Dështimi i Qeverisë Haradinaj në miratimin e buxhetit

Opinione

Dështimi i Qeverisë Haradinaj në miratimin e buxhetit

Nga: Arben Sylejmani Më: 8 dhjetor 2017 Në ora: 14:24
Arben Sylejmani

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të partive opozitare, në seancën e 10 majit të këtij viti, votuan rrëzimin e Qeverisë Mustafa me arsyetimin se kryeministri nuk kishte guxim për të marrë vendime për çështje të mëdha të vendit, siç ishte Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

E si njeri i guximshëm për të marrë vendime të rëndësishme u pa lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj për shkak të cilësive të tij individuale.

Kështu që kjo logjikë solli në pushtet një qeveri me njerëz të “krahut të luftës”, me shpresën se këta njerëz do të kenë guxim për t’i dhënë një epilog çështjeve madhore.

Por, dështimi i miratimit të Projektligjit për buxhetin në seancën e djeshme për shkak se ekzekutivi nuk arriti t’i siguroi 61 vota për kuorum tregoi pikërisht të kundërtën. Tregoi se vendi nuk qeveriset me logjikën e guximit dhe të forcës, por me logjikën e bashkëpunimit me partitë opozitare.

Përpos saj, dështimi i buxhetit tregoi se qeveria Haradinaj nuk e ka as mbështetjen e deputetëve të partive në pushtet për buxhetin, dhe rrjedhimisht qysh mbrëmë kryeministri do duhej të jepte dorëheqje.

Në një shtet me demokraci të mirëfilltë mos miratimi i buxhetit nënkupton edhe rënien e qeverisë, sepse përmes miratimit të këtij projektligji aq të rëndësishëm qeveria tregon se e ka shumicën minimale në organin legjislative për të qeverisur vendin.

Por duke parë që Haradinaj nuk e ka ndërmend që të bëj një gjë të tillë, kështu që për t’i dhënë një epilog çështjes së buxhetit Haradinaj duhet t’i bind deputetët e koalicionit për të qëndruar në seancë, kuptohet nëse mund ose të bashkëpunojë me partitë opozitare.

Bashkëpunimi me partitë opozitare për miratimin e buxhetit, nënkupton se Haradinaj duhet t’i inkorporojë në projektbuxhet kërkesat e LDK-së dhe ato të Lëvizjes Vetëvendosje.

Miratimi i kërkesave të opozitës mund të mos i shkojë për shtati ndonjërit prej liderëve të partive në pushtet, kështu që Haradinaj mund të haset në vështirësi me deputetët e koalicionit qeverisës.

Prandaj, problemi i buxhetit po tregon se nuk do të ketë sukses sjellja në pushtet e një qeverie në krye me njerëz të “krahut të luftës” dhe me një lider që thirret në guxim, e në anën tjetër ka frikë në  marrjen e vendimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat