Maskarallëku i Kosovës ka emrin Injorancë

Opinione

Maskarallëku i Kosovës ka emrin Injorancë

Nga: Lis Bukuroca Më: 9 janar 2018 Në ora: 21:24
Lis Bukuroca

SHBA nuk duhej të lëçit Kosovën sepse ajo është viktimë e këtyre udhëheqësve, por duhet të izolojë ata që veprojnë kundër interesave të Kosovës.

Është gjynah të kritikohen! E sollën Kosovën në atë gjendje sa të rrezikojnë raportet me SHBA-të. Qysh kur Thaçi u bë Kryeministër, Kosova ka numëruar disa dështime, që kanë ndikuar në rehabilitimin e Serbisë. Edhe me veprimet e fundit.

Filloi bisedimet me të pa asnjë kusht dhe ndihmoi Serbinë në afrimin me BE-në. Nënshkroi Autonomi Serbe për dhjetë katunde. Ushtroi trysni ditë e natë, derisa detyroi Kuvendin të aprovojë ligjin për Gjykatën e Posaçme. Tani pendohet, mobilizon njerëz kundër asaj që dje e kërkoi me zjarrmi dhe trysni. Përgjegjësia? Nuk e njeh! Nuk tërhiqet, nuk jep dorëheqje dhe manipulon Kuvendin për të korrigjuar gabimet e veta! Ai i shiti Erdoganit ndërmarrjet pa konkurse publike dhe në mënyrë sekrete. Ai i hapi tregun e Kosovës Serbisë, sa me fitimet nga Kosova, financohet propaganda serbe kundër Kosovës.

Pse është gjynah të kritikohen ata që kërcënohen edhe me riaktivizimin e UÇK-ës kundër amerikanëve? Është gjynah se ata janë tepër të padijshëm. Ata dëshirojnë ta frikësojnë dhe shantazhojnë Amerikën me aktivizimin e armatës së veteranëve. Atyre u pëlqen vetja, u ka hyrë vetja në huj! Ata quajnë veten çlirimtarë! Të kritikohen ata, është si kur kritikohet një njeri me të meta fizike! Mençuria e tyre nuk ia kalon një fëmije të shkollës fillore. Ata edhe do të luftonin kundër Amerikës sepse janë pasuruar shumë dhe dëshirojnë t’i konsumojnë ato para! Ata nuk kuptojnë kritika konstruktive, ata kuptojnë interesa vetjake dhe pasurim. Ata pa këshilla, pa rekomandime të ambasadorëve, gazojnë, siç gazuan edhe muajve të fundit.

Thaçi në krizë ekzistenciale, por ndihma i vjen nga Vuçiqi, duke thënë se bisedimet me të, ishin shumë të vështira dhe se Thaçi lufton për popullin e vet, edhe pse nga negociatat, ka fituar vazhdimisht Serbia. Injoranca e ngritur në klasë politike, i dhuroi Serbisë edhe një fitore, sa iu refuzua viza kryeministrit, i cili për të lidhur koalicionin sa më fuqishëm, u rriti rrogat të gjithëve, dhe shtypi perëndimor njofton se kryeministria serbe fiton 1200 euro, i Kosovës 3.000.

Nëse shikohen mirë fenomenet e shfaqur në shoqërinë kosovare, atëherë shihet se Thaçi bëri çdo gjë për karrierën e vet dhe për votues. Lejoi çdo gjë duke shpresuar vota. Toleroi edhe islamizmin radikal për vota, edhe universitete injorantësh për vota, spitale me korrupsion, akademi sharlatanësh për vota, për vota prodhuan edhe një armatë veteranësh të cilëve u japin paga mujore. Për vota nuk lejuan as funksionimin e ligjit sa në Kosovë janë ndërtuar 350.000 objekte pa leje! Në Kosovë nuk ekziston shteti, por klane fisnore!

Vëllai i Kryeministrit kërcënohet me aktivizimin e “veteranëve” të korruptuar, që nuk kanë qenë kurrë në UÇK! Kryeministri korruptoi partnerët e koalicionit dhe u rriti rrogat 72 zëvendësministrave dhe ministrave. Kjo ishte mënyra, që kuptojnë shoqëritë tribale për të përforcuar dhe zgjatur sadopak jetën një koalicioni heterogjen në bindje dhe synime. Ky është koalicion për zhvatje të Kosovës dhe për të pamundësuar ndëshkimin e krimineleve! Në përpjekje të vazhdueshme deri në rrënim të shtetit për ta shpëtuar Hashim Thaçin, sepse ky i fundit kishte menduar se ka themeluar Gjykatë vetëm për shokët e vet, por jo edhe për vete!

Ky koalicioni udhëhiqet nga njeriu që i refuzohet viza Çliruesit të Kosovës dhe Mbrojtësit të shtetit të Kosovës! Gjykata e Posaçme mund të jetë edhe e padrejtë, por padrejtësitë e pasluftës, deri edhe te rrogat e qeverise, kanë ndikuar që shqiptaret t'i gëzohen asaj gjykate më shumë se Serbia. Jo pse populli i urrente, por sepse ata i hakmerreshin popullit dhe e sollën në grahmën e fundit. Dhe, populli thotë, kungulli nuk mbetet gjithmonë mbi ujë! Nuk është turp të akuzohesh për krime, turp është nëse të dëshmohet krimi. Nuk është turp kur akuzohesh, mund të mos jesh fajtor, por turpi më i madh është kur populli jot i gëzohet arrestimit tënd!

SHBA nuk duhej të lëçit Kosovën sepse ajo është viktimë e këtyre udhëheqësve, por duhet të izolojë ata që veprojnë kundër interesave të Kosovës. Këta para luftës ishin krenari e kombit, sot janë shndërruar në turp të përgjithshëm. Jo të gjithë, por ata që kanë sekuestruar sakrifikim dhe kryengritjen e UÇK- ës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat