Gjykata Speciale, emërues i përbashkët i bashkimit të koalicionit PAN

Opinione

Gjykata Speciale, emërues i përbashkët i bashkimit të koalicionit PAN

Nga: Mimozë Lakna Më: 5 janar 2018 Në ora: 11:42
Mimozë Lakna

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e kanë ndalur përpjekjen e tyre për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale. Një tentim të dytë, pas atij të datës 22 dhjetor përfaqësuesit e PDK-së, AAK-së dhe Nismës pritet ta bëjnë pas pushimin dimëror që i`a kanë dhënë vetës deri më 15 janar.

Kësaj përpjekjeje, pritet t`i bashkohet  Lëvizja Vetëvendosje. Këtë po e thonë tërthorazi por edhe në mënyrë direkte përfaqësues të saj.

Gjithë kjo situatë, na kujton majin e vitit 2017, kur me një mocion u rrëzua Qeveria  e drejtuar nga Isa Mustafa. Tanimë, po kuptohet se bashkimi i të ashtuquajturit “Krahu i luftës”, të përkrahur edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, kishin vetëm një qëllim, shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale. Sipas këtij kundërshtimi, i bie se vet ish pjesëtarët e UÇK-së nuk janë të sigurt në luftën që e kanë bërë. Në të kundërtën, ata do të pranonin të paraqiteshin para Gjykatës dhe të përgjigjeshin për veprimet ose mos veprimet e tyre në mënyrë individuale.

Emëruesi i përbashkët i tentimit për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, është frika që në prag të aktakuzave ka përfshirë përfaqësuesit e PDK-së, AAK-së Nismës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Interesi i tyre personal, po i vë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Don Kishotët” e koalicionit PAN të përkrahur edhe nga Vetëvendosje, po duan t`i thonë jo fuqisë më të madhe botërore, vetëm e vetëm që ta shpëtojnë lëkurën e tyre.

Ata po luajnë me kartën e “viktimizimit”, duke e bërë të keq secilin që kërkon kryerjen e obligimeve ndërkombëtare të Kosovës. Po flasin edhe në emër të deputetëve të LDK-së dhe kjo po duket si një lloj presioni ndaj tyre.

Nasim Haradinaj, nënkryetar i OVL-UÇK-së, i cili ditë më parë kishte ironizuar me vrasjet e përfaqësuesve të LDK-së, duke thënë “punë e madhe që janë vrarë anëtarët e LDK-së”, tani po llogaritë minimumi në abstenimin e deputetëve të këtij subjekti, në ditën kur mund të votohet për shfuqizimin e speciales. Ironike dhe absurde. Dihet që Gjykata Speciale, përveç krimeve të supozuara nga raporti i Dick Martyt do të gjykojë edhe krimet ndaj kundërshtarëve politikë. Këto, hetime do të përfshijnë, periudhën deri në fund të vitit 2000. Pikërisht në këtë kohë, janë vrarë e plagosur disa nga veprimtarët e Lidhjes Demokratike e Kosovës. Dështimi i Drejtësisë vendore, ka bërë që LDK-ja dhe familjarët e të vrarëve t`i vendosin shpresat e tyre tek Gjykata Speciale.

Ky fakt, është i mjaftueshëm, për ta kuptuar absurditetin e deklaratës së Nasim Haradinajt.

Si përfundim, Gjykata Speciale do të bëhet. Për të janë ndarë edhe mjetet, është caktuar edhe vendi dhe është konsoliduar tërësisht. Askush nuk mund ta ndalë. Madje, as përpjekjet që po paralajmërohen në të ardhmen.

Dallimin do ta bëjë vetëm mënyra e arrestimit të të dyshuarve. Nëse nuk arrestohen nga Policia e Kosovës, arrestimin e tyre do ta bëjë KFOR-i apo EULEX-i.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat