Dështimi i Thaçit në integrimin e serbëve

Opinione

Dështimi i Thaçit në integrimin e serbëve

Nga: Arben Sylejmani Më: 15 dhjetor 2017 Në ora: 09:20
Arben Sylejmani

Betimi i kryetarëve dhe këshilltarëve në nëntë komunat që udhëhiqen nga Lista Serbe duke mos u thirrur në Ligjet dhe në Kushtetutën e Kosovës tregon se integrimi i serbëve në institucionet e Kosovës, len për të dëshiruar.

Ish-kryeministrit, Hashim Thaçi me idenë e integrimit të serbëve lokale në institucionet e Kosovës, pranoi të hyj në bisedime me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës, ku si pasojë e këtyre bisedimeve qeveria e tij nënshkroi disa marrëveshje të dhimbshme që e rrezikojnë shtetësinë e Kosovës.

Plus këto marrëveshje të dhimbshme për shtetin e Kosovës u nënshkruan me garancinë e Bashkimit Evropian që zyrtarisht ka status neutral ndaj pavarësisë së Kosovës.

Kurse, njëra nga këto marrëveshje të dëmshme për vendin është ajo e fusnotës, sepse përmes saj Thaçi pranoi që Kosova të përfaqësohet në takime rajonale me dokumentin 1244 që thotë se Kosova është pjesë e Serbisë dhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.

Por, Thaçi dhe këshilltarët e tij juridik nuk e menduan një gjë apo nuk deshën të mendojnë se Rezoluta 1244 është akt juridik, kurse mendimi i GJND-së, është vetëm një opinion ku thotë se Kosova ka pasur të drejtë të shpallë pavarësinë e Kosovës. Pra, nëse vihen në peshore Rezoluta 1244 me mendimin e GJND-së, patjetër që më shumë peshon kjo e para.

Për hirë të integrimit të serbëve, Thaçi pranoi që të nënshkruaj edhe marrëveshjen e vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Kjo marrëveshje përmban 15 pika. Në njërën prej tyre është edhe themelimi i një Asociacion të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që për shumë juristë ne vend është e ngjashme me Republikën Serbe në Bosnje, vetëm që relativizohet në emër.

Kjo marrëveshje çoi edhe në miratimin e Ligjit për amnistinë. Sipas ish-kryeministrit Thaçi ku dokument kishte për qëllim integrimin e pjesëtarëve të strukturave serbe në veri në institucionet e Kosovës.

Në ligjin për amnistinë përfshin, “sulmet mbi rendin kushtetues të Kosovës, kryengritja e armatosur, cenim të tërësisë tokësore, spiunazh, kalim të paligjshëm të kufirit, kontrabandës me mallra, shmangien e taksave, dëmtimin e pronës, zjarrëvënien” etj.

Por, pavarësisht kësaj zemërgjerësie ndaj tyre, serbët në Kosova po vazhdojnë të mbajnë qëndrimin e tyre kundër shtetit të Kosovës, dhe betimi i kryetarëve dhe këshilltarëve nga ky komunitet duke mos e përmendur tekstualisht kushtetutën e Kosovës tregon se marrëveshjet e dëmshme që i nënshkroi Thaçi në Bruksel, përshpejtuan rrugën e Serbisë për anëtarësim në BE, por jo integrimin e serbëve në institucionet e shtetit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat