Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Maqedoni janë të domosdoshme

Opinione

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Maqedoni janë të domosdoshme

Nga: Abdulla Mehmeti Më: 26 dhjetor 2017 Në ora: 14:03
Abdulla Mehmeti

Pushteti në Maqedoni dhe partitë politike, sidomos ato shqiptare, duhet t’i mbathin opingat, shtrëngojnë rripat, ngjeshin radhët dhe mobilizojnë sponsorët e tyre nga vendi e nga jashtë, dhe të bëhen gati për zgjedhje të reja të jashtëzakonshme parlamentare, sa më parë që është e mundur!

Në asnjë shtet demokratik dhe në asnjë rrethanë nuk mund të paramendohen reforma serioze në shtet me një gjysmëparlament dhe gjysmëqeveri, për aq më tepër me një qeveri gjysmë të re e gjysmë të vjetër.

Për reforma thelbësore dhe ndërtimin e shtetit ligjor nuk mjafton vetëm vullneti i mirë, por nevojitet edhe legjitimitet, shumicë parlamentare mbi 2/3, për të pasur qeveri stabile, kredibile, duke mbajtur llogari edhe për shkarkimin e barrës nga e kaluara përplot me korrupsion dhe krime, të cilat qytetarët shpresojnë se do të luftohen pa kompromis dhe deri në fund.

Çdo përpjekje e mëtejshme për aktrim me zbatimin e reformave të premtuara, pa shumicë të domosdoshme parlamentare, është humbje kohe dhe durimi, humbje edhe e një shansi të mirë për ringritjen e këtij shteti, konsolidimin e demokracisë, sigurimin e progresit dhe orientimin e shtetit drejtë integrimeve euroatlantike. Humbja e besimit nga qytetarët nënkupton dhe humbje të legjitimitetit të pushtetit.

Mos e mashtroni vetveten dhe qytetarët se mund të bëhen reforma thelbësore me shumicë të thjeshtë, me vota të arrnuara nga deputetë rastësisht të rebeluar nga partitë politike të cilat deri dje kanë qenë pjesë aktive e pushtetit; pa shumicë të konsiderueshme, jo vetëm për miratimin e ligjeve, por edhe për përballimin e çfarëdo sfide që mund të imponojnë rrethanat e reja, në shtet dhe rajonin më të gjerë.

Pushteti aktual duhet t’i heqë të gjitha dilemat, përderisa ka siguruar mbështetje absolute nga elektorati në zgjedhjet e fundit vendore, këtë sukses duhet ta rikonfirmojë edhe përmes zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, sa nuk është humbur besimi për reforma tek qytetarët, për ndërtimin e shtetit ligjor, për luftimin deri në fund të korrupsionit dhe krimit nga pushteti i mëparshëm.

Qytetarët e Maqedonisë presin reforma serioze, presin ndryshime. Askush nuk ka disponim në këtë shtet për përsëritjen në pafundësi të këngës së vjetër, me tra-la-la-në e njohur komuniste.

Për fund, edhe një sugjerim dashamirës për pushtetin në Maqedoni: ndryshojeni njëherë e përgjithmonë qëndrimin ndaj shqiptarëve, ndaj partive politike të tyre dhe forcave të tjera progresive, sepse kjo është njëra nga arsyet kryesore pse faktori ndërkombëtar nuk ju përkrah të organizoni zgjedhje të reja parlamentare, përderisa nuk e dëshmoni këtë seriozisht. Jeni tepër të pafuqishëm t’i heshtni kërkesat e shqiptarëve për barazi të plotë në Maqedoni. Koha e lakejve dhe mercenarëve në politikën shqiptare ka përfunduar. Lugetët nga e kaluara që mundoheni të ringjallni janë e keqja e juaj, jo e shqiptarëve në Maqedoni.

Jepni shansin këtij shteti të ecë përpara në rrugën e demokracisë, progresit dhe integrimeve globale, si në gjithë botën demokratike dhe të qytetëruar! Sa më parë, aq më mirë, për të gjithë qytetarët e vendit, pa dallim të përkatësisë etnike, gjuhësore, fetare, ose përkatësie tjetër!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat