Dy Haradinajt, Ramushi dhe Nasimi dhe Hashimi e Kadriu

Opinione

Dy Haradinajt, Ramushi dhe Nasimi dhe Hashimi e Kadriu

Nga: Sinan Kastrati Më: 24 dhjetor 2017 Në ora: 10:10
Sinan Kastrati

Ka një një kohë të gjatë e nuk kam dëgjuar këso fjalë e shprehje si këto të të dy Haradinajve. Nuk janë vetëm të dijshmit që lan fjalë prandaj thuhet ”prej Skënderit del beteri” por të thuhet se ”Punë e madhe që janë vrarë …” ushtarakët e mëdhenj si Kolon. Ahmet Krasniqi, Tahir Zemaj … politikanë e kryetarë komunash e dijetarë si Xhemajl Mustafa, kjo është më tepër se marre, kush ka ftyrë.

Një shprehje bukur e shpeshtë mu kujtua kur shkruaja për dy Haradinajt, ”Tre hasjanë, ni shekë terrshanë”.

”Punë e madhe që janë vrarë anëtarët e LDK-së”, ishin fjalët e Nasim Haradinajt, nënkryetar i OVL-UÇK-së, në një emision televiziv. Kush do të thoshte kështu përveç një ”njeri” si Nasimi. Është për keqardhje që edhe pas 18 vjetëve që kur forcat e NATO-s dhe emisionet tjera ndërkombëtare kanë ardhur në Kosovë, gjendja nuk ka ndryshuar, sepse në krye të vendit i kemi ata që kanë ”luftuar”.

Javën që e lamë ishte plot me ngjarje interesante në skenën politike në Kosovë. U dasht përsëri me ndërhy ambasadorët e vendeve mike se përndryshe do të bëhej edhe njëherë një puç brenda pushtetit që e udhëheqin të tre ”komandantët”, Hashimi, Kadriu e Ramushi.

Po pse bash tash ata të tre, dikush i quajti ” tre shtetrrënues” kërkuan që të ndalohet së funksionuari apo të zbëhet Gjykata Speciale?

Hashimi ka pas thënë se do ta akuzojë Dik Martin, por si shumë herë të tjera, që premtonte, as kësaj radhe nuk e bëri. Po Ramushit pse po i ngutet kur ai ka kohë, veç sa e ka filluar punën e re pastaj, ai ende ka me punësuar zv.ministra. 

Qeveri e punëve të ”mëdha” dhe e vendimeve të ”guximshme”

Tito kahraman, Ramushi kahraman (hero)!

Kur e rrëzuan qeverinë e kaluar, Nisma, AAK-ja, PDK-ja, Vetëvendosje dhe partitë minoritare, arsyetoheshin se Isa nuk po merr vendime të mëdha e të guximshme dhe ”u bënë” të gjithë bashkë, të gjitha partitë, edhe ato të pakicave kundër LDK-së.

Dhe erdhi qeveria ”me Ramushin”, siç e quanin të gjithë anëtarët e AAK-së. Ky refren u bë aq i njohur sa ta kujtonte parullën e kohëve të kaluara, ”Me Titon”.

Ramushi mori shumë vendime që s`i kishte bërë Isa e as Hashimi para tij. I priti të gjithë familjarët në zyrën e qeverisë, punësoi më tepër se 70 zv. ministra, edhe dhëndrrin, shkarkoi Mehën, i rriti pagat për veti dhe për stafin e tij, pasi që sipas tij është nuk është e ndershme me e pas buxhetin 2 miliardë e kryeministri me e pas rrogën 1.000 e sa euro.

Veç mu tek, me  ja rrit rrogën vetit

’Se kam bërë për vete, por për integritetin e institucionit. Nuk du me pa njerëz që e bartin krejt përgjegjësinë e vendit me ato paga që i kishin. Unë që punoj mbaj përgjegjësi për krejt vendin. E kam bërë për ta respektuar punën’’, paska thënë Ramushi për dyfishimin e pagës së Haradinajt prej 1550 në 2950 euro.

Dhe tash së fundit, ka vendosur me e qu në Kuvend edhe Demarkacionin … e  shfuqizimin e Ligjit për krijimin e Gjykatën Speciale.

Kush janë këta dai që dalin ashiqare kundër SHBA-së dhe bashkësisë ndërkombëtare?

-Hashim Thaçi, tinëza duke i nxitur Kadri Veselin dhe Ramushin, një ish ”drejtor politik”, kryetari i SHIK-ut dhe ”Komandanti” i Dukagjinit, i cili pa pikë turpi te ”Jeta në Kosovë” tha: Në Dukagjin ka pasur më shumë se 30.000 luftëtarë (veteranë).

Ramush e Hashim, duhët ta mbani fjalën! Ato që i keni premtuar atyre që iu kanë dhënë votën për liberalizim vizash, për … ushtrinë e për punësim.

Hashimi disa herë dhe para disa vjetëve ka thënë se se pas 3, 4 muajve do të kemi liberalizim vizash, ndërsa për këtë vit kalendarik, më së largut në dhjetor 2017, do ta bëjmë ushtrinë ose jap dorëheqje, ndërsa Ramushi, premtoi se në muajin mars do të kemi liberalizim vizash.

”Faltë si Demushi e punt` si Ramushi”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat