Kosova, shteti i kontraditave

Opinione

Kosova, shteti i kontraditave

Nga: Adea Hasi Më: 8 janar 2018 Në ora: 22:24
Adea Hasi

Për cdo ditë po përballemi me drama të reja, me skenarë të rinj e me gjëra të papritura në skenen politike. Secilën ditë, ndonjëri nga udhëheqësit politikë kujtohet të bëjë ndonjë veprim ose ndonjë deklaratë që të përmbysë edhe më tepër gjendjen aktuale. Kaq shumë vite, e prapë emrat e njejtë në krye të politikës, vetëm pozitat që i ndërrojnë, e ne si popull vazhdojmë të mbesim teleshikues të serialeve që ata luajnë.

Fatkeqësisht, nuk shohim kurrfarë përmirësime, njerëzit kanë duruar mjaftueshëm varfërinë, shkeljen e meritave, padrejtësitë që u ndodhin para syve, meritokracinë inekzistente, dhe në rastin e parë që u jepet dalin nga shteti pa e kthyer kokën pas.

Një pjesë e vogël jeton kaq mirë, sa Kosova për ta është sinonimi i parajsës mirëpo është pjesa tjetër masive në numër që përballen me vështirësi në cdo aspekt. Eshtë ajo pjesa që vetëm kujtohen si të përfitojnë dhe si t’ua rrisin vetes rrogat,  e pastaj ajo pjesa që zgjohen në mëngjes e s’kanë me cfarë të mbushin barkun. Cfarë shteti i kontraditave kjo Kosovë! Dy ndasi që dallojnë si nata me ditën.

 E rriti rrogën kryeministri, po prin në rajon me rrogë, e krejt e dinë zhvillimin dhe kapitalin që ka Kosova. “Jo, kanë të drejtë, se nuk u mjafton”! Po, cfarë të thuhet për pjesen e madhe të qytetarëve të Kosovës që kanë rrogë diku 200 euro , e duhet ta mbajnë familjen e të kryejnë gjitha obligimet tjera që pasojnë. A thu si munden këta t’ia dalin, e kush t’ua rritë rrogat këtyre? Po njerëzit që dërmohen duke punuar, e nuk u shpaguhet fare në rrogë, po këtyre kush t’ua rritë rrogën? Nuk ka kursesi përparim e zhvillim në Kosovë, derisa këta prijës që kemi nuk do të kenë vetëm hallin e vetës por edhe të popullatës që udhëheqin, të mbarojnë më me premtime të kota në kohë zgjedhore por të fillohet me zbatim të menjëhershëm. 

Pastaj, turpi tjetër, numri i supertepruar i zëvendës ministrave në qeveri. Gjithë ato rroga, gjithë ato shpenzime për zëvendësministra të tepërt, kur detyra e një zëvendës ministri shumë mirë mund të kryhej vetëm nga një person i kualifikuar dhe që e din mirë detyrën e tij. Po pastaj të mos flas për numrin e madh të ministrive, por në vend që të korigjojnë një gabim, këta shkojnë menjëherë e bëjnë tjetrin gabim edhe më të madh. Eshtë turp prej vendeve tjera dhe prej Bashkimit Evropian, kjo Kosovë që vazhdimisht po kërkon fonde, po dihet ekonomia e dobët, zhvillimi jo i kënaqshëm, të eksplodojë me këto rroga e më këto pozita të ekzagjeruara në numër.

Duket hapshëm se favorizimet partiake nuk do mbarojnë, meritokracia nuk ka vend në shtetin Kosovar por më e keqja është se ka humbur dhe turpi. Nuk na vjen fare turp të dukemi kaq të ulët dhe qesharakë në sytë e opinionit ndërkombëtar.

Nuk do ketë zhvillim në këtë vend derisa njerëzit në këto pozita të duan punën që bëjnë e jo vetëm përfitimet materiale që vijnë prej atyre punëve, të bëjnë punën me shpirt e të ndjehen për mirëqënien e popullatës së përgjithshmë në Kosovë ashtu sic do ndiheshin për mirëqënien e familjes së tyre. Mirëpo, shpresojmë se dikur, nuk i dihet , në të ardhme të afërt ose të largët, të bëhet mirë në këtë vend dhe të kemi mundësinë të ndjehemi krenarë jo vetëm me të kaluarën tonë por edhe me të tashmen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat