Inovacionet e Ministrisë së Inovacionit!

Opinione

Inovacionet e Ministrisë së Inovacionit!

Nga: Kimete Berisha Më: 8 dhjetor 2017 Në ora: 20:21
Kimete Berisha

1. U zbulua mjekra e thurur me gjypnerë nga fijet e holla të leshrave që importohen nga Egjipti i largët, që ka për qëllim t’ua mbrojë nga acari faqet e atyre që për çfarëdo arsye nuk kanë mjekër! Ngjyra e leshit për mjekra është e kaftë, e zezë dhe krem për bjondinët.

2. U zbulua që molla e ‘Apple’ e laptopëve dhe mobilëve, të quhet ‘mollë e ndaluar’, që flet për të drejtat e autorit, të cilat rreptësisht është e ndaluar t’i vjedhësh (dhe këtë ta sjell ndërmend logo ‘molla e ndaluar’ sa herë që të shkon mendja të vjedhësh diçka).

3. Plisi ka pësuar metamorfozë, tash e tutje do ta ketë mekanizmin për ajrosje, një vrimë (sa ta qet gishtin) do ta parandalojë djersitjen e bartësve të plisave, të cilët si pasojë e mungesës së mekanizmit të ajrosjes së kokës, deri më tani janë ballafaquar me rënie të flokëve.
Ndërkohë u krijua edhe kapuçi me flokë artificiale, dedikuar për tullaca.

4. Fyellit do ti shtohet edhe një vrimë, për arsye të arsyeshme. Ndërsa, do të organizohet një seminar inovativ fshat më fshat që do ta ngris vetëdijen e katundareve shqiptare, të cilat nuk i bien fyellit nga frika se u rriten gjoksat.
Krahas fyellit, u krijua mekanizmi që xhamparet e defit të lëvizin me rrymë.

5. U zbulua ventilatori i vogël, ngjyrë lëkure, i cili mund të vendoset në dorën në të cilën e mban lugën. Nuk ke më nevojë t’i fryesh me gojë gjellës në lugën e nxehtë, ventilatori me mekanizmin e tij efikas, ta ftoh pasulin dhe çorbën në lugë.

6. Besim Beqaj e ka zbuluar mënyrën se si të përmendesh si dashnor i dikujt (i iva alikos për shembull), e kjo mos të të prishë punë, në asnjë aspekt.
Në kuadër të zhvillimit dhe përparimit emocional, për vetmitarët është zbuluar jastëku i quajtur ‘më përqafo’, ku jastëkut të zakonshëm i është shtuar një dorë prej pambuku (të cilën e përqafon në vend të njeriut), që ndihmon në luftimin e vetmisë njerëzore, me efektin psikologjik
dhe sugjestionin pozitiv që ta jep ky jastëk, të bën të ndjehesh pjesë e shoqërisë.

7. Besim Beqaj pas aferes ‘Pronto’ e ka zbuluar se është gabim të flasësh në telefon për sekrete. Prandaj, kush ka sekrete të errta (se sekrete të bardha nuk ka), duhet të veprojë si vijon: 
Shkon në malin më të afërt (me personin që dëshiron ta ndajë sekretin), e shkruan porosinë në letër, ia jep personit X apo Y ta lexojë porosinë dhe aty për aty e kall mesazhin derisa të sigurohet që letra u bë hi. 
Kjo është mënyra më efikase se si t’i shmangesh zbulimit të sekreteve. Sekreti nuk tregohet me zë. Fshehtësitë i zbulon biseda telefonike.

8. Ministri i inovacionit i ka angazhuar zyrtarët që ta zbulojnë një basëm të rrëshqitshme për hollohopka, që t’u ndihmojnë meshkujve t’i veshin dhe t’i zhveshin pantallonat e ngushtë më lehtë. Kjo ide i ka lindur pasi disa herë i kanë kërcitur pantallonat në takime zyrtare.

9. Ministria e inovacionit ende nuk ka treguar se çfarë aftësie duhet të ketë njeriu që t’i punojë pesë puna përnjëherë, pra, si ka mundësi Besim
Beqaj që të jetë fizikisht gjatë ditës në pesë vende pune përnjëherë. Ky inovacion i takon fushës së shpirtit dhe fanta-shkencës, si divizion i posaçëm që do të themelohet në kuadër të ministrisë dhe do të udhëhiqet nga hoxhollarët, priftërinjtë, dervishët dhe popët.

10. Tani ministria është duke punuar edhe në inventimin e xhamive mobile me rrota, në mënyrë që kur besimtari nuk ka kohë të shkojë te xhamia, xhamia shkon te qytetari.

P.S. Mjau

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat