Dr. Rugova e dr. Berisha janë simbole për partitë e tyre, janë “Krishti e Muhameti” i tyre

Opinione

Dr. Rugova e dr. Berisha janë simbole për partitë e tyre, janë “Krishti e Muhameti” i tyre

Nga: Ramiz Lushaj Më: 12 dhjetor 2017 Në ora: 08:27
Ramiz Lushaj

Dy partitë shqiptare në Ballkanin Perëndimor, që i përkasin së djathtës, Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, i kanë simbolet e tyre: dr. Sali Berisha në Tiranë (edhe 5 vjet pas dorëheqjes) dhe dr. Ibrahim Rugova në Prishtinë (edhe 10 vjet pas vdekjes).

Këto dy personalitete panshqiptare ishin themelues e themeltarë të partive të tyre. Pa mëdyshje, pa tjetërsime, realisht e historikisht, në hipotekën e kohërave këto parti kanë emrat e tyre.

Këta të dy, për do kohë, nuk mundet t’i zëvendësojnë dhe as t’i mbrrijnë askush, pavarësisht traditës tonë  jo të mirë që në këso rastesh, ka’i’ herë, i vlerësojmë të vdekurit dhe i sulmojmë të gjallët.

Liderët pasardhës të këtyre dy partive duhet të kenë maturi e largpamësi në ruajtjen e raporteve të duhura me simbolet e partive të tyre, pasi mund të mos kenë suksese në elektoriadat e tyre dhe në rast se ata kanë qënë kryebashkiak të kryeqyteteve të tyre apo me grada e tituj shkenor deri akademikë.

Aktualisht PD e Shqipërisë, ndodhet pothuaj në kushte të atilla si LDK pas ikjes së Rugovës, kur u përplasën për kreun e saj presidenti i Kosovës, prof. Sejdiu  dhe  akademik Nexhat Daci – kreu i Kuvendit të Kosovës (i cili doli me parti më vete, LDD, po rierdhi prapë tek ama e amësia e vet), si dhe tevona e deri tashti, akademiku Isa Mustafa – kryebashkiak i Prishtinës e kryeministër i Kosovës. Këto përballje politike, ka’i’herë dhe revolucionare e, ndoshta, me reminishenca mesjetare, për të marrë “tapinë” partiake politike, i sollën LDK disa humbje elektorale apo, si të thuash, “fitore të Pirros”.

Në Tiranë, në PD, kundërshtarët përballës politik, të dalun publikisht këtë vit elektoral, të bashkuar e ndarë në skuadra në frontin ndaj kryetarit aktual Lulzim Basha (dy herë i zgjedhur me sistemin elektoral “Një antar – Një votë”) mendoj se nuk e kanë në tanësinë e vet lartësimin shkencor dhe as profilin politik të këtyre tre liderëve të LDK-së të Kosovës. Nuk e kanë as CV-në e Bashës. Jo vetëm se tashti Basha është i dyti  lider më jetëgjatë në krye të Partisë Demokratike, i shkolluar kohëplotë në Perëndim, i rritur me PD-në nga fillimet e deri më sot, pa ndrrue parti politike, i ardhur nga puna me kontribute në organizma ndërkombëtare në Kosovë, një ndër themeluesit e Ministrisë së Drejtësisë të Kosovës, ministër i Jashtëm i Shqipërisë në vitet e integrimeve të Shqipërisë e Pavarësisë së Kosovës, ministër i Brendshëm e i Transporteve të Shqipërisë, kryebashkiak i Tiranës. Ai erdhi në Këshillin Kombëtar si më i votuari ndër të gjithë, pas dr. Sali Berishës. Ai u zgjodh dy herë në krye të Partisë Demokratike me mbi dy të tretat e anëtarësisë së PD-së, pjesmarrës në votimet partiake të 2013-tës e 2017-tës.

LDK e Kosovës dhe PD e Shqipërisë, riardhjen triumfale në pushtetin politik e kanë të kushtëzuar dhe me faktin se si kryetarët e tyre aktual Mustafa e Basha do të mirëdijnë të mirësillen njerëzisht, politikisht e diplomatikisht, jo për “burrni amanetore” apo “kortezi politike e publike”, por për të marrë edhe “fuqi hyjnore” nga simbolet e tyre politike e biblike dhe me kauza, dr. Ibrahim Rugova e dr. Sali Berisha, për të përfituar nga emri i tyre piedestalor panshqiptar e trashëgimia e tyre hipotekore partiake.

Këta të dy, në një kuptim të caktuar, janë (si të thuash krahasimisht në simbolikë) Krishti e si Muhameti për këto dy parti politike, për LDK-në e Kosovës, për PD-në e Shqipërisë.

Përndryshe, përgjithnjë, për të gjithë lidershipin e për antarësi të këtyre partive, dr. Rugova e dr. Berisha, janë dhe tokësorët e jetësorët, janë ama e amësia, janë simbolet e tyre, të ilët e kanë lanë të hapur “Tabelen e Mendelejevit” në politikë për emra të rinj të vazhdimësisë deri në simbole, por kjo do’ punë e merr kohë.  

Kryetarët pasardhës të këtyre dy partive politike nacionale epokale, me histori kombëtare e politike, të antarësuara dhe në grupime politike partiake ndërkombëtare, e kanë për të detyrë t’i ruajnë e të ecin me simbolet e tyre, t’i kenë shembullim e frymëzim për të ri-gjeneruar në vazhdimësi energji pozitive tradite e bashkëkohore për Kombin tonë Shqiptar e aleatët e aleancat tona ndërkombëtare, pasi kur bien simbolet bie shumçka, bien dhe partitë drejt humbjeve e shuarjes politike, bien dhe liderët e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat