E diela ekologjike - Bota Sot
E diela ekologjike

Opinione

E martë, 23 janar 2018

E diela ekologjike

Nga: Prof. dr. Zeqir Veselaj Më: 17 dhjetor 2017 Në ora: 14:36
Prof. dr. Zeqir Veselaj

Duke qenë njëri ndër njohësit e fushës së mjedisit dhe një nga ambientalistët e devotshëm të ktij vendi nuk dua që të kuptohem se jam kundër heqjes së qymyrit nga përdorimi. Bile sa më shpejtë aq më mirë. Unë nuk e kam përdor asnjëher sa për dijeni. Por si një njohës i problemeve të mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm mendoj se koncentrimi i të gjitha përpjekjeve të Ministrisë në idenë e ndalimit të qymyrit nga amvisnitë dhe zëvendësimin me dru është nisje për zgjidhjen e problemeve nga bishti. Ideja për një vendim të tillë, në kushtet aktuale nuk ndihmon shëndetin publik, nuk e ul ndotjen, rëndon buxhetin e  qytetarit, është i pa-analizuar shkencërisht, i pabazuar në politikat zhvillimore dhe mund të prodhoj pasoja edhe më të rënda degraduese për mjedisin.

Fillimisht e mora si një ide të një personi politik që e ka lansuar në një intervistë televizive me qëllimin më të mire dhe për një kohë afatmesme. Pasuan reagimet nga më të ndryshmet por me një emërues: ide e mirë por e parealizueshme. Megjithatë gjatë kësaj kohe fjala kyqe e punë së MMPH së paku në media është bërë ndalimi i përdorimit të qymyrit për ngrohje dhe zëvendësimin me dru.

Druri nuk është lëndë ngrohëse e pastër

Qymyri bën pjesë në lëndët djegëse fosile me karbon të lartë (shkarkon sasi të mëdha të ndotësve primar në ajër e sidomos dikosid të karbonit si gazi kryesor me efektin serrë). Edhe druri është po aty. Madje kur druri përdoret në mënyrë jo të qëndrueshme (Kosova as që e ka idenë e qëndrueshmërisë) del të jetë më ndotës se sa qymyri. Një argument: për fitimin e 1kW/h energjie nga ligniti, lirohen 0.36 kg CO2 (qymyr-guri edhe më pak). Për të njëjtën sasi energjie nga druri lirohen 0.39kg CO2 (Burimi: https://www.volker-quaschning.de/datserv/CO2-spez/index_e.php). Kjo matematikë nuk e jep drurin si zgjidhje për zëvendësimin e qymyrit?.

Është hera e parë që një ide anakronike si kjo më ka vënë në anën e një agjencie që është sinonim i dergradimit natyror të Kosovës së pasluftës, respektivisht Agjencisë Pyjore të Kosovës. Me të drejtë nuk po e përkrahin në këtë ide. Sipas të dhënave zyrtare, pyjet e Kosovës nuk i plotësojnë nevojat e popullatës për dru edhe me këtë kontribut të qymyrit në ngrohje. Prandaj edhe çmimi i metrit kub dru është kaq i lartë. Në situatë të tillë të orientosh djegien e drurit si zëvendsim i asaj me qymyr është si “të biesh nga shiu në breshër” si thotë populli. Dihet shkencërisht se pyjet tona s`mund të prodhojnë biomasë sa është nevoja e qytetarëve të këtij vendi.

Dokumentat strategjike nuk e kanë as si masë të propozuar e lëre më prioritet

Ndalimi i përdorimit të qymyrit nga amvisnitë për aq sa kam konsultuar dokumenta strategjike nuk figuron në asnjë nga politikat energjetike e as mjedisore për dekadën e ardhshme. Përkundrazi të gjitha ato dokumenta, bazë të resureve energjetike e kanë lignitin. E kemi resurs bazë, jemi shumë të pasur me të dhe për të cilin mund të vlejë ajo që njihet si “mallkimi i resurseve”. Vendime të tilla kërkojnë bazë strategjike dhe periudhë adaptimi. Si për ters ndaj idesë, qeveria nënshkroi marrëveshjen për ndërtimin e termocentralit të ri, tymtarët e të cilit për disa ditë operimi do emitojnë në ajër aq sa emitojnë tymtarët e qytetarëve për krejt sezonën e ngrohjes. Konsideroj që veprimet e para duhet të orientohen kundrejt ndotësve të mëdhenj (KEK-u, Ferronikeli etj.) dhe jo ndaj qytetarit. Duhet të merren njëher tymtarët e mëdhenj mbi qytete para tymtarëve të vegjël mbi shtëpia e lokale.

Parimin e zhvillimit të qëndrueshëm e kemi si parim udhëheqës në gjithë legjislacionin për mbrojtjen e mjedisit. Ai zhvillim merr parasysh përveç aspektit mjedisor edhe atë ekonomik dhe social. Një ambientalisti ortodoks i lejohet të konsideroj vetëm mjedisin për kauzën e vet. Një vendim-marrës duhet t`i ketë para vetes të tri shtyllat kur merr vendime. Këto dy të fundit: nevojat sociale dhe ekonomike duket se nuk konsiderohen fare. Nuk besoj se ka qytetarë të Kosovës që nga qejfi e përdor qymyrin me gjithë atë pluhur, erë, përgatitje në thasë e në qese? E pra gjendja ekonomike, xhepi i cekët dhe çmimi i lirë i shtyn ta përdorin. Llogariteni sa kohë e financa do ju duhet qytetarëve që teknikisht të kalojnë nga qymyri në resurse tjera.

Zhvillimi i qëndrueshëm merr për bazë nevojat e sotme por edhe nevojat e gjeneratave pas nesh. Llogariteni nëse ju lëshohemi pyjeve sot për ta zëvendësuar qymyrin, a do të mbetet diçka nga pyjet për ata që do vijnë pas nesh. Shpyllëzimi sa për dijeni është faktori i dytë bashkë me djegien e lëndëve fosile që po shkakton ndryshimet klimatike në Tokë. Si përvojë se çka mund të ndodh po ju përkujtoj që ndalesa e eksploatimit të rërës dhe zhavorrit, hapi shumë vrima kanceroze (siq i quaj unë gurëthyesit) në truallin pyjor të Kosovës tonë të bukur. Nëse ndalohet qymyri e pritshme se do rritet shpyllëzimi nga prerjet.

Epilog

Nëse puna e qeverisë së re në fushën e mjedisit u fillua me këtë ide sa për të mbushur mediat me lajme, ajo është arritur. Me sa di vendim nuk është marrë dot. Nuk merret sepse është i pazbatueshëm dot në rrethanat ku po kalon Kosova. Ekspertët mjedisor që unë i njoh ende nuk kanë qenë pjesë e tryezave për një vendim të tillë. Në ministri ka ekspertizë, por ajo është shumë e vogël për vendime kaq komplekse. E edhe më pak aty ka kapacitete për zbatimin e tij. OJQ-t mjedisore, nuk e zëvendojnë ekpertizën pavarësisht fondeve. Ato kanë rol krucial në fushatat vetëdijësuese. Cilësia e ajrit nuk rregullohet me fushata, po me vendime të mençura, të analizuara mirë e të bazuara në ligje e politika të qëndrueshme.

Ka shumë hapa tjerë për ta përmirsuar cilësin e ajrit dhe mjedisit të Kosovës në përgjithësi. Bile edhe më të thjeshtë se kjo që është lansuar. Kjo e qymyrit në amvisni është kah mesi i listës. Po të konsultoheshin ekspertët, sigurisht do të rekomandonin zgjidhje më efikase për mbrojtjen e mjedisit në Kosovë.

Autori është Ligjërues në UP

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test