Prishtina ose iluzioni se liria asaj i vjen prej Tiranës!!!

Opinione

Prishtina ose iluzioni se liria asaj i vjen prej Tiranës!!!

Më: 14 dhjetor 2017 Në ora: 21:57
Enver Bytyçi

Në partinë fituese të zgjedhjeve të majit të këtij vit, në Vetëvendosje, ka ndodhur tashmë një konflikt i brendshëm politik. Nda debatet e derisotme, duket se konflikti qëndron midis dy grupimeve, që tashmë janë ndarë thellësisht më njëri-tjetrin. Albin Kurti, po përballet me një grupim tjetër siç duket të kryesuar nga Shpend Ahmetaj dhe kryetari actual, Visar Ymeraj.

Në analizën e zhvillimit të ngjarjeve konflikti midis këtyre dy grupimeve është i natyrshëm. Lideri themelues i Vetëvendosjes u largua nga drejtimi de jure i partisë, por nuk u largua de facto prej saj. Ndonëse i dorëzoi çelësat e zyrës së tij te Visar Ymeri, mbajti çelësat për postin e kryeministrit të vendit. Natyrshëm pushteti është shkak dhe motiv i mjaftueshëm për të shkuar drejt konfliktit të tillë. Historia është e mbushur me mijëra shembuj të kësaj natyre.

Shpend Ahmeti në mbyllje të fushatës elektorale akuzoi bashkëpartiakët e tij se kishin punuar kundër zgjedhjes së tij për kryetar të Komunës së Prishtinës. A ishte kjo një e vërtetë tjetër e hidhur për partinë që në maj fitoi vendin e parë në parlamentin e Kosovës?! Duhet besuar se kishte diçka të vërtetë në këtë akuzë. Kjo do të thotë se konflikti ishte thelluar.

Por le të vijmë të një realitet I vazhdueshëm që vjen e “trashet” vazhdimisht në Kosovë. Nëse vemë re përkrahësit e grupeve politike në Vetëvendosje shohim që në njërin krah janë pozicionuar të gjithë anëtarët e drejtuesit e Vetëvendosjes të “importuar” nga Shqipëria. Ndërsa në krahun tjetër nuk është rrjeshtuar asnjëri prej tyre. Një dukuri kjo që duhet të të bëjë të mendosh dhe të shkosh te një konkluzion I qartë, logjik dhe mësimdhënës.

Eshtë vështirë të përcaktohet se cili është roli i grupit “shqiptar të Shqipërisë” në luftën për pushtet në radhët e VV. Por është i dukshëm fakti se përqëndrimi i tyre si aktivistë dhe udhëheqës politikë në Prishtinë buron nga filozofia e bashkimit të shqiptarëve në një shtet të vetëm. Deri këtu nuk shoh asgjë të keqe. Megjithatë nuk mund të jemi aq naivë sa prapa flamurit kuq e zi të mos shohim dhe dëmet që ne ia shkaktojmë me ose pa dashje dogmat nacionaliste, aq më tepër kur ato keqpërdoren.

Fakti që në këtë konflikt shqiptarët e Shqipërisë janë bërë palë, do të thotë se ata kanë rol të caktuar në nxitjen e këtij konflikti. Kjo do të thotë se mençuria e vizionit të Ibrahim Rugovës që “Kosova të jetë e hapur (e pavarur, shenimi im) nga Serbia e njëkohësisht nga Shqipëria”, nuk ka qenë një vision thjesht për konsum publik ndërkombëtar, por parathënie e një realiteti të trishtë, që paralajmëroi një marrëdhënie problematike midis shqiptarëve në anën e kufirit shqiptaro-shqiptar. Megjithatë ka jo pak politikanë, intelektualë, akademikë, biznesmenë dhe “spiunë”, nga Shqipëria, të cilët kanë mundur ta shfrytëzojnë “inferioritetin” e Prishtinës e të Kosovës që këta të fundit t’I nënshtrohen një marrëdhënieje vartësie dhe paternaliste të shqiptarëve të Shqipërisë. Në shumicën e rasteve kur shqiptarët e Shqipërisë, përfshirë dhe politikën aktuale, kanë futur duart në proceset e zhvillimit të brendshëm në Kosovë, Kosova dhe institucionet e saj kanë dështuar të ndërtojnë një të ardhme të sigurt për veten e tyre.

Në Shqipëri shpesh herë spekullohet me Kosovësn. Dikush dëshiron kapital patriotik e për këtë përdor Kosovën. Dikush tjetër e ndërton marrëdhënien në pamje “vëllazërore” për të investuar capital politik dhe paratë e pista në territorin e Kosovës. Të tjerë “shqiptarë të Shqipërisë” shesin trurin” si këshilltarë të presidentit, kryeministrit, kreut të parlamentit, zv. kryeministrave dhe ministrave, edhe pse pas vitit 1999 kanë mësuar hartën dhe demografinë e Kosovës. Të gjitha këto kalkulohen si garanci e lidhjeve politike në dy anët e kufirit, me qëllim jo konsolidimin e shtetit të Prishtinës e aq më pak të kombit shqiptar, por krijimin dhe ruajtjen e lidhjeve të nëntokës së politikës.

Askush në Shqipëri nuk e ka mendjen te ajo çfarë bëhet për shtimin e njohjeve të reja për Kosovën, ndryshe nuk do të mirrte kaq shumë revansh Beogradi për të çvleftësuar njohjet e deritanishme. Kurrkujt diplomatët e politikanët shqiptarë nuk i thotë një fjalë në dobi të shtetësisë së Kosovës, përveçse deklaratave patriotike me qëllim tredhjen e trurit të shqiptarëve në Ballkan. Ndërkohë ka një investim të jashtëzakonshëm për të deleguar emisarë politikë e tregtarë në institucionet e Kosovës. Dhe më e çuditshmja është se punësimi i tre zv. ministrave nga Kosova në qeverinë e Shqipërisë shitet si reciprocitet me emisarët e punëve të pista që dergohen nga Tirana. E gjitha ajo që na propagandohet si bashkëpunim përmes emërimit të shqiptarëve të Kosovës në institucionet tona në fund shkon për lesh. Ata vetë e shohin se askush në administratën shqiptare nuk është i interesuar të bëjë diçka serioze dhe me mend në dobi të bashkëpunimit midis dy shteteve. Thjesht një shou, për të mbuluar projektin e mosbashkëpunimit me Prishtinën.

Dhe Prishtina, si të jetonte ende kohën e izolimit komunist në padijen e vet për atë çfarë përfaqëson Tirana për ta, vazhdon e beson se “çlirimi” i dytë, njohja ndërkombëtare do t’i vijë nga Tirana?! Nëse Prishtina prêt ende që fara e lirisë së saj të mbillet në Tiranë, ajo në fund do të korrë furtunën dhe jo frytet e lirisë e të shtetësisë së saj, sepse do të jetë viktimë e një iluzioni të madh!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat