Albin Kurti apo Dardan Molliqaj për kryetar të Vetëvendosjes!?

Opinione

Albin Kurti apo Dardan Molliqaj për kryetar të Vetëvendosjes!?

Nga: Faton Mehmeti Më: 20 dhjetor 2017 Në ora: 12:49
Faton Mehmeti

Në shoqëritë e pa civilizuara partitë sillet rreth liderit e jo lideri rreth partisë. Kjo edhe ngërthen në vete peshën e përgjegjësisë, dhe mundësinë e shpërbërjes kur lideri me nuk është aty. Kështu ka ndodhur gjatë historisë së popullit shqiptar dhe kjo dëshmon se shqiptarët kanë identifikuar partitë me liderin dhe jo liderin me partinë. Pa dashur t’i futem retrospektivës, po ndalemi tek rasti i fundit në VETËVENDOSJE !

Mjaftoi një “shkëndijë që të ndizet një mal”, kjo edhe falë gjendjes së terrenit ishte i gatshëm dhe mezi po priste shkëndinë. Një mesazh në viber u bë sebep që të dalin në sipërfaqe të gjithë ambiciet brenda VV-së. Kjo është krejt normale që të synojë dikush të marr edhe bajrakun e partisë, por janë disa gjëra që duhet shpjeguar. Askush nuk kishte besuar se Albin Kurti, themelues dhe simbol i LVV-së ka më tepër kundërshtarë brenda partisë së tij se sa tek të tjerët. Mbase, askush nuk e vuri re rolin e SHBA-ve në reformimin e LVV-së, e cila ka filluar pikërisht pas kontakteve të Albinit me Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, veçanërisht pak para fillimit të zgjedhjeve nacionale me 11 qershor. Albini filloi të jepte shenjat e para të reformimit dhe ndër sugjerimet e SHBA-së për z.Kurtin ishte të largonte eksponentët e radikalizmit brenda LVV-së për të marr  mbështetjen e SHBA-së.

Ndër njerëzit që përmendeshin si më radikal ishte Dardan Molliqaj, që rezultoi pastaj me largimin e tij nga posti i sekretarit të LVV-së. Këtu ishte kthesa e ndarjes së bashkëdyzimit të LVV-së në parti më moderne, duke u munduar të jepte pasqyrë evropiane. Pastaj ka filluar rreshtimi në mes të krahut të Albinit dhe Dardanit, i dyti i prirur për të dëmtuar të parin që rrjedhimisht do e faktorizonte këtë të fundit. Kanë krijuar së paku dy grupe, të cilat kanë përjashtuar njëra-tjetrën. Grupi në drejtim ka përdorur metodën e përjashtimit në heshtje. Të dy këto grupe në përgjithësi ose me përjashtime të rralla, kanë vënë në themel të qëllimeve të veta interesin personal, familjar ose klanor. Ndonëse Albini është emblemë dhe mit në LVV, u zgjodh pikërisht koha kur ishte në burg që të fillonte i gjithë ky lëmsh.

Në fakt kjo vetëm sa e faktorizoj Albinin që gjithsesi nuk krahasohet me askënd në LVV. Tani LVV është në rrugë ose të filtrohet ose të bashkohet përsëri. Por, bashkimi i LVV-së dhe grupeve të saj është imperativ dhe domosdoshmëri. Sa më shpejt, aq më mirë! Por, bashkimi i të gjitha grupeve kundërshtare të kësaj partie nuk duhet të bëhet për të mbështetur Albinin ose Dardanin për kryetar. Bashkimi do të duhet të ketë në themel një platformë për reformimin e partisë më të madhe opozitare. Por, duket së një bashkim i shpejtë do të jetë i vështirë, në mos i pamundur. Kjo ngase bindjet politike janë shndërruar në inate përsonale, e që vjen si pasojë mungesës së debatit të brendshëm për t’i debatuar të gjitha shqetësimet e anëtarëve të saj. I ra hise Aida Dërgutit të hapte “ Kutinë e Pandorës”, duke e pësuara ajo e para.

Rasti i fundit i LVV tregon se partitë politike tek ne janë të centralizuara tek lideri, dhe me ikjen e tij (edhe të përkohshme) fillojnë të dalin në sipërfaqe pakënaqësitë  të cilat nuk guxojnë t’i flasin hapur kur lideri është në “shtëpi ” . Një gjë është e sigurt se LVV më asnjëherë nuk do jetë siç ka qenë, disa njerëz nuk kanë më fytyrë me i dal përpara “ atij m….”, kur ai të jetë përsëri jashtë burgut.

LVV ose të reformohet së shpejti, ose do pësoj shumë keq. LVV është në duart e Albin Kurtit, Dardani nuk ka shanse të bëhet kryetar partie, vetëm nëse Albini një ditë bëhet president, ndryshe jo. Andaj ose të pajtohet Dardani për të qenë një anëtar i kryesisë ose të themeloj një parti për të qenë kryetar. Gjithsesi problemi qëndron tek mendësia ballkanike shqiptare, ku ndjesia e inferioritetit karshi tjetrit pasqyrohet si turp.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat