Rreziku nga “biznesokracia”

Opinione

Rreziku nga “biznesokracia”

Nga: Arben Sylejmani Më: 9 janar 2018 Në ora: 23:08
Arben Sylejmani

Se bizneset luajnë një rol të rëndësishëm për rritjen ekonomike dhe zhvillimin e vendit në shtetet me ekonomi të ilirë nuk e ven askush në diskutim, por kur ato përdorin fuqinë e tyre përmes parasë tek politikanët e korruptuar për të çuar me çdo kusht agjendat e tyre përpara, edhe nëse ato dëmtojnë interesin e përgjithshme të një shoqërie, atëherë ato shndërrohen në një rrezik permanent.

Shndërrohen në një rrezik permanent sa që në të shumtën e rasteve, përpos që rrezikojnë interesin e përgjithshëm, ato vihen edhe kundër rregullave bazë të ekonomisë së lirë të tregut që ndikojnë edhe në marrëdhëniet e një shteti me shtetin tjetër.

Me një fenomen të tillë për fat të keq po përballen edhe dy shtetet shqiptare sa që kjo shtyu të reagojë edhe Ministrin e Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko.

“Pas nesh qëndrojnë bizneset dhe bizneset na thonë “prit, kujdes, mos hap kufirin, se më duhet mua koncesioni atje, mos ma hap kufirin se më ul mua çmimin e mallrave, nuk më duhet mua politika, se më intereson më mirë të hyjë malli nga ky drejtim se sa nga ai drejtim. Pavarësisht se duket sikur po qeveris politika, gjithmonë e më tepër rregullin po e vendos biznesi”- ka thënë ministri Pandeli Majko. 

Deklaratë e ministritë Majko ua hoqi maskën pushtetarëve tanë këndej dhe andej kufirit, të cilët para qytetarëve thonë se janë për bashkim kombëtar sa për të përfituar vota, e në anën tjetër mbesin peng e interesave të bizneseve të caktuara që janë kundër hapjes së kufirit që ndihmon zhvillimin ekonomik të dyja vendeve.

Por, ardhja deri në këtë pikë që shqiptarët të qeverisen në mënyrë indirekte nga biznesokracia, e jo nga njerëzit që janë në krye të dy qeverive vjen si pasojë se është bërë një bashkim në mes të njerëzve të biznesit me ata të politikës. Shumë politikanë tek ne që janë deputet ose në qeveri kanë aksione në biznese të caktuara dhe kjo nuk do të duhet parë si problem, sikur ata të angazhohen për interesin e përgjithshëm.

Praktika ka treguar se shumë biznesmen në Kosovë dhe Shqipëri aderojnë në parti politike për të ardhur në pushtet, për të përdorur pozitën dhe votën për të përfituar lehtësime në punën e tyre.

Ka edhe njerëz të biznesit që nuk aderojnë në politik, por i financojnë partitë politike që kur të vinë ato në pushtet, t’ua falin taksat që nuk i kanë paguar me vite të tëra ose për t’iu dhënë tenderë.

Mbështetja e partive politike me mjete financiare, iu ndihmon atyre që të falen nga shteti edhe nëse ato bien ndesh me ligjin, sepse edhe ata njerëz që duhet të marrin masa ndaj këtyre shkelësve të ligjit, janë të emëruar nga partitë politike.

Kështu që qeverisja nga biznesmenw dhe nga politikanë që janë të varura nga ta, po bën që shteti të mbetet peng në vendimmarrje që janë në interes të përgjithshëm, e ministri Majko në pamundësi që të ndërmarrë ndonjë veprim, del publikisht e thotë se nuk po qeverisim ne, por bizneset.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat