Sfidat aktuale, apo “kunxhat e Nasradinit” në Republikën e Kosovës

Opinione

Sfidat aktuale, apo “kunxhat e Nasradinit” në Republikën e Kosovës

Nga: Nehat Hyseni Më: 3 janar 2018 Në ora: 12:01
Nehat Hyseni

Viti 2017 përfundoi me nismën e një varg problemesh, që u transferuan si me automatizëm në vitin 2018. 

Kështu që ky vit do të startoj me ballafaqimin apo më saktë: më armiqësimin dhe konfrontimin direkt me miqtë tanë ndërkombëtarë, që na sollën lirinë dhe Pavarësinë.

Edhepse kemi hyrë në vitin e nëntëmbëdhjetë të pasluftës, disi akoma nuk ia kemi sqaruar vetes, sepse të tjerë e dijnë fare mirë këtë punë, se, vallë, kush e çliroi Kosovën?

Madje, gjithënjë e më tepër po na shtrohet dilema dhe po na shtohet dyshimi se, a u çlirua plotësisht Kosova, apo mos na ka mbetur ndonjë “kunxh” i Serbisë akoma, tani më nëntëmbëdhjetë vjet pas luftës dhe dhjetë vjet pas shpalljes së Pavarësisë?!

Gjykuar sipas rethanave aktuale, jemi të sigurtë dhe nuk kemi kurrëfarë dileme se Republika e Kosovës, vërtetë u çlirua nga bombardimet e NATO-s dhe u shpall Pavarësia me mbështetjen e Amerikës, por “kunxhat” mbetën.

Pa diskutim se “kunxhi” më i madh mbeti veriu i Kosovës dhe serbët e paintegruar në shtetin e ri të Republikës së Kosovës.

Serbët nuk e pranojnë fare Republikën e Kosovës dhe për ata mbetet akoma Beogradi si kryeqytet dhe Serbia si shtet i tyre.

Shteti apo Republika e Kosovës, hiç improvizimet dhe floskulat propagandistike, nuk funksionon fare jo vetëm në pjesën veriore, por as në enklavat serbe.

Ndërkaq, “kunxhi” i dytë i Republikës së Kosovës, paradoksalisht, gjithënjë e më tepër po bindemi se janë “çlirimtarët”, të cilët po na bindin se duhet t’i heqim dilemat se kush na “çliroi”, meqë është e qartë aktualisht se kush po e robëron, izolon ndërkombëtarisht dhe po e ngulfatë e po ia zen frymën Republikës së Kosovës, duke e sfilitur këtë shtet të brishtë për vdekje.

Triumvirati në pushtet i “çlirimtarëve”: Hashim Thaçi, President; Ramush Haradinaj, Kryeministër dhe Kadri Veseli, Kryetar i Kuvendit të Kosovës, sidomos në gjysmëvitin e dytë 2017, na bindi se ata janë, realisht, robëruesit e Kosovës!

Sepse, ata nuk dojnë që ta ndajnë pushtetin me ndërkombëtarët, madje as me kryepartnerët tanë: SHBA-të dhe BE-në.

Pra, “çlirimtarët” dojnë që sundimin apo pushtetin e Republikës së Kosovës ta mbrojnë deri në skërmoqje dhe zhbërje të plotë Republikën, sidomos tani kur atyre u kërcënohet

Gjykata Speciale, si “shpata e Demokleut”, për t’ua zëvendësuar fotelet e buta të pushtetit me qelitë e errëta të burgut në Hagë.

Në vitin 2018 po hyjmë me nismën e 43 deputetëve nga radhët e “çlirimtarëve” për rishqyrtimin apo ndryshimin e ligjit të miratuar kohë më parë, para pesë vitesh, nga Kuvendi i Kosovës, për themelimin e Gjykatës Speciale.

Me motivacionin se qenka “i padrejtë”?!

Po, askush nuk pyet se, vallë, a ishte e drejtë para pesë vitesh Gjykata Speciale?

Natyrisht se ajo ishte e njejta, si atëherë ashtu edhe sot.

Por, sa duket, motivi ka ndryshuar.

Sepse, asokohe Hashim Thaçi si kryeministër dhe si kryetar i PDK-së, si etablishment I akomoduar e i mishëruar fare mirë në pushtet, me miratimin e ligjit për Gjykatën Speciale e bleu mirëbesimin e partnerëve ndërkombëtar, si partner besnik i projektit të tyre për Republikën e Kosovës.

Kurse, tani, në fillimvitin 2018, ka ardhur koha për pagesën e faturave politike, apo realizimit të kontratave, dmth për shlyerjen e atyre obligimeve. Praktikisht, në muajin shkurt të këtij viti paralajmërohet ngritja e aktakuzave të para nga Gjykata Speciale, të cilat, si duket, nuk do i kursejnë as “peshqit e mëdhenjë” të politikbërjes kosovare.

Hashim Thaçi, si President aktual i Republikës së Kosovës, tani është radhitur në anën e “çlirimtarëve” dhe ndërkombëtarëve, është ngritur kundër Hashim Thaçit si kryeministër i para pesë viteve, që ishte asokohe për arrestimin e kriminelëve të luftës dhe për “spastrimin moral të luftës së drejtë të UÇK-së”.

Pse i bënë këto akrobacione, apo këtë metamorfozë politike Hashim Thaçi pikërisht tani?

Të gjitha veprimet politike të Hashim Thaçit, si para pesë viteve, ashtu edhe sot, realisht kanë një qëllim të vetëm: pushtetin personal!

Pra, mirëqenien dhe pushtetin personal dhe të tarafit të tij kriminel të politikbërjes, e kurrësesi jo fatin politik të Republikës dhe mirëqenien e popullit të Kosovës.

Madje, sot më shumë se asnjëherë më parë, interesat e mirëfillta shtetformuese të Republikës së Kosovës dhe interesat e tarafit të politikbërjes së “çlirimtarëve”, janë të papërputhëshme dhe diametralisht të kundërta! 

Ato e përjashtojnë njëra-tjetrën!

Pra, Kuvendi i Kosovës duhet të zgjedhë: ose t’i mbrojë tarafin politik të Triumviratit Thaçi-Haradinaj-Veseli dhe ta miratoj nismën për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, dhe të na konfrontoj me partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë, SHB-të, BË-në, etj., ose ta hedhë poshtë këtë nismë, duke votuar kundër saj. 

E njejta gjë vlen edhe për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, që pritet që së shpejti të vij në Kuvend, meqë është proçeduar nga Qeveria e Kosovës.

Për t’ia shmangur vëmendjen opinionit kosovar nga zezona që po i përgatitet Kosovës me nismën kundër Gjykatës Speciale dhe kundër Denarkacionit, Hashim Thaçi ka shpikur floskulën “patriotike”: shndërrimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës?!

Pra, porosia e “çlirimtarëve” në krye me Thaçit, Haradinajn dhe Veselin, është e qartë: Mos u frikësoni nga Prishta e marrëdhënieve Rina më Amerikën dhe BE-në, sepse po e formojmë ushtrinë tonë, e cila do të na mbrojë nga Serbia dhe Rusia!

Mashallah!

Porosia është e qartë. Gjithënjë ishin dhe jemi “patriotë”! 

Mbase edhe atëherë kur ia rrënojmë themelet e këtij shteti të brishtë, që mezi po qëndron në këmbë, i stërngarkuar me sfida dhe “kunxha” të pafund në rrugëtimin e saj gjithënjë e më të pasigurt drejtë ardhmërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat