Fëmijët parashkollorë në qendër të kujdesit!

Opinione

Fëmijët parashkollorë në qendër të kujdesit!

Nga: Prof. Eroll Velija Më: 19 dhjetor 2017 Në ora: 15:07
Prof. Eroll Velija

Fëmijët përfshijnë një botë të madhe sociale dhe edukative si dhe një detyrim të madh edukativ dhe prindëror. Kjo, sepse fëmija fokuson dhe “regjistron” sjellje dhe qëndrime të ndryshme duke filluar nga ato të bashkëmoshatarëve, të prindërve dhe familjarëve brenda shtëpisë dhe tek edukatorët e tyre. Fëmijët 6 vjeçar, për shembull, bëhen të aftë në përshtatje me këto sjellje dhe komunikime, ata bëhen aktiv dhe, midis të gjithë këtyre aktorëve dhe faktorëve, lind një bashkëpunim i nevojshëm praktik. Padyshim, që aftësitë dhe mendja e tyre rritet dhe përpunohet ngadalë, por çdo ditë tek ata pasqyrohen gjurmë dhe zhvillime të reja, realiteti dhe shoqëria, familja, edukatorët lënë gjurmët e veprimit dhe punës së tyre te këta fëmijë.

Siç pohojnë studiuesit, zhvillimet nuk realizohen në mënyrë të menjëhershme, ato rriten shkallë-shkallë, sidomos në vitet ndërmjet moshës 3 dhe 5 – vjeçare dhe marrin hove të mëdha në vitet e mëvonshme. Madje zhvillimi social i parashkollorëve është tepër mbresëlënës dhe të entuziazmon kur i sheh në reagimet dhe veprimet e tyre. Pra zhvillimi social edukativ i fëmijës, si çdo aspekt tjetër i zhvillimit të parashkollorëve, kushtëzohet dhe ndërvaret nga konteksti ku ai ndodhet dhe rritet. Në të gjithë këtë vlerë social edukative, merr rëndësi të veçantë edhe familja, praktika edukative që përdorin prindërit me fëmijët e tyre. Çdo veprim i prindërve nuk kalon pa u vënë re nga fëmijët, kështu që tek ata ndizet interesi dhe kureshtja, lindin pyetje dhe ndjenja të habitshme të cilat doemos kërkojnë përgjigje të drejta, jo të ndërlikuara dhe thjeshtë moralizuese, por veprime dhe bashkëbisedime të sakta, të menduara dhe të shprehura thjesht e qartë. Prindërit i trajtojnë fëmijët dhe detyrimet ndaj tyre në mënyra të ndryshme, por siç mësojmë nga sociologët, katër stilet e rritjes së fëmijëve janë përcaktuar qartë si autoritar absolut, indiferent, liberal (lejues), autoritativ.

Prindërit autoritar absolut janë tepër kërkues, ushtrojnë një kontroll të fortë mbi sjelljen e tyre. Fëmijët e prindërve autoritar shqetësohen me lehtësi dhe manifestojnë sjellje të paqëndrueshme, shprehin agresivitet dhe kryejnë veprime që shqetësojnë familjen, mjedisin dhe edukatorët e tyre. Natyrisht studiuesit e përcaktojnë këtë lloj edukimi si stil gjysmak, i cili jo vetëm që nuk nxit zhvillimin social edukativ, por i largojnë këta fëmijë nga pjesëmarrja aktive në shoqëri, ata mbyllen në vetvete dhe janë vazhdimisht të acaruar. Ndërsa, siç pohojnë studiuesit, prindërit e fëmijëve liberal janë të dashur dhe emocionalisht të ndjeshëm ndaj vendosin shumë pak kufizime në sjelljen e fëmijëve të tyre. Kujdesi Fëmijët parashkollor në qendër të kujdesit. Fëmijët e këtyre prindërve janë më kureshtar, më me besim në vetvete, më të pavarur. Gjatë viteve të tij parashkollorët lëvizin mjaft lirisht brenda dhe jashtë tri botëve që përkojnë pjesërisht me njëra – tjetrën: shtëpi – shkollë dhe fqinjësia.

Këtu, prindërit mbeten të rëndësishëm, por këto grup mosha harxhojnë sasi kohe në rritje me më të rriturit, duke qenë vëzhgues të sinqertë apo ndonjë rast mbartës të veprimeve negative nga të rriturit. Psikologët kanë zbuluar se me pjekurinë e fëmijëve ndryshon edhe kuptimi i shoqërisë për ta. Deimen Damon (1977) ka parashikuar me saktësi tre nivele të shoqërisë, por miqësitë mund të fillojnë e të marrin fund shpejt bazuar në veprimet e dashamirë- sisë, ose dashakeqësisë( Bardhyl Musai 1999). U del detyrë edukatoreve të kopshteve që veprimet e çastit të jenë të vetëdijshme se, këto qëndrime që ndryshojnë me shpejtësi janë një pjesë normale e zhvillimit. Fëmijët në shoqërinë moderne, kopshtet dhe mjedisi për rreth i ofrojnë fëmijës një grup sfidash të reja që duhet të baras peshohen me ato në shtëpi. Këtu forcohet shumë bashkëveprimi me të rriturit. Në këtë fazë fëmijët kërkojmë konfirmim nga prindërit dhe të rriturit e tjerë, që iniciativa e tyre të praktikohet. Prindërit duhet të ecin mbi një rrugë të menduar mirë dhe duke u këshilluar me literaturat shkollore, me specialistë psikologë dhe me eksperienca që janë të shumta dhe të bollshme për edukimin e mirë social të një fëmije.

Pedagogjia dhe studiuesit këshillojnë që prindërit duhet të jenë gjithmonë mbrojtës për fëmijët e tyre, por jo ta teprojnë. Në se prindërit arrijnë përfundimisht këtë ekuilibër kjo ndihmon jashtëzakonisht në formimin e një gjendje mendore dhe fizike mjaft të mirë dhe të ekuilibruar të fëmijës, ata bëhen të dashur, të ditur dhe të vlefshëm. Këtë detyrë edukatoret e kopshteve e bëjnë pa u lodhur, pa zhurme, me seriozitet me përkushtim. Janë këta breza edukatoresh që fëmijët gjejnë ngrohtësinë ,mirësinë dhe humanizmin. Janë me dhjetëra edukatore kopshtesh, që vazhdojnë të punojnë me përkushtim në profesionin e tyre, që të ngelin në mendje edhe të ngjallin respekt për punën që bëjnë, për përpjekjet dhe përkushtimin që tregojnë për vendet që kanë në shoqëri, për misionin e tyre të madh dhe fisnik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat