Djalit tim të dashur

Opinione

Djalit tim të dashur

Nga: Sulejman Mehazi Më: 14 janar 2018 Në ora: 17:30
Sulejman Mehazi

Kujdes, djali im i dashur, të lutem mos i besoni çdo kujt!, shumica e shokëve, miqve dhe njerëzve të sotëm postmodern nga goja nxjerrin fjalë  të sheqerosura, ndërsa zemrat e tyre i kanë të helmosura.

Pse hidhërohesh aq lehtë e shpejtë me fjalët e babait tënd, pse këshillat e tij të dalura nga mbrendia e zemrës së një prindi të duken të mbrapshta, të serta e të prapambetura. Këshillat e prindërve e kanë kuptimin e dashurisë e mirësisë prindore.

Miqtë, shokët, profesorët, shkencëtarët japin vetëm mendtë e dituri, e jo dashuri e mirësi. Më trego, djali im i dashur e i bukur, kush të do e brengoset më shumë se sa prindërit e tu. Mos shokët e tu të duan më shumë, miqtë të f.b.-së në celularin tënd të duan e brengosen më shumë se babai yt e mëja jote?, jo biri im, jo, mashtrohesh keq. 

Mosha juaj rinore e gjallërimi i kësaj bota njerëzore s'janë kurrgjë tjetër përveç gënjeshtra mashtruese. Të kuptoj shumë mirë dhe e di pse s'je i kënaqur me mua, për shkak kushteve e kërkesave tua rinore; aq  mundem, biri im, populli thotë: "sa e kemi cergën familjare aq do i shtrimë këmbët." Ti e di shumë mirë se babai yt jo që s'merret me politikë, por me shkrime kritikon ashpër politikëbërjen e këtij shteti. Këto shkrime ndaj pushtetarëve si bëj për gjëra interesash personale e familjare, por për të mirën e  popullatës shqiptare. E ç'të bëjmë, ashtu jemi, shpirt opozite kemi. 

Mos ndoshta dëshironi të bëhemi ndryshe, për t'ua plotësuar juve kushtet e mira rinore, t'ju përkulemi politikanëve e partiashëve, të servilosemi para atyre, ë djali babit, kështu do të bëhet babai yt, pa karakter e ndërgjegje, për hirë të pasurisë, kushteve të mira ekonomike familjare të shesim moralin, karakterin, besnikërinë e pastërtinë kombëtare e fetare. Jo djali babit, jo, këtë  s'mund ta bëjmë, dua dhe ju mos ta bëni, dinjiteti e fisnikëria familjare është mbi pasurinë e kësaj bote, mbi partitë politike e mbi gjuhën e popullin shqiptar. 
Të gjithë vijnë e shkojnë: pasuria, partia, qeveria e pushteti, brez pas brezi mbetet vetëm fisnikëria, besnikëria, bujaria, dinjiteti e karakteri familjar, djali im i dashur!
 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat