kur edhe ngriten zyrtarisht themelet e diplomacisë kosovare, do të fillonte rrugëtimi i ndërprerë i populli kosovar, por që tash, qëllimi do kalonte dimensionet paraprake, sepse tash do duhej të vulosej e ardhmja e popullit tanë. Lobimi për njohje të reja, antarësimi në mekanizma ndërkombëtarë, partneriteti me aleatët dhe ruajta e marrëdhënieve bilaterale me fqinjësinë do të përcilleshin si disa nga temat kyçe të këtij dikasteri.

Partneriteti me Aleancën-Euroatlantike dhe Perëndimin i dha frytet e veta qysh me shpalljen e pavarësisë, kur Kosova pranoj brenda një viti hiç më pak se 53 nota verbale për pranim të njohjes së pavarësisë së shtetit më të ri në botë. Vitet në vijim, do të ishin sfidë në vete për diplomacinë kosovare, sepse ky numër më nuk do figuronte në listat e njohjeve të reja për Kosovën, pasiqë Kosova do të ballafaqohej me kriza institucionale dhe politike të cilat jo vetëm që zbehën imazhin kosovar por edhe ëndrrën e popullit kosovar për të qenë popull me të drejtë të lëvizjes së lirë, si çdo qytetarë tjetër evropian duke u kushtëzuar e malltretuar për të marrë viza para konsulatave e ambasadave që funksiononin në Kosovë.

Vitet 2012-2013 ishin vitet më të suksesshme të diplomacisë kosovare, pas atij të 2008-ës me shpalljen e pavarësisë, ku brenda dy viteve, shteti i Kosovës do krijonte marrëdhënie diplomatike me 24 shtete, kryesisht nga kontinenti Afrikan ndërsa nga krye-diplomatët, del se pas Skender Hysenit, si Ministri i Parë i MPJ-së gjatë mandatit të së cilit Kosovën e njohën 53 shtete, Enver Hoxhaj arriti t’a përcjell me sukses rrugën e tij duke i sjell Kosovës hiq më pak se 34 sosh.

Gjatë kësaj periudhe, diplomacia Kosovare jo vetëm që pati sukses në lobim për njohje të reja por arriti të pranohet e të siguroj ulëse edhe në disa institucione ndërkombëtare, të cilat luajn rol kyç në proces të shtet-ndërtimit, si rasi i pranimit në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, pasaj në Këshillin për Bashkëpunim Regjional dhe Këshillin e Bankës Evropiane për Zhvillim (CEB). Këto vite, u përcollën edhe me dhjetëra skandale të këtij dikasteri dhe zyrtarëve të saj, të cilat zbehën imazhin e Kosovës në botë, pasojat e së cilave i pam tek vitet në vijim, kur diplomacia Kosovare u përcoll me krizë të njohjeve të reja dhe mos antarësime në mekanizma ndërkombëtarë.

Viti 2015 do të ishte viti më sfidues për diplomacinë kosovare me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit sepse në vete Kosova do mbarte përgjegjësi, të cilat do ia përcaktonin të ardhmen në familjen Evropiane. Ky vit rezultoi të ishte edhe vit i dështimeve për MPJ-në pasiqë Kosovës iu refuzua kërkesa për të qenë antare e UNECSO-së dhe INTERPOL-it ndërsa për nga njohjet, gjatë këtij viti Kosova pranoi nota verbale për njohje të pavarësisë nga vetëm 3 shtete, respektivisht nga Cook Islands, Antigua & Barbuda dhe Niue.

Hiç më mirë se 2015-ta, nuk e përcolli Kosovën as viti vijues, ku mezi do të siguronte dy (2) njohje të reja, nga Republika e Surinamit dhe Republika e Singaporit. Po këtë vit, diplomacia kosovare sadopak u mundua të hap sytë në errësirë përmes antarësimit në Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit dhe në Konventën e Hagës. Për këtë, padyshim se faji do të mbetej mungesës së një krye-diplomati.

Krizat politike që përcollën vitin 2017, thelluan krizën edhe të diplomacisë kosovare, duke stagnuar çdo proces lobues të kosovës. Kjo vërehet me numrin e njohjeve të reja dhe antarësimet në organizata ndërkombëtare. Gjatë këtij viti, Kosovën e njohën vetëm 2 shtete ndërsa arriti të antarësohet në FIFA dhe Organizatën Botërore të Doganave. Ky vit, ndër të tjera u karakterizua me shumë tensione dhe sfida në rrafshin ndërkombëtarë për diplomacinë kosovare si pasojë e efektit të lobimit të Serbisë kundër Kosovës dhe antarësimit të saj në institucione ndërkombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat