Kosova në labirint

Opinione

Kosova në labirint

Nga: Mimozë Lakna Më: 11 dhjetor 2017 Në ora: 11:52
Mimozë Lakna

Luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar vazhdon të mbetet thirrja kryesore e përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovë. Këto thirrje, nuk po japin rezultat. Korrupsioni i ka rrënjët në sistemin e drejtësisë, andaj edhe po konsiderohet mjaft i vështirë luftimi i tij.

Afera “Pronto”, përbën kupolën e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Republikën e Kosovës. Përveç kësaj afere, me dhjetëra raste të tjera janë hapur në Gjykata, për të cilat është ndarë shumë pak drejtësi apo edhe nuk është ndarë fare.

Disa organizata vendore dhe ndërkombëtare kanë zhvilluar shumë aktivitete në kuadër të javës kundër korrupsionit.

Lufta kundër korrupsionit, vazhdon të mbetet edhe prioritet i Bashkimit Evropian sa i përket liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës.

Për liberalizim të vizave nuk nevojitet vetëm miratimi i marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e zi, por edhe luftimi i krimit dhe korrupsionit.

Institucionet e Kosovës nuk janë treguar të zonjat për ta luftuar këtë dukuri negative që po e “brenë” jetën shoqërore pak e nga pak.

Rezultate konkrete nuk po shihen as në qeverisjen aktuale e cila ka mbi 90 ditë që ka nisur punën. Për më tepër, kjo qeveri nuk dallon shumë nga ato paraprake sa i përket fenomenit të “nepotizmit”.

Ndonëse, kur ishte në opozitë, bënte thirrje për zvogëlimin e numrit të Ministrive, kjo qeveri, jo që nuk i ka zvogëluar, por e ka shtuar numrin e  Ministrive. Të mos flasim pastaj, për zëvendësministrat që janë bërë mbi  60.

Kështu, si pretendente për heqjen e vizave, para Bashkimit Evropian, Kosova do të paraqitet me një kabinet gjigant qeveritarë, me nepotizëm të theksuar dhe me një marrëveshje që tash e dy vite nuk po miratohet në Kuvend.

Kjo nënkupton se dy kushtet kryesore për liberalizimin e vizave të vendosura nga Bashkimi Evropian, nuk janë plotësuar nga shteti i Kosovës. Si rrjedhojë, qytetarët vazhdojnë të jenë të izoluar me fatin e tyre në duar të ambasadave. Përveç këtyre problemeve, politikanët në Kosovë nuk kanë ditur ta zgjidhin çështjen e Listës serbe, e cila vazhdon të kundërshtojë formimin e Ushtrisë.

Proceset politike në vendin tonë gjendën në një labirint, derisa politikanët nuk po tregohen të zotë që të gjejnë rrugën e duhur për qytetarët. Krejt kjo, për faj të kompromiseve që janë bërë e po bëhen në vazhdimësi.

Do të vazhdojmë të kemi seanca të Kuvendit, të përcjella me akuza e kundër akuza, me debate politike ndërmjet partive, por jo edhe rezultate konkrete në të mirë të qytetarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat