Shteti nën armët e Sami Lushtakut

Opinione

Shteti nën armët e Sami Lushtakut

Nga: Faton Mehmeti Më: 7 dhjetor 2017 Në ora: 10:42
Faton Mehmeti

Disa njerëz nuk zbuten kurrë, mbase kafshët zbuten më shpejt se disa njerëz. Në fakt njeriu është qenie e  krijuar për t’iu ambientuar realitetit, ndërsa ata që nuk i përshtaten shpesh duken qesharak para realitetit. Njësoj si Don Kishoti në luftë me mullinjtë e erës. Nëse kërkojmë një shembull të tillë mjafton të përmendim Sami Lushtakun dhe disa shokë të tij. Ky i fundit duke e konsideruar veten hero të gjallë, me veprimet e tija mafioze shpesh herë ka arritur që të shfaqet sa qesharak, aq edhe i rrezikshëm. I rrezikshëm pasi janë të njohura kërcënimet e tij ndaj shefit të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, Blerim Dina, i cili ka deklaruar se është ndotur dhe kërcënuar në rrugë nga biznesmeni, Naim Sallahu, pronar i kompanisë “Sallahu” dhe Shaban Lushtaku, për të cilin tha se është kushëri i Sami Lushtakut. Samiu me arrogancë dhe kërcënimet e tij ndaj të tjerëve ka trimëruar edhe kushërinjtë e tij, duke përhapur kështu oreksin e mafiozitetit.

Gjithashtu janë të njohura lidhjet e Sami Lushtaku me Tunë Kqirajn, i cili është si drejtues i grupit të fajdeve në Prizren. Edhe Prokurorja Speciale Merita Bina-Rugova e përshkruan Tunë Kqirën si mbikëqyrësin që i ka drejtuar veprimet e këtij grupi kriminal. Ndër akterët kryesorë të aferës “Pronto” Sami Lushtaku arriti të dalë shpejt nga burgu (edhe pse dyshohet se nuk mbajti asnjë ditë burg), edhe pse ishte dënuar me 12 vite burgim në vitin 2015. Samiu ishte akuzuar për vrasjen e një civili gjatë luftës së fundit në Kosovë. Lëre që doli i pafajshëm, por Samiut edhe pritet t’i kompensohen vitet në burg dhe vizitat e familjarëve, duke dëmtuar kështu shtetin me shuma të larta. I njohur për kërcënimet ndaj fjalës së lirë Sami Lushtaku, fyen këdo që ia prish tymin, kërcënon dhe vret këdo pasi shteti ka rënë në duart e tij, në duart e bandave që kontrollojnë shtetin dhe çdo gjë. Për të përforcuar “egërsinë“ e tij si qenie që nuk përshtatet kurrë me kushtet normale, Samiu së fundi me  zëvendëskryeministrin e Kosovës Dardan Gashi, dhe këshilltarin e Fatmir Limajt janë xhiruar duke gjuajtur me armë në festën që Fatmir Limaj e organizoi në Banjë të Malishevës, pas lirimit nga akuzat për krim të organizuar dhe shpërdorim detyrës.

Ndonëse po hetohen nga Prokuroria dhe Policia e Kosovës, kjo s`do të sjellë asgjë të re përpos faktit se askush nuk guxon të hetojë Samiun, pasi Samiu me shokët e tij e kanë shteti në duart e tyre. Kush të hetojë Samiun, Bahri Hyseni që e emëron prokuror me telefon apo ndonjë marionetë e tij?!. Kjo sa është qesharake është edhe trishtuese. Përveç egërsisë së tij, Samiun e shquan edhe injoranca e tij e skajshme, duke u munduar të fsheh gjuajtjen me armë, Samiu tha se është lodër. Mbase po mendon se qytetarët janë naivë, si prokurorët që i ka emëruar vetë. O Sami ne nuk hamë bari, edhe banditë edhe injorant kombinim fatal. Derisa Samiu dhe ca mafiozë ende jetojnë të lirë, Kosova është e rrezikuar. Vetëm me Samiun në burg, Kosova ndihet e qetë dhe më e sigurt.  Dikush thotë se Samiut i ka mbetur “ rremë” me gjuajt nga koha e luftës, edhe ky arsyetim duket qesharak. Nëse do ishte trim s`do e linte Ademin dhe familjen tij nën mëshirën e armikut. Shteti ka rënë në duart e Samiut dhe bandës së tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat