2017-ta, shënoi fundin e “krahut të luftës”

Opinione

2017-ta, shënoi fundin e “krahut të luftës”

Nga: Faton Mehmeti Më: 3 janar 2018 Në ora: 08:27
Faton Mehmeti

Rënia e tyre filloi me të madhe. Si një gur që bie me shpejtësi të madhe nga pika më e lartë e një kodre. Të ashtuquajturit komandantë  të UÇK-së, as në ëndrrën më të keqe nuk do ta besonin se viti 2017 do të ishte vit ters për ta,  një mendje e ndritur do e quante “vit i mbrapshtë”. Ndonëse, ishte një pakicë që besonte në përrallën se “ata” kanë qenë pjesë e luftës, njerëz të idealit dhe hero të paqes. Për shumicën që nuk i besonin kësaj përralle fytyra e tyre e vërtetë u pa moti, ndonëse Hashimi me shokë vazhdonte të besonte se maska po  iu mbronte fytyrën e vërtetë.

Rënia e shkëlqimit të tyre, edhe pse asnjëherë nuk kanë shkëlqyer për qytetarët- përveç një pakicë të vogël, filloi në pranverën e hershme. Duke u munduar t’i bënin gropën Isës dhe LDK-së, duke prishur koalicionin gjoja “për dështime”, pa harruar se edhe vetë ishin pjesë e saj, doli se i kishin bërë gabim llogaritë. Menduan se duke i bërë kurth LDK-së, do e rrisnin veten por dështuan keq. Rezultati i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare i solli debakël të paparë PDK-së, e cila falë koalicionit të madh me partitë e “krahut të luftës’  fitoi si koalicion shumicën, por jo të mjaftueshëm për të formuar qeverinë.

U detyruan t’i binin në gjunjë Vuçiçit për të bërë koalicionin, diçka që dikur nuk do e besonte askush. Pasi populli i braktisi iu mbështetën Vuçiqit. Erdhën me premtime të mëdha për shtet ligjor, vende të reja të punës dhe çka jo, ndonëse askush nuk besonte në këso përralla të tyre. Nuk besonte askush se Hashimi me klanin e tij “ Pronto” mund të sjell shtet ligjor, shteti ligjor nuk i vendos prokurorët me telefonata  dhe pa “kunkuru”.

Për më tepër fjalori i tyre prej rrugaçësh tregon nivelin e tyre  të ulët dhe primitiv. Si mund të besonte dikush se mund dhe dinë të bëjnë shtet njerëz që dikur ishin të njohur për hajni në vendet e perëndimit, disa rojtar klube të natës etj. Këta shfrytëzuan luftën për t’u shndërruar me zor në figura publike, shfrytëzuan etjen e popullit për liri i cili verbërisht besonte në ta, por shumë shpejt filluan të tregonin fytyrën e tyre të vërtetë. Një pjesë e vogël vazhdoi të besonte tek ata, dhe ja sot ku jemi “fal” tyre. Jemi vendi me i varfër në Evropë, vendi më i izoluar dhe më i korruptuar. Jemi vendi me qeverinë më të madhe në Evropë  dhe mbase në botë,  të gjithë parazitët që vjedhin buxhetin e shtetit për jetë luksi. Ata që dikur u thirrën në emër të idealit, sot janë ndër njerëzit më të pasur në Evropë, me vila milionëshe në vende të ndryshme të botës.

Ata që u thirrën në emër të luftës, duke u vetëquajtur “komandantë” janë njerëz të njohur për shërbimet e huaja si njerëz të lidhur me karëtele të drogës, prostitucionit, njerëz që iu kanë vënë haraç bizneseve. Këta janë njerëzit më të pamoralshëm, me plot dashnore duke kaluar kohën tërë natën në klube dhe kazino. Këta që në lufte futën përçarje “ky është i Rugovës, duhet vrarë”, pas lufte vazhduan me vrasjet e veprimtarëve të LDK-së, vazhduan të pasurohen me drogë dhe veprime tjera kriminale, me tregti armësh etj. Tani që mbaroi viti 2017, kanë filluar të kuptojnë se 2018 do të jetë vit edhe më i vështirë për ta, pasi Gjykata Speciale do i fus prapa grilave.

Prandaj, kanë filluar të përdorin të gjithë mekanizmat për të ndryshuar ligjin për Gjykatën Speciale me arsyen se “dëmton luftën e UÇK-së”. Populli më nuk beson në përralla të Hashimit, luftën e UÇK-së askush nuk mund ta përlyej, në fakt luftën e saj e ka përlyer Hashimi me shokët e tij, ndërsa Gjykata Speciale vetëm do e nxjerr të vërtetën. Maska iu ka rënë moti, ju që ia keni zënë frymën këtij populli duhet të çlirohemi nga ju. Hashimi ka frikë nga Gjykata Speciale, pasi nuk mund t’i emëroj prokurorët me një telefonatë. Mashtrimi nuk zgjat gjithmonë, në fakt iu ka zgjat tepër juve, historia do iu mallkoj për të gjitha dëmet që i’a shkaktuat vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat