Ramush, prej nga je ti?

Opinione

Ramush, prej nga je ti?

Sinan Kastrati Nga Sinan Kastrati Më 16 dhjetor 2017 Në ora: 07:41
Ramush Haradinaj

 Kështu e ka kur s`të pyet askush, edhe nëse je ”zot shtëpie”.

Ramush Haradinajt, i vjen mirë që të gjitha partitë janë bashkuar për të ndryshuar qeverisjen e keqe të LDK-së në Istog e i vjen keq që Isa Mustafa i ka lënë pa asgjë fëmijët e Presidentit Rugova. Ai nuk ndalet duke iu qajt ”hallin” fëmijëve të ish presidentit Ibrahim Rugova.

”shikoni si ia kanë pru punët fëmijëve të presidentit, a u kanë mirë me lanë djalin pa kurrgjë, pa send; për vete nuk janë pa kurrgjë”.

Merre me mend kryeministri ”i jonë”, nuk kujdeset as për familjarët e vetë, sepse hallin e ka se si ta ndihmon popullin e t'i rehatojë të tjerët.

Ramushi as që e ka ditur se burrin e motrës ia kanë marrë në punë. Ai për ketë kishte marrë vesh nga mjetet e informimit (?).

Ramush, a ta merr mendja se të beson kush për këto që t'i po thua për dhëndrrin dhe Ukën, djalin e Ibrahim Rugovës?  

Pse ti Ramush pse nuk e more Ukën si zëvendës kryeministër sikurse që e more Dardan Gashin? As Dardani nuk i marrë votat e as nuk ka qenë ”i angazhuar” në asnjë parti politike qysh se kur e kanë lënë ”Listën”. Edhe ashtu nuk ishte bërë kiameti pse ish shtu ”edhe ni lugë”, s`ish marrë vesh për në njeri ”s`i ke, si s`ke”.

Po Teuta Rugova ku është Ramush?  A nuk është ajo motra e Ukës? Teuta, deputetja “e LDK-së” që këto 100 ditët e tua si kryeministër, s´e pam asnjëherë në Kuvend.

Për Mendimin nuk dua me folur as edhe një fjalë. Ai i ngrati veç pakëz ishte si zëvendës ministër në qeverinë e Mustafës.

 Ramush, shtye e punëso sa të mundesh se njëherë të vjen “vera kah dera”.

Fëmijët e Ibrahim Rugovës, Uka e Teuta kanë me mbetë gjithmonë fëmijë e ti merri për dore, bashkë me dhëndërrin tënd e me Dardanin ”theju qafën” në ndonjë vend në qeveri, Kuvend apo dikund tjetër. Mos ”e harro” Astritin e Nexhat Dacin, gjeju edhe atyre ndonjë punë!

Je i vetmi kryeministër që nga Hashimi, Bajram Rexhepi e prapë Hashimi e Isa që më së shumti je ”kujdesur” për ”fëmijë” dhe familjen e Ibrahim Rugovës.

Këso kryemintër i duhet Kosovës që mendon edhe për të tjerët, për ”fëmijë jetima”, pa shtëpi e kulm mbi kokë e familje skamnorësh. Në fund të fundit nëse edhe kryeministri nuk interesohet me i ndihmuar këto shtresa të popullsisë, kush duhët tjetër?

Punët tjera i ke ba fet, veç merru me punë t`huaja. Të kuptoj se ke dhënë shumë premtime e ke folur shumë fjalë të mëdha për demarkacionin, për vizat e për ushtrinë, por mars meseci vjen sa hora që t'i iu premtove ”myhybit” tënd se edhe para Marsit 2018 Kosova do të ushtrinë ”FARK-un”, pardon, FAK-un e vizat.

Para teje, disa vjet më parë, Hashimi i ka thënë të njëjtat fjalë. Ai ka shkuar edhe më ”larg”, deri te ”Molla e kuqe” duke thënë se nëse nuk bëhemi me ushtri deri në fund të vitit 2017, kam me dhënë dorëheqje.

Vallahi Ramush, kur është puna te dorëheqja, këtu ti e Hashimi ”i hani fjalët”.

Ti së pakut nuk the si artaku yt, Hashimi. Mirë ke thënë edhe ti e ai se ndoshta edhe ti bëhesh kryetar, pas Hashimit, hiç s`i dihet. Po nuk ke faj se karriga e kryeministrit dhe e kryetarit është e butë dhe mban ”burrat ” deri 300 okë.

Ramush prej nga je ti s`e harrova e ku po jetojmë ne?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat