Diplomati kundër diktatorit: Richard Holbrooke në Ballkan

Opinione

Diplomati kundër diktatorit: Richard Holbrooke në Ballkan

Nga: Mentor Tahiri Më: 12 dhjetor 2017 Në ora: 08:21
Mentor Tahiri

Në Ballkanin e trazuar, që kur luftërat nisen nga fillimi i viteve 90-të, kanë ardhur diplomatë të shumtë. Të pajisur me dije diplomatike dhe një edukim shumë-disiplinar, ata megjithatë ktheheshin të mposhtur. Ky ishte fati i diplomacisë së Lordit Karington, Kutileiros, Vensit, Ouenit, Stoltenbergut. Doli se ishin të papërgatitur për “kuzhinën” ballkanike të situatave të pazgjidhshme, si dhe sidomos të papërgatitur për t’u përballur me papërgjegjësinë për fjalën e dhënë. Raporti i forcave diktonte që kjo papërgjegjësi të jetë e koncentruar në diktatorin serb Millosheviq.

Diktatori në Beograd kishte një “sharm” të tij mashtrues me të cilin kishte arritur shumëfish të bllokojë diplomacitë perëndimore. Shumica e diplomatëve që përballeshin më të, me apo pa qëllim i dhuruan atij kohë shtesë me të cilën i mundësuan të realizonte planet. Përderisa ushtritë dhe para-ushtritë e tij kryenin spastrimet etnike, si dhe duke shkatërruar çdo gjë para tyre po vizatonin kufijtë e një shteti “të pastër” etnik, ai po bënte manovrat e një lojtari të paqes dhe zhdërvjellshëm lehtë arrinte të imponohej si i tillë. Blofi, dinakëria, arroganca personale, vetëbesimi i tepruar, ishin kombinimi fatal i cili për vite me radhë i dha diktatorit përparësi ndaj diplomatëve të ndryshëm.

Kur Richard Holbrooke morri detyrën e kryenegociatorit amerikan në Ballkan, ky “sharm” i diktatorit filloi të mos funksionojë më. Holbrooke nuk kishte tolerancë për diktatorët. Me prejardhje nga prindër, familjet e të cilëve kishin gjetur shpëtimin në SHBA pasi kishin ikur nga dhuna në Evropën që po e shkelte nazizmi (babai polako-hebre, nëna gjermano-hebreje), ai i kishte të njohura përmasat fatale të cilat prodhohen kur diktatorët tolerohen.

Diplomati i cili tanimë kishte në bagazhin e tij të karrierës, Vietnamin, Marokon, Indonezinë, ishte i përgatitur për situata jokonvencionale dhe nuk besonte se takimet politike më burrështetas të lartë, ishin idilë e fjalës së dhënë. Takimi i parë i Holbrooke me diktatorin, i cili u zhvillua në gusht të vitit 1995, do të jetë vetë fillimi i fundit të diktatorit. Kjo periudhë do të shënojë edhe fillimin e sulmeve ajrore të NATO-s mbi caqe të caktuara të trupave serbe në Bosnje. Siç potenconte Holbrooke, në këto anë diplomacia ka sukses atëherë kur nga pak ndihmohet nga forca. Vetëm tre muaj pas angazhimit të tij, lufta gati katër vjeçare në Bosnje do të merr fund, ngase veç tjerash superioriteti ushtarak serb tanimë ishte neutralizuar. Mbi të gjitha, Holbrooke kishte neutralizuar hapësirën e manovrave politike të Millosheviqit.

Kjo tkurrje sistematike e kësaj hapësirë manovruese të diktatorit, do të përshkojë më vonë gjithë angazhimin lidhur me Kosovën. Marrëveshja e parë për Kosovën e Holbrooke me Millosheviq, e cila do të arrihet ne tetor të vitit 1998 mund të mos jetë dukur aq e rëndësishme fillimisht, por koha dëshmoi ndryshe. Ishte presioni diplomatik ai, i cili do të detyrojë Beogradin zyrtar të pranojë instalimin e Misionit Verifikues, trupës simpatike të paarmatosur të OSBE-së. Kjo për herë të parë do t’i mundësojë komunitetit ndërkombëtarë që nga afër të përcjellë zhvillimet e ashpra në Kosovë dhe së këndejmi të njihet me brutalitetin ndaj popullatës civile. Pa këtë prekje të realitetit, është e diskutueshme nëse do të kishte kaq vendosmëri perëndimore për të çliruar Kosovën.

Pas bisedimeve në Rambuje, nga të cilat pala serbe u tërhoq pa vënë nënshkrimin e saj në tekstin e marrëveshjes, shumëkush mund të ketë menduar se thjeshtë dështoi një përpjekje diplomatike. Millosheviq ishte mësuar që duke i braktisur bisedimet e tilla, t’i minojë ato. Kësaj radhe ishte ndryshe. Në një mision të fundit diplomatik para bombardimeve, kryenegociatori Holbrooke do të vizitojë Beogradin për t’i “dorëzuar” diktatorit, ultimatumin e fundit para se NATO të vihet në angazhimin e tij për Kosovën. Me 21 Mars 1999, Holbrooke assesi nuk la në Beograd një situatë të paqartë. Diktatorit i kishte bërë me dije se në rast se ai nuk firmosë marrëveshjen me të cilën parashihej vendosja e trupave ndërkombëtare në Kosovë, bombardimet do të fillojnë, siç edhe ndodhi vetëm pas tre ditësh. Vetë Holbrooke duke ditur se diplomatët shpeshherë mund të lihen të vetëm në betejën e tyre, më vonë pranoi se kështu veproi, vetëm pasi u konsultua me Pentagonin dhe u bind se ashtu vërtetë do të ndodhë.

Shqiptarët e Kosovës, atëbotë popullsia më e shtypur në Evropë, kanë shumë arsye që të mbajnë mend figurën e Holbrooke. Disa me romantizëm mbajnë mend vizitën e tij në Junik, si mysafir i UÇK-së, ulur në një “odë” në stilin tipik sipas traditës. Një kohë kjo, kur përvoja e Holbrooke në Bosnje, kishte bërë që diplomati të njeh mirë mënyrat e veprimit të diktatorit Millosheviq. Por, jo rrallë herë mund edhe të jemi hidhëruar në të për shkak të kompromiseve të cilat i impononte në tavolinë përpara palëve negociatore (ndërluftuese). Mund të mbahen mend edhe deklaratat e tij se SHBA-të nuk dëshirojnë ndryshimin e kufijve të Jugosllavisë (Serbisë dhe Malit të zi). Deklarata si kjo kishin fuqinë që të zbehin shpresat për një Kosovë të pavarur.

Më vonë u vërtetua se diplomati me përvojë çdo fjalë e thoshte në mënyrën e duhur, vetëm pasi të piqej edhe koha e duhur. Diplomati i cili qartë përfaqësonte administratën e SHBA-ve edhe kur vetë ajo ndonjëherë mund të mos ketë qenë shumë e qartë, gjë që ai e pranon në një paraqitje të tij, kishte shumë parasysh fuqinë që realiteti i krijuar në terren ka në formësimin e përgjigjes politike ndaj këtij realiteti. Koha e dëshmoi këtë. Kosova e pavarur është treguesi më i mirë i kësaj dëshmie.

Nga prizmi i sotëm mbase situata mund të trajtohet nga retrospektiva të ndryshme, por në kohën kur Holbrooke negocionte në Ballkan, situata ishte shumë më e komplikuar se sot. Richard Holbrooke në Ballkan, kishte gjithmonë misione të vështira. Në pamundësi të zgjidhjeve me anë të paqes, ishte diplomacia e tij ajo që po i bënte vend intervenimit ushtarak të huaj. Holbrooke këtë koncept e quante “bombat për paqe”. Sot, përtej rolit të tij në Dejton, Rambuje, por edhe më pas, Holbrooke mbi të gjitha duhet kujtuar si diplomati amerikan i cili me angazhimin e tij i dha fund “papjekurisë” diplomatike perëndimore për t’u konfrontuar me papërgjegjësinë ballkanike.

(Shkruar në përvjetorin e shtatë të vdekjes së Richard Holbrooke)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat