Shumë-dimensionaliteti i kufirit

Opinione

Shumë-dimensionaliteti i kufirit

Nga: Isa Zymberi Më: 7 dhjetor 2017 Në ora: 15:53
Isa Zymberi

Para se të merrem me çështjen e vendosjes së kufurit midis dy shteteve, dua të theksoj se ‘demarkacioni’ si kushti i parafundit për liberalizimin e vizave, që i është vendosur Kosovës nga Bashkimi Europian, është një kusht idiotik. Për këtë janë të vetëdishëm si ata që e kanë vendosur ashtu dhe ata që kanë qenë të gatshëm ta pranojnë.

Është çështje tjetër se sa ka ndikuar edhe vetë udhëheqja jonë për vendosjen e këtij kushti. Mund të ketë pasur edhe të atillë që kanë menduar se kosovarët janë në gjendje të heqin dorë nga pjesë të territorit të vet vetëm e vetëm që të mund të lëvizin pa viza.

Kushti i fundit, ai i luftimit të korrupsionit, sipas mendimit tim, është më i vështirë për t’u plotësuar dhe, po ashtu, më i rëndësishëm për mbarëvajtjen e Kosovës si shtet. Mirëpo, mbase me të drejtë, krerët e politikës kosovare mendojnë se kushti i luftimit të korrupsionit do të plotësohet lehtë duke u nisur nga fakti se korrupsioni në një masë ka shtrirje tejkufitare.

E kemi parë se me sa lehtësi po e mësojnë edhe ndërkombëtarët tanë zanatin e korrupsionit.

Kufijtë nuk janë gjithmonë një çështje e ngutshme, sidomos atëherë kur nuk ka gjasë që të nxisin konflikt. Ka raste kur me dekada nuk janë vendosur kufij përfundimtarë midis shtetesh.

Pse është dashur të nxitojë udhëhqja jonë me Malin e Zi, kur edhe fëmijët e dinë se Kosova e ka me rëndësi përcaktimin e vijës kufitare me Serbinë, e cila vazhdon madje edhe t’i çojë me mjaft sukses përpara programet e veta të integrimit në BE duke vazhduar ta konsiderojë Kosovën si pjesë të sajën. Serbisë nuk iu vunë kushte të këtilla!

Në anën tjetër, Kosova ka marrëdhënie shumë të mira me Malin e Zi të cilat duhet të ruhen dhe kultivohen gjithsesi.

Janë dy mënyra të përcaktimit të kufijve midis dy shteteve: (1) përmes negocimit të një traktati midis dy vendeve në fjalë, dhe (2) duke iu drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së me kërkesë për përcaktimin e kufijve.

Kosova e ka pranuar parimin e Badinterit që kufijtë administrativë të kthehen në kufij shtetërorë, mirëpo ky parim nuk i përjashton përmirësimet e vogla dhe as nuk i eviton në tërësi mosmarrëveshjet.

Në literaturën rreth përcaktimit të kufijve thuhet se nuk ekziston një metodë e vetme përgjithësisht e pranuar për këtë punë. Përmenden tipare të kufijve natyrorë si vargmale, lumenj, apo edhe gjeografia njerëzore, por kudo përmendet që komisonet shtetërore, apo të tjera, që do të merren me këtë punë, duhet të jenë të orientuara nga kompromiset.

Me gjasë, çështja e orientimit nga kompromiset në rastin tonë ka vlejtur vetëm për palën kosovare.

Mjafton të shikohet vija kufitare midis Malit të Zi dhe territoreve shqiptare për të ardhur në përfundim se këtë herë ka qenë e rrugës dhe krejt e logjikshme që në rastin e ndarjes së vijës kufitare midis Malit të Zi dhe Kosovës t’i takonte palës malaziase t’i bënte disa kompromise, krejt të arsyeshme dhe që as për së afërmi nuk do ta dëmtonin Malin e Zi  në krahasim me dëmtimin që u është bërë viseve shqiptare që janë lënë brenda këtij shteti tash e një shekull më parë.

Në qoftëse kufijtë midis Malit të Zi dhe territoreve shqiptare janë vendosur në baza tërësisht artificiale, pa respektuar  karakteristikat fizike dhe etnike, kompromisi i kërkuar nga pala kosovare nuk do të prekte asnjërin nga këto dy kritere. Kufiri që do të ndiqte logjikën e majave ndarëse si në Çakorr dhe në Kullë do të ishte më i qendrueshëm për të dyja palët dhe nuk do të linte probleme të fjetura që do të mund të nxirrnin kokë në të ardhmen.

Qytetari i rëndomtë Kosovar e ka të pamundur t’i dijë presionet që i janë bërë klasës sonë udhëheqëse politike për të pranuar çfarëdo zgjidhjeje dhe arsyet pse janë ushtruar presione të tilla ndaj saj. Mbase edhe mund të ketë arsye të bazuara për presione të tilla (ta kujtojmë përcaktimin e vijës kufitare midis Serbisë e Maqedonisë, ku u prekën edhe kufijtë e Kosovës madje as pa e konsultuar Kosovën fare).  Problemi është se arsyet nuk u janë shpjeguar qytetarëve, kurse ndërkombëtarët, që nga paslufta e këndej, gjithnjë kanë zgjedhur të mbështeten te një numër i vogël politikanësh, të cilët i kanë mbajtur pezull lidhur me disa akte të pretenduara që mund t’ua hapnin dyert e burgut për periudha të gjata, dhe, duke i shantazhuar të tillët, janë bërë shumë ndërmarrje të dëshmshme për Kosovën, qoftë në dialogun me Serbinë, apo kur është fjala për formimin e mini-komunave me shumicë serbe, si dhe me formimin e asociacionit të komunave serbe.

Në qoftë se Thaçit me shokë u ka interesuar t’ia sigurojnë qetësinë vetës duke lëshuar pe në çdo kërkesë të ndërkombëtarëve, ç’iu desh LDK-së dhe Mustafës që t’i pranojë këto punë me aq zellë?

Përcaktimi i kufirit është një akt politiko-juridik që përmbyllet me një traktat në  bashkëvajtje me 3-D-të: delimitacionin, demarkacionin dhe delineacionin.

Shkurtimisht, sipas atyre që merren me problemin e përcaktimit të kufijve, delimitacioni është ajo që rjedh nga negociatat midis dy shteteve sovrane; demarkacioni është operacioni në terren për markimin e kufirit ashtu që ai të jetë i dukshëm për këdo; kurse delineacioni është paraqitja grafike apo matematikore e kufirit që do të përmbajë një përshkrim të plotë që mund të përdoret për t’iu referuar në të ardhmen.

Demarkacioni dhe delineacioni shpesh bëhen nga një komision i përbashkët i dy shteteve.

Nuk ia vlen të përshkruhet këtu rrjedha e përcaktimit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi, por duhet të përmendet se opozita e atëhershme, ku bënin pjesë edhe dy parti që sot janë pjesë e pozitës, e ka kundërshtuar këtë zgjidhje me mjete politike dhe jopolitike. Madje partia e kryeministrit të tanishëm të Kosovës, korrigjimin e vijës kufitare e ka pasur edhe premtim elektoral të cilin tani nuk po di si ta anashkalojë.

Në përpjekje për ta kryer këtë punë, presidentja e atëhershme, Jahjaga, pati sjellë edhe një komison amerikan, mbase edhe duke u nisur nga fakti se njerëzit në Kosovë ende mendojnë se e vërteta dhe drejtësia udhëtojnë nga jashtë. Duke e parafrazuar përgjigjen, ky komisioni deklaroi se, bazuar në metodën që është përdorur, përfundimet e komisionit Kosovar janë të sakta. Shihet qartë se kjo është më shumë një përgjigje diplomatike që nuk konfirmon asgjë.

Nëse Thaçi me shokë të PDK-së kanë qenë të gatshëm ta pranonin këtë marrëveshje duke e pasur, disa prej tyre, ‘mizën pas veshi’, çfarë e ka shtyer LDK-në që ta pranonte këtë zgjidhje me aq ngulm duke u përpjekur aq shumë të rrëzonte çdo argument që e kundërshtonte atë? Nëse ka vepruar kështu sepse për këtë kanë insistuar përkrahësit tanë ndërkombëtarë, është dashur të gjente mënyrë ta shpjegonte këtë si dhe ta pranonte se me këtë, jashtë vullnetit të saj, por duke i dhënë prioritet një çështjeje më të madhe kombëtare, po ia zgjaste jetën PDK-së dhe udhëheqësve të saj të ndrojtur nga drejtësia ndërkombëtare.

Në momentin e pikërishëm është me rëndësi të arrihet zgjidhja sa më shpejt sepse situata është jashtëzakonisht delikate për Kosovën dhe të ardhmen saj.

Duhet ta kemi të qartë se dëmi tashmë është bërë, dhe po ashtu duhet të konstatohet se Kosova nuk i ka kushtet që ta riparojë këtë dëm.

Duke pasur parasysh se miqtë kyçë të Kosovës, ata që dhanë kontributin kryesor për çlirimin e Kosovës nga Serbia dhe e mbështetën pastaj pavarësinë e saj, po insistojnë që Kosova ta pranojë këtë zgjidhje, është e rrugës që të pranohet kjo zgjidhje sa më parë dhe t’u thuhet me sinqeritet njerëzve të Kosovës se kjo zgjidhje po pranohet jo pse është e drejtë, por vetëm për të qëndruar të patundshëm në vijë me përkrahësit tanë ndërkombwtarë dhe për të mos e humbur përkrahjen e tyre.

Secili duhet t’ia shtrojë vetës pyetjen, ‘Sa do të mund të qendronte Kosova si shtet nëse do ta humbiste përkrahjen e Perëndimit?’ Viti 1999 është i papërsëritshëm.

Pranimi i kësaj zgjidhjeje, ndërkaq, duhet patjetër t’ia lë hapur dyert një hetimi shumë serioz të gjitha veprimeve të papërgjegjshme në një periudhë të mëvonshme, kur organet e ndjekjes nuk do të jenë të kapura.

Veprimet e gabuara zakonisht kanë emër e mbiemër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat