Vota e malësorëve për partinë në pushtet të Millo Gjukanoviqit në Tuz ishte gabim

Opinione

Vota e malësorëve për partinë në pushtet të Millo Gjukanoviqit në Tuz ishte gabim

Nga: Gjek Gjonlekaj Më: 11 dhjetor 2017 Në ora: 07:02
Gjek Gjonlekaj

Gjatë një udhëtimi përmbi hapësirën ajrore turke në ekranin televiziv ishte vendosur harta gjeografike e Turqisë. Në atë hartë shkruante me germa të mëdha Lake Tuzi (Liqeni i Tuzit). Si malësor shqiptar isha kurioz për këtë emër ngase qytezën e vendlindjes sime e quajnë Tuz. Kisha lexuar në shënime historike shqiptare për këtë emër, por qysh atëherë e sot opinioni im për origjinën e emërit të kësaj qyteze kishte ndryshuar. 

Nuk besoj se turqit e kishin marrë këtë emër nga malësorët shqipëtarë. Është më shumë e besueshme  se pushtuesi turk e kishte emëruar Tuz vendbanimin tonë të vogël . Siç duket ky emër ka të bëjë me krypën. Për Liqenin e Tuzit në Turqi kisha biseduar me disa turqë në New York. Ata e kishin shumë të njohur historinë e këtij liqeni, sepse atje  prodhohej 75 për qind e krypës së Turqisë. 

Bile krypa e këtij liqeni ishte e një cilësie të lartë pohonin ata. Tuzi është qyteza e parë  që kisha parë në jetë. Çdo vit me 28 gusht një pjesë e madhe e Malësisë kalonim nëpër Tuz për të shkuar në Shnjon të Hotit. Bënte vapë dhe automjetet që kalonin nëpër Tuz çonin pluhur të madh. Në grupin tonë prej disa vetash  ishin nënat tona, natyrisht bijat të këtij fisi, pastaj shumë miqë, nipa dhe mesa. Të gjithë ishim të veshur mirë. Në Tuz pushonim për të pirë ndonjë limunad ose bozë dhe për të shijuar bakllavanë e tollumbat.  Tuzi ndryshonte shumë nga malësitë për rreth. Malësorët i quanin muhaxherimë banorët e Tuzit.

Ato sidomos gratë e vajzat e tyre vishnin dimi dhe fytyrën e sytë i mbulonin me ferexhe. Shumica e tuzianëve flisnin sllavisht. Muhaxherimët siç i quanin në atë kohë ishin vendosur në Tuz si refugjatë për shkak të  gjenocideve të ndryshme ballkanike. Disa familje tuziane ishin me origjinë nga viset e ndryshme të Malësisë. Por pasi kishin ndërruar fenë, gjuhën e traditën i kishin humbur pothuajse të gjitha lidhjet me të parët e tyre në Malësi. Disa prej tyre kishin ruajtur vetëm mbiemërat, por edhe ato i kishin sllavizuar. Gratë dhe vajzat e Malësisë që kalonin nëpër Tuz ishin veshur në xhubleta dhe fytyra e sytë e tyre shkëlqenin sepse nuk i mbulonin. Nëpër rrugën e Tuzit kalonin shumë qerre dhe kuaj e  karroca. Malësia nuk kishte mjete tjera transporti. Tuzi kishte dy ëmbëlsira dhe dy kafe ku pihej edhe alkoli. Në Tuz kishte klube bixhozi. Disa malësorë të katundeve për rreth Tuzit i kishin mësuar këto vese të mbrapshta.

Edhe disa emigrantë nga Shqipëria kishin rënë viktimë e këtyre veseve. Qytetarët e Tuzit  ishin të sjellshëm por kurrë nuk u solidarizuan me malësorë. Tuzianët nuk merrnin pjesë as në gëzime as në  hidhërime të Malësisë. Ata ishin të qetë, përveç ndonjë rasti të veçantë  nuk ishin  agresivë siç ndodhte me disa malësorë sidomos kur pinin raki. Tuzianët ishin gjithëmonë mirë me pushtetin .Kur ishin në rrezik nga ndonjë pushtues i ri ata bënin veprime për t'u bërë shqiptarë siç kishin bërë në kohën e Italisë dhe në kohën e Millosheviqit. Por pasi i kishin tejkaluar ato kriza kishin hequr  dorë nga shqiptarizimi. Zëdhënësi më i mirë i politikës së tyre ishte Shaba Zeku. Ai e lexonte temperaturën politike menjëherë.  Deri vonë Tuzi ishte si një oazë në shkretirë.

Një pjesë e madhe e malësorëve sot e kësaj dite nuk duan ta quajnë Komuna e Tuzit, sepse ata kërkojnë komunë shqiptare e jo komunë  ku nuk bëhet administrimi në gjuhën shqipe. Malësorët atdhetarë të krishterë dhe muslimanë duan komunë shqiptare e jo komunë muhaxherimësh e boshnjakësh. Gjuha dhe tradita e tyre nuk janë të përshtatshme për të ardhmen e malësorëve muslimanë e të krishterë. Malësorët sidomos ata të krishterë do ta kishin më të lehtë bashkëpunimin me malazezë se me tuzianë e boshnjakë. Boshnjakët ishin treguar  shumë antishqiptarë gjatë demonstratave të Kosovës në vitin 1981. Bile ata kishin marrë pjesë aktive në përdorimin e dhunës kundër popullit shqiptarë të Kosovës.

S'ka asnjë rëndësi çka thotë demokracia, sundimi i malësorëve nga tuzianët që nuk flasin mirë shqip dhe nga boshnjakët është i papranueshëm Le të dhomotisin politikanët e demokracisë sa të duan, këto janë sundime të panatyrshme dhe do të kenë pasoja negative në të ardhmen e Malësisë. Malazezët e respektojnë më shumë historinë dhe traditën e Malësisë se ata ardhacakë nga viset e ndryshme të ish Jugosllavisë.  Për shembull ne vitin 1968 me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, Drejtoria dhe Këshilli i Arsimtarëve të Shkollës së Trieshit kishin kërkuar zyrtarisht që shkollës  tetëvjecare të Trieshit t'i jepej emëri "Gjergj Kastriot Skenderbeu". 

Ministria e Kulturës e Malit të Zi e kishte pranuar pa asnjë dyshim dhe kjo shkollë tash 50 vjet e mban emërin e heroit tonë kombetar. Asnjë shkollë nëntvjecare ose një e mesme në Malësi nuk mban emërin e ndonjë personaliteti shqiptarë ose të ndonjë date historike shqiptare. Tuzianët  i dhanë shkollës tetëvjecare të Tuzit emërin "Mahmut Lekiq", që emëri Mahmut ështe banal për gjuhën shqipe dhe merre me mend si torturohet mendja e nxënësit malësor me këtë emër banal. Kur thua Mahmut është gati si me thënë:" na mut". 

Sot e kësaj dite gjimnazi i Tuzit mban emërin "25-maji" që ështe ditëlindja e Titos. Ky emër është i ndaluar  tash një çerek shekulli, por tuzianët nuk e ndryshojnë se kanë frikë se emërin e tij e zëvëndësojnë me emërin e ndonjë shqiptari ose të ndonjë date hisorike të popullit shqiptar. Kështu ishte shkolla nëntëvjeçare e Hotit deri dje.Tuzianët duke qënë vasal të pushteteve sllave bënë shumë për tjetërsimin e Malësisë. Tuzi ka qënë gjithmonë qëndër spiunazhi kundër Shqipërisë. Kishte filluar në kohën e  Kral Nikollës, dy jugosllavive dhe natyrisht se vazhdojnë edhe sot. Tuzi ështe një Tijuana e dytë e  Meksikës. Këtë mision kishte edhe Gusia.

Më habit vota që malësorët i dhanë kohët e fundit Millo Gjukanoviqit. Vota që i dhanë Millo Gjukanoviqit dhe Halil Dukoviqit ishte votë qind për qind  anti-malësore dhe anti-shqiptare. Ishte votim kundër Malësisë sepse Millo Gjukanoviqi do t'ia dorëzojë pushtetin Halil Dukoviqit dhe antimalësorëve të Tuzit.  Ata nuk mund ta drejtojnë Malësinë, sepse ata nuk i duan malësorët,ata nuk e duan gjuhën e tyre, nuk e duan fenë e tyre dhe as traditën e tyre.

Pra dorëzimi i votës pa kusht Millo Gjukanoviqit ishte një katastrofë e vërtetë e maleve të Malësisë. Malësorët duhej të kërkonin prej Gjukanoviqit pushtetin e Kuvendit ose të Kryetarit të Komunës së Tuzit. Ata shkuan si sjapi te kasapi. Kjo nuk ishte votë për të shpëtuar Gjukanoviqin dhe Partinë tij, por ishte votë për të sjellur në pushtet ata që nuk e duan Malësinë.  Pse besnikët malësorë të Gjukanoviqit nuk ia shpjeguan këtë dukuri.  Me tuzianët e sotëm  në pushtet Malësia do të asimilohet dhe do të bastardhohet. 

Njegoshi ka thënë:"Turko-shaku është më i keq se turku". Millo Gjukanoviqit nuk i falet kjo dredhi që ua bëri malësorëve. Por pabesia dhe dredhia është në traditën e tyre.  Kështu kishte vepruar edhe Kral Nikolla me malësorë, gjatë Kryengritjes së Malësisë dhe Luftës së Shkodrës.Historianët e huaj thonë  se Millo Gjukanoviqi  është politikani më i madh malazez pas Kral Nikollës, por duhet pranuar fakti se është  politikani më i djallëzuar ndaj problemit shqiptar në Mal të Zi. Ai mburret se gjoja i kishte shpëtuar shqiptarët e këtij vendi gjatë Luftës në vitin 1999. Gjatë asaj Lufte Gjukanoviqi shpëtoi veten dhe popullin e tij. E bëri këtë pasi dëgjoi të shtënat rrufe të NATO-s në Podgoricë, në Shipshanik, në Gostilje të Piprit dhe  anë e përtej vendit. 

Ai u bashkua me NATO-n jo për të shpëtuar shqiptarët por për të shpëtuar Malin e Zi dhe veten e tij, pëndryshe do ta shihte Podgoricën e rrënuar dhe ai vetë do të përfundonte në Hagë, ashtu siç përfunduan Millosheviqi dhe shumë shokë të tjerë. "Kija gjakun dhe folja hakun" do të kishte thënë Gjergj Fishta, Millo Gjukanoviqi u tregua i mençur dhe trim në atë kohë tepër kritike për Malin e Zi në përgjithësi dhe për Millo Gjukanoviqin në veçanti. Ai kishte urdhër nga NATO-që t'i mbronte shqiptarët e Malit të Zi, bile edhe ata të Kosovës.

Shqiptarët e Malit të Zi, atje dhe në diasporë e kanë ndihmuar më shumë se kushdo tjetër pavarësinë e Malit të Zi. Unë personalisht kam vepruar natë e ditë që Mali i Zi të fitojë pavarësinë. Bile më kanë sharë e fyerë e kërcënuar fizikisht për mbështetjen që i kam dhënë Malit të Zi për pavarësi. Edhe sot e kësaj dite disa grupime ekstreme  më shajnë dhe më fyejnë për atë qëndrimin tim. Nuk pendohem asnjë sekond për këtë sepse ndarja e Malit të Zi nga Sërbia ishte fitore e madhe për shqiptarët e Malit të Zi dhe për të ardhmen shtetërore të Kosovës. Millo Gjukanoviqi ka detyrime të mëdha ndaj shqiptarëve në Mal të Zi dhe ndaj Shqipërisë sepse ata e ndihmuan hyrjen e Malit të Zi në NATO. Shqiptarët në Mal të Zi kanë qënë dhe janë grupi etnik më i ndershëm në Ballkan.

Ata nuk e kanë trazuar Malin e Zi asnjë ditë. Shumica kanë votuar për pavarësinë e vendit. Megjithatë shqiptarët në Mal të Zi kanë vetëm një vend në Parlamentin e Malit të Zi. Për këto probleme do të flasim ndonjë herë tjetër. Përqëndrimi jonë sot është pse Millo Gjukanoviqi nuk ishte më  i sinqertë me Malësinë. Ai ndoshta edhe nuk e di. Por besnikët e tij duhet t'ia shpjegojnë se këto janë troje ilire ashtu siç ishte edhe kryeqyteti i tij. Malësia nuk është vetëm një shprehje gjeografike, por është një ndër trevat më historike të Ballkanit. Këtu sunduan mbretërit dhe mbretëreshat ilire. Këtu në Malësinë tonë u përplasën shumë perandorë e qytetërime. Zoti Gjukanoviq mos e shiko si një vend të lënë pas dore, por shikoje si një vend të shejtë. Aq më tepër kur deklaroni se të parët tuaj janë shpëtuar prej një malësori. Atë kamp famëkeq ku ishin të parët tuaj, nuk e kishin hapur malësorët, por Austro-Hungaria. Dhe iu siguroj se trimat e Vuksalekajve nuk kanë vrarë njeri, sepse është kundër traditës së Malësisë vrasja e të zënëve robë. Në atë kohë në Vuksalekaj jetonin trima fisnikë që nuk kishin lejuar krime të tilla. 

Atje në Vuksalekaj  jetonte Lucë Nikë Preloci me shumë shokë e burra si ai, që ishte ndera e Hotit dhe e gjithë Malësisë. Do të ishte mirë që kjo njollë t'i hiqej Malësisë. Ju Mr. Gjukanoviq shkoni në Malësi një herë në katër vjet, vetëm një javë para votimeve. është mirë të shkoni më shumë dhe të mësoni nga historia e këtyre trevave iliro-shqiptare. Zoti Gjukanoviq mos kijë frikë nga gjuha shqipe dhe mos harro se Presidenti i Shteteve të Bashkuara George W. Bush e filloi fjalimin e tij në Tiranë më 10 qershor 2010 me përshëndetjen në gjuhën shqipe"Mirëdita". Mirëdita do me thënë "dobër dan".

Në qoftë se populli ynë e ka mësuar aq mirë gjuhën tënde dhe Ju keni detyre morale për ta mësuar gjuhën e tij. Për nderin, besën dhe burrërinë e shqiptarëve mund të mësoni nga shumë dijetarë tuaj e në veçanti nga Mark Milani e Millovan Gjillasi e shumë të tjerë. Dhe në mbyllje dua të citoj disa fjali të deputetit të  Kuvendit Federativ të Jugosllavisë, Peko Dapçeviq, i cili në fjalimin e tij pas demonstratave të Kosovës në vitin 1981, kishte thënë: "Më vjen turp kur vizitoj tokat shqiptare në Mal të Zi. Atje nuk është punuar asgjë. Atje nuk ka rrugë nuk ka rrymë dhe nuk ka ujë. Çdo gjë është e rrënuar. Atje mbëretëron një varfëri e madhe" Fadil Hoxha ishte ngritur për t'i dhënë dorën për fjalimin e guximshëm. Malazezi Dapçeviq i  kishte thënë: " Fadil kjo është detyra jote. Shko në pi..të së..(idi u pi...ma..)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat