Arrestojeni tash edhe Ramush Haradinajn

Opinione

Arrestojeni tash edhe Ramush Haradinajn

Elida Buçpapaj Nga Elida Buçpapaj Më 28 nëntor 2017 Në ora: 15:19
Ramush Haradinaj

Mediat e Kosovës kanë lajmëruar arrestimin e Albin Kurtit, Donika Kada-Bujupit dhe Albulena Haxhiut.

Pasi i rrethunë, i bastisën e çbastisën nëpër banesa, më në fund i ndaluan.

Një burrë dhe dy gra!

Trimëria e dreqësisë të Kosovës!

Lajmi për arrestime në Kosovë u dha njëkohshëm me verdiktin e gjykatës së Hagës që e dënoi kasapin e Ballkanit Ratko Mladiç me burgim të përjetshëm për krime kundër njerëzimit dhe genocid.

Në Kosovë arrestohen deputetët për gaz lotësjellës, ndërsa askush nuk është arrestuar për vrasjen e Astrit Deharit!

Në Kosovë të arrestojnë për gaz lotësjellës, ndërsa për vrasje politike të lenë të lirë, bile të mbështesin të ngjitësh shkallët më të larta të hierarkisë të shtetit!

Kjo asht dreqësia e Kosovës!

Bastisjet dhe pritat për t’i arrestuar u bënë dje, ndërsa familjarët e Xhemajl Mustafës kujtuan 17 vjetorin e vrasjes së të afërmit të tyre. Berane Mustafa e bija e Xhemajl Mustafës akuzoi për të satën herë e të satin vit drejtësinë e Kosovës që nuk e ka vënë ujin në zjarr për të zbardhur vrasjen.

Si rasti i këshilltarit të Ibrahim Rugovës janë edhe qindra vrasje të tjera dosjet e të cilave kanë mbetur të mbyllura. Kryeministri i Kosovës ka kërkuar që edhe vrasjet e pasluftës të kalojnë nga Gjykata Speciale sepse drejtësia e Kosovës ka dështuar!

Deri sot asnjë vrasje nuk është zbardhur. Asnjë vrasës dhe ideator i vrasjeve nuk ka paguar për krimet e kryera.

Ky është turpi i qeverive të Kosovës, të cilat janë përfaqësuar nga partitë që i janë kthyer zinxhirë rreth qafës popullit të Kosovës.

Ky është konteksti që shoqëron arrestimet në fjalë.

Drejtësia faqezezë e Kosovës, zhdrejtësia e Kosovës po arreston deputetët e parlamentit të Kosovës për veprime të kryera legjislacionin e vjetër.

Në atë legjislacion Vetëvendosja ishte në aleancë me AAK, partinë e Ramush Haradinajt, kryeministrit aktual të Kosovës, mblidheshin bashkë, protestonin bashkë, bojkotinin bashkë!

Gjithçka e bënin bashkë!

E tash kur zhdrejtësia e Kosovës ka arrestu Albinin, Donikën dhe Albulenën, që kuadri të bëhet i plotë, le ta arrestojnë edhe Ramush Haradinajn, se edhe Ramushi ishte palë me ta.

Dhe kështu i vihet kapaku!

Se zhdrejtësia kosovare, sikur ajo e shtetit amë, kështu e ka nisë e kështu ka me e grisë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat