ZGJIDHJA si pengesë e shkatërrimit të Shqipërisë

Opinione

ZGJIDHJA si pengesë e shkatërrimit të Shqipërisë

Nga: Azem Parllaku Më: 7 dhjetor 2017 Në ora: 11:14
Azem Parllaku

8 dhjetori është Dita e Rinisë, një ditë që shënon edhe 27-vjetorin e vendosjes së pluralizmit në Shqipëri. "E duam Shqipërinë si gjithë Evropa", ishte shprehja kyçe e 8 dhjetorit, kur të rinjtë kërkuan, ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës, integrimin në Evropë dhe garantimin e pluralizmit politik. 27 vjet më pas shoqëria shqiptare ka mundur të arrijë çdo lloj "progresi", përveç Demokracisë dhe vlerave që atë e shquajnë. Të gjithë ne, që e donim Shqipërinë si Europa, ende shpresojmë, teksa Europa, po ndryshon. Shqipëria ka gra e burra të zotë t'a ndërtojnë atë, por më parë ata duhet të thirren në rol.

Për fat të keq, deri tani rolet kanë qenë të kapura. Shqipëria me dekada është me regjim politik Partitokratik. Në partitokraci pushteti real përqëndrohet në duar të udhëheqjes së partive politike. Janë udhëheqjet partiake ato që përcaktojnë orientimin politik dhe kanë monopolin e marrjes së vendimeve të rëndësishme të një vendi. Partitokracia në Shqipëri ka imponuar një politikë shterpë dhe pa ide. Mbartësit e një politike të tillë mund të jenë vetëm politikanët me shterpësi idesh, besnikë të udhëheqjes së partisë. Një politikë e tillë pa ide, na ka ofruar qeverisjet intuitive dhe kaotike, të çorientuara dhe pa impakt social. Qeveritë tona e kanë ushtruar pushtetin e vet, jo sipas një programi qeverisës, por në kuadër të marrëveshjeve të bëra mes partive politike.

Partitë politike kanë përcaktuar ndër të tjera, opsionet e politikës qeveritare sipas ndarjes së "fushave të tyre të interesit dhe influencës". E në rast se ka një forcë politike që korrupsionin e ka shtyllën e saj kurrizore, kjo është LSI-ja, e cila pasi vodhi dhe plaçkiti tetë vite në pushtet, tani kërkon të bëjë rolin e Hirushes apo të sillet si një virgjëreshe, mëgjithëse tetë vite shërbeu si një "prostitutë" politike.

Morali dhe kredibiliteti i sektit të hajdutëve të PS dhe PD vlen njëlloj sa ajo që thamë për LSI. Kjo kastë politike mundë të quhet edhe kartel politik, i pasuruar me përmasa qiellore, saqë nuk mund t'u konkurojë as dinastia familjare e të ndjerit Fidel Castros në Kubë, as djemtë e Josip Brozit. Por, perceptimi i realitetit nga populli po bën që ky kartel politik edhe pse i dashuruar në pafundësi për të mos u larguar nga pushteti të ndjehet i braktisur. Më së miri kjo reflektohet nga pjesmarrja në zgjedhjet e fundit.

Ajo që dihet është se shqiptarët që kanë votuar, janë më pak se gjysma e atyre qe duhej të votonin. Ndersa për qeverinë e rilindjes, kanë votuar vetém 22% e tyre. Kjo do të thotë se në "dum-dumin" e qeverisë 78% e shqiptarve nuk kanë asnjë perfaqësim dhe timonierit sa ti mbarojë benzina do te ngecë, nëse Basha nuk e ndjek mbrapa me bidon sipas "fjalëve të veshit" ose Kryemadhi me ndonjë urdher nga lart, nuk bën "piruetë".

Timonieri e di që "dum-dumi" me të cilën ai duhet të qeverisë, është më pak sesa një e katërta e vullnetit shqiptar. Besueshmëria e qytetarëve në institucionet e shtetit ka rënë rrëmbimthi dhe që moti është në pikën kritike. Thjeshtë në Shqipëri është etabluar kultura e mosndëshkimit të krimit. Dhe pikërisht kjo kulturë mosndëshkimi e ka degraduar drejtësinë në padrejtësi, duke i dekurajuar njerëzit.

Nga ana tjetër korrupsioni endemik është kthyer në brejtësin më i rrezikshëmi i qëndrueshmërisë së institucioneve, që njëherësh e rrënon edhe legjitimitetin e brendshëm të shtetit, si dhe imazhin e jashtëm, duke e bërë atë që të perceptohet si shtet i dështuar. "Çdo brezni beson se i është ngarkuar detyra e ribërjes së botës. Breznia ime nuk mendoj se e ka këtë detyrë. Detyra e brezit tim ndoshta është më e vështirë. Ajo kosiston në pengimin e shkatërrimit të saj" thotë Alber Kamy.

Dështaku ynë autentik me rreth 22% të votave të shqiptarëve, pjesa më e madhe e të cilave tashmë e konfirmuar si e tjetërsuar, e blerë dhe e grabitur, është rikonfirmuar si kryeadministrator i punëve tona. Për pasojë dështimi dhe falimenti i tij s'kanë të bëjnë me personin, familjen e tij, apo ndonjë sekt, por me falimentimin e shqiptarëve. Nëse Kamy i bënte thirrje ndërgjegjies njerëzore për ndalimin e shkatërrimit të botës, ndërgjegjia shqiptare, establishmenti intelektual e politik, ka detyrën urgjente të ndalimit të rrokullimës së Shqipërisë drejt katastrofës së mëtejshme. Këtë detyrë duhet t'a kryejë me çdo mjet.

Nxjerrja e Shqipërisë nga duart e krimit dhe mafias, nuk jep kohë për të racionalizuar strategji të rafinuara, ndaj duhet lëvizje politike qytetare, përkrah çdo të keqeje më të vogël, se kjo në të cilën jemi katandisur. E nëse mund të bëhet fjalë për një lëvizje politike qytetare e cila, inspiron drejt një nevoje, për një lloj të arsyetuari, dhe ringjallje të idealeve të dhjetorit të 27 viteve më parë, ajo tsahmë është konfirmuar.

Është forca politike ZGJIDHJA, e cila Demokracinë e konsideron si një sistem politikë ku liria dhe barazia janë karakteristikat esenciale të institucioneve shtetërore dhe një shoqërie të ndërtuar mbi parime të një kushtetute demokratike. Nxjerrjen e Shqipërisë nga duart e krimit dhe mafias ZGJIDHJA e ka në listëdetyrat e misionit të saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat