Sa për kujtesë qeverisë shqiptare dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë

Opinione

Sa për kujtesë qeverisë shqiptare dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë

Nga: Prof.dr. Eshref Ymeri Më: 18 dhjetor 2017 Në ora: 06:18
Prof.dr. Eshref Ymeri

Përmes internetit, u njoha me vendimin e qeverisë shqiptare të 17 dhjetorit 2017 për nderimin e ushtarëve grekë që u vranë në territorin shqiptar gjatë luftës italo-greke, nderim ky që do të konkretizohet me ngritje varrezash të reja. Një vendim i çuditshëm ky, si edhe ai i qeverisë së mëparshme shqiptare që pranoi kërkesën greke për ngritjen e varrezave ekzistuese. Tirana zyrtare, para se të merrte vendime të tilla, paraprakisht duhej t’i kishte shtruar vetes pyetjen:

“Po për eshtrat e ushtarëvë italianë që u vranë në territorin shqiptar gjatë luftës, qeveria italiane pse nuk kërkoi ngritje varrezash dhe memorialesh në territorin shqiptar, por i tërhoqi ato në territorin e vet?

Po ç’qëndrim mbajtën ushtarët grekë kur hyn në territorin shqiptar gjatë luftës italo-greke?

Ja si i përgjigjet kësaj pyetjeje historiani i njohur Prof.dr. Beqir Meta

“Pushtimi italian i Greqisë filloi më 28 tetor të vitit 1940…Duke shfrytëzuar terrenin e thyer dhe organizimin e dobët të sulmit italian, forcat greke e thyen shpejt atë dhe në mesin e nëntorit kaluan në kundërsulm. Më 22 nëntor grekët pushtuan Korçën, më 6 dhjetor Sarandën  dhe më 8 dhjetor Gjirokastrën…U vërtetua një veprim sistematik dhe i qëllimshëm i shkatërrimit të kishave dhe të xhamive të shqiptarëve në zonat ku u fut ushtria greke. U dëmtuan dhe u shkatërruan të dyja kishat ortodokse shqiptare në Rehovë, kishat në Selenicë, në Mileci, në Plasë, në Ersekë, në Boboshticë, në Dardhë, në Kapshticë, në Voskop, në Turan, Katedralja Ortodokse, kisha e shën-Trinisë dhe pallati i priftërinjve katolikë në Korçë, katedralja e shën-Marisë dhe kisha e shën-Kollit në Drenovë; kuvendi shën-Ilia në Vloçisht dhe 11 kisha ortodokse në Voskopojë. Grekët shkatërruan edhe xhamitë e Ersekës, të Vloçishtit, Pogradecit, Turanit, Leskovikut, Mborjes, Floqit, Zvezdës dhe të Gjonomatit. Kjo e fundit u shndërrua nga grekët në stallë kuajsh” (Prof.dr. Beqir Meta. Tensioni greko-shqiptar. 1939-1949. Shtëpia Botuese GEER. Tiranë, 2002, f. 50-51).

Me këtë qëndrim që kanë mbajtur brenda tokës shqiptare, ushtarët e vrarë grekë, a e meritojnë që eshtrat e tyre të nderohen me ngritje varrezash dhe memorialesh në territorin e Republikës së Shqipërisë?

Me vendimet që ka marrë për nderimin e ushtarëve grekë, Tirana zyrtare e ka flakur Çështjen Çame në humnerën e harresës së madhe. Mendoj dhe kam bindjen se çdo shqiptari me vetëdije të lartë kombëtare, nuk mund t’i fshihet nga kujtesa amaneti i Napoleon Zervës:

“Vdes i qetë se bëra atë që doja. Pas lashë rrëke gjaku, tym, blozë, gërmadha, ulërima fëmijësh, nuse dhe gra të zhveshura, që futeshin në furrat e ndezura, që të mos pillnin më shqiptarë, burra të varur, shpuar me bajonetë, gjuha shqipe nuk do të flitet më në tokën helene. Kjo më kënaq mua, ashtu siç kënaq tërë shpirtrat helenë!”. (Citohet sipas: “Ja amaneti që la Napoleon Zerva, gjenerali famëkeq që masakroi qindra shqiptarë”. Faqja e internetit “VOAL”. 01 janar 2017).

Nuk jam i sigurt nëse Tiranës zyrtare i ngjall ndopak emocione ky amanet i Napoleon Zervës dhe mungesa e varrezave dhe e memorialeve në Greqi, në nderim të vëllezërve tanë çamë, të cilët shteti grekë i vrau dhe i masakroi aq barbarisht në trojet e veta amtare në Çamëri.

Indianapolis, Indiana

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat