Fjalët e presidentit, të qëlluara apo të nxituara? - Bota Sot
Fjalët e presidentit, të qëlluara apo të nxituara?

Opinione

E premte, 15 dhjetor 2017

Fjalët e presidentit, të qëlluara apo të nxituara?

Nga: Dedë Preqi Më: 7 dhjetor 2017 Në ora: 11:47
Dedë Preqi

Është fakt i vërtetë se Kosova dhe populli i saj, ngërthenë në vete një arkivë të veqantë e të gjërë ngjarjesh e fakte historike, të cilat e përbëjnë jetën dhe fatin e këtij populli, rrjedha e të cilit vazhdon dhe mbështetët në sakrificën e vazhdueshme të tij, por edhe në fuqinë e atyre që disponojnë e ndjejnë ide të arsyeshme e të shëndosha për mbrojtjen dhe lirinë e këtij populli.

Dhe këtij populli, vetëm periudha e fundit e pushtuesit, do i kishte mjaftuar ta kuptonte shëmtinë brutale gjerë në palcë ç’njerëzore dhe gjithë atë që e ka përjetuar nga tragjeditë  e shkakëtuara nga gjenocidi i sistemit serbo-sllav, të paktën si e ka përballuar gjithë atë torturë dhe atë traumë shpirtërore, duke lënë shumë pasoja deri në ditët e sotme.

Nuk do të përqëndrohemi thellë për ti zbuluar rrënjët e fenomenit të këtillë, kur këto i ka të njohura  e gjithë bota, por pas çlirimit të saj Kosova, duhet të përkulet gjithmonë dhe të jetë falenderuese e dëshmorëve të vet të lirisë, në veqanti dhe fuqisë ushtarake të NATO-s, e cila kjo e fundit e shpëtojë nga asgjësimi dhe fatin e këtij populli, duke i hapur dyert e lirisë dhe demokracisë së këtij vendi.

Pranda, Kosova dhe populli i saj, sot duhet ta ketë fare të qartë linjën dhe rrugën e vet, që të gjejë formulën e paramenduar dhe si vetëdije e tij përballë sfidave të veta në liri, ta shkrijë në vetëdije të brendshme dhe në funksion intensitetin e veprimit, i cili do të hidhte dritë të mjaftueshme në mirëqenjen e qytetarëve të vet dhe të ardhmën e tyre më të dinjitetëshme.

Mbas çlirimit të saj Kosova, nuk mund të ishte funksionale, sikur mos të ndihmohej nga misionet ndërkombetare, sidomos në mbështetjen e themelimëve dhe funksionimin e administratave, ngritjen e autonimisë substanciale dhe qeverisjen në komuna, kordinimin e punëve organizative dhe internacionalizimin e ndihmave, renovimin e infrastrukturës së shkatërruar, të mbajë rendin dhe sigurinë e ligjëve, të ngrisë të drejtat e njeriut, përkujdesjen e kthimit të përsonave të larguar, dhe më e rëndësishmja, të sigurojë mbrojtjen e kufinjëve në teritorin e vendit.

Kështu brenda një intermecoje të shkurtër, apo të gjatë, Kosova ka arritur deri dikund, deri aty ku mundet, apo nuk mundet të vazhdojë rrugën e saj drejt integrimëve dhe zhvillimëve të nevojshme pa ndihmën dhe përkrahjen e vazhdueshme të Misioneve ndërkombëtare dhe evropiane, sepse një gjë e tillë nuk mund të udhëhiqet vetëm nga vetë dëshira e politikës dhe autoritetëve të Kosovës, por ky shirit i misioneve do të tërhiqët në mënyrë graduale dhe bindëse, kur Kosova dhe populli i saj, do jetë stabile dhe më funksionale.

Dhe fjajët e presidentit, do ishin të ngutshme para Forcave të Sigurisë së Kosovës, duke thënë se, koha e misionëve ndërkombëtare ka kaluar. Presidenti në fjalë, ndoshta e ka menduar ndryshe, duke e kuptuar sfondin kohor dhe rrolin e Kosovës, por si do që të jetë edhe me disa mangësi dhe dështime të këtyre misioneve, si nga UNMIK-u, dhe EULEX-i, sidomos në sferën e drejtësisë, nuk duhet të keqkuptohemi se, në përbërjen e këtyre misonëve hynë edhe KFOR-i, pa të cilin, Kosova dhe kufinjët e saj do të rrezikoheshin.

Dhe përveq tjerash, nuk është e qartë se presidenti edhe pse me të drejtë e kundështon edhe Gjykatën Speciale në Kosovë, me arsyen se kjo gjykatë do të gjykojë në mënyrë të një anëshme popullin e Kosovës, por presidenti me një arsye fare intime, apo tjetër,  vetë e votoj krijimin e kësaj gjykate, e cila nuk dihet se si do të arsytonte qëllimet e saj si një Gjykatë Ndërkombëtare, kur ka të bëjë vetëm me faktorin e brendshëm, apo të kemi një vizion të qartë për kompleksitetin e këtij populli, i cili është vetë viktimë dhe në të njëtën kohë do duhej të gjykohet dhe dënohet.

Sikur në Kosovë të fuksiononte ligji dhe sistemi i mirëfilltë i drejtësisë, sikur të luftohej pa kompromis  krimi i organizuar dhe korrupsioni, sikur të ishte në përputhje të plotë veprimi dhe fuksionimi i liderëve politik, sikur edhe Kosova të posedonte Ushtrinë, apo Forcën e Armatosur të Kosovës, do ta bënin një Kosovë më të qëndrueshme, të vërtetë dhe funksionale, por pa ndihmën e misionëve  të BE-së, dhe ato ndërkombëtare, posaqërisht pa prezencën e KFOR-it, Kosova dhe populli i saj, nuk do të ndjehët i qetë dhe i sigurtë.

Dhe do ti kursenim kritikat e fjalët kundër të tjerëve, e sidomos ndaj atyre të cilët në kohën më kritike e muarën mbi vete përgjegjësinë morale, politike dhe strategjike, për të na ndihmuar dhe shpëtuar nga asgjësimi. Të ruajmë miqtë e tillë, si dhe krijimin e urave me vendet tjera të botës dhe përgjegjësinë e politikave të dështuara dhe të disfavorshme, të defekteve politike dhe ekonomike në Kosovën e sotme, së pari ta kërkojmë nga vetëvetja, duke filluar nga poertieri i Institucioneve dhe deri te presidenti i vendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test