Djallokracia shqiptare dhe viktimat e saj

Opinione

Djallokracia shqiptare dhe viktimat e saj

Nga: Lirim Gashi Më: 15 janar 2018 Në ora: 06:14
Lirim Gashi

Në fund të çdo procesi madhor që e përcakton kahjen strategjike të rrugëtimit politik, pa marr parasysh natyrën e epilogut ( me apo pa "happy end"), bëhët bilanci në formë të shkruar dhe gojore.
 
Momenti më magjik i mundshëm në mijëvjeçarin e fundit, që i dha fund epokës së dhimbjeve të papërshkrueshme fizike dhe shpirtërore të popullit shqiptar dhe e ndërtoi themelin e një epoke të re, më të dinjitetshme ( me të gjitha të mirat dhe të metat e saj ), ishte momenti kur bombat e NATO-Aleancës në bashkëveprim me ushtarët tanë të lirisë nën ombrellën e UÇK-së i detyruan hordhitë fashiste serbosllave që kokëulur dhe me bisht ndër këmbë ta braktisin fizikisht djepin e tyre mitologjik të ashtuquajturin "Kosovo i Metohija " . 

Në shpirtin dhe memorien e çdo individi liridashës të rruzullit tokësor ( pa marrë parasysh origjinën, ngjyrën e lëkurës, preferencat politike, ekonomike, sociale, kulturore, edukative dhe artistike ), që beson në vlerat universale dhe humanizmin e emancipuar si qasjen e vetme të duhur ndaj dhunës individuale dhe kolektive ky moment rrënqethës është shënuar me shkronja të arta.

Në shpirtin dhe mendjen e çdo shqiptari liridashës e atdhedashës ky moment po aq rrënqethës sa magjik, nuk ishte  vetëm shkak e shkas për të festuar festa e fiesta, por edhe konfrontim i ashpër parasegjithash shpirtëror me realitetin e ri politik, psikosocial, kulturor dhe edukativ. 
Plagët fizike shërohen shpejt, por ato shpirtërore të shkaktuara prej ndarjes brutale nga jeta e më të dashurve dhe pyetja: "Në cilën gërmadhë do ta kaloj natën më fëmijët e mi të uritur, të cilët nga vuajtjet dhe  traumat që i përjetuan ende bërtasin natën: "Nënë, baba, xhaxhi, motër e vëlla kam uri dhe frikë"?--një jetë të tërë i përcjellin si hije e keqe viktimat e terrorit.

Të jemi të sinqertë: Kur fëmiu bërtet deri në kupë të qiellit: "Nënë, baba: dua bukë dhe kam frikë" atëherë cilit prind të devotshëm i bjen ndërmend a jeton në Krahinë apo Republikë ?

Fjala e vetme që më sillej mua personalisht vërdallë në momentin e lartëpërshkruar sa rrënqethës po aq magjepës ishte fjala: Kaleidoskop.
Kaleidoskopi është një pajisje optike që përdoret shpesh si lodër fëmijësh.

Fjala Kaleidoskop vjen nga greqishtja dhe do të thotë të shohësh forma të bukura.

Fillimi i kaleidoskopit e ka një dritare të rrumbullakët për shikim apo vrojtim. Përgjatë vetë cilindrit janë të bashkangjitura tre deri katër shirita pasqyresh që e prekin njëra-tjetrën në mbarim. Në këta shirita, objektet reflektohen disa herë, kështu që një model simetrik me ngjyrë e ndryshon formën sa herë që rrotullohet.
Eh sa më dëshirë do t'ia kisha dhuruar në ato momente gëzimi, hareje dhe njëkohësisht pikëllimi, çdo fëmiu dhe të rrituri shqiptar nga një kaleidoskop që të shohin vetëm ditë të bardha tani e tutje.

T'ju them të drejtën, unë, si një specie e bindur në efektin shërues të artit figurativ, por edhe të artit në përgjithësi, nuk do të isha unë, sikur të mos më dilte edhe me broçkulla të tilla punë. 

Fatkeqësisht në kaleidoskopin e kujtimeve të mia nuk figuronte në ato momente magjike, asnjë gjerman apo franqez që do të ngushëllohej nga format magjepsëse të brendisë së tij kur e ka zemren e thyer. 

Përkundrazi më shfaqeshin shumë çajpirës shqiptarë të dashuruar në tingujt e çiftelisë, lahutes e sharkisë dhe vargjeve epike me ndihmën e të cilave e çlironin gjysmën e botës, por asnjëherë atdheun e tyre.

Shqiptari i dashuruar në format e bukura, por shpeshherë pa permbajtje të dobishme, është i prirur që të pijë çaj rusi edhe kur kallet katundi, e që besa, të mos ia prish terezinë vetit edhe kur zjarri i katundit i vërsulët qytetit.

Ndryshe nuk mund të shpjegohet gjithë ai vullnet i disa njerëzve në pozitat kyçe, për ta menaxhuar robërinë në një kohëzgjatje të padefinuar dhe pa korniza të përcaktuara veprimi, për ( mos e bërë Zot ), situatat emergjente °X,Y,Z°, kur nuk ndihmon parulla "Draga bra?o, nemojte nas napasti. Mi smo djeca naše zajedni?ke otadžbine koliko i vi" që shqip i bie "Të dashur vëllezër, mos na sulmoni. Ne jemi fëmijë të atdheut tonë të përbashkët po aq sa ju".

Nëse dëshirojmë të jemi të sinqertë pikë së pari me vetveten, atëherë mjafton pyetja që secili prej nesh duhet t'ia parashtrojë së paku një herë në jetë vetvetes: 
Pse pikërisht dy figurat më madhore të kombit Adem Jashari dhe Ukshin Hoti u sabotuan nga të gjithë dhe pse Ibrahim Rugova u sabotua pikërisht nga Qeveria e tij ?
Ukshin Hotin e lanë në mëshirën e pushtetit serb, ngaqë po ua rrezikonte komoditetin menaxherëve të robërisë, apo më mirë të them çajpirësve të akomoduar pseudo gandist, ndërsa Adem Jasharin e sabotuan në bashkëveprim profiterët e fondeve " Tre përqindëshi" dhe "Vendlindja thërret" të cilët i bashkoi grykësia për përfitime financiare nga fatkeqësia e popullit.

Shtrohet pyetja, po pse atëherë Ibrahim Rugoven e sabotoi pikërisht Qeveria e tij ? 

Pergjigja është shumë e thjeshtë: ngaqë nuk ishte tradhtar dinak, hajn egoist, grykës dhe profiter e dorën në zemër as menaxhues i mirë i situatave emergjente, por gjithsesi një burrështetas me pikëpamje të avancuara strategjike dhe karakter të sofistikuar njerëzor.

Çka na dëshmon kjo qasje kaq e papërgjegjshme dhe mizore e protagonistëve kyç të ngjarjeve historike, ndaj heronjve të vërtetë, shtet-ndërtimit dhe vetëdijësimit të shoqërisë për rëndësinë e shtetit funksional ?

Kjo qasje e papërgjegjshme dhe mizore është dëshmi e qartë që shqiptarët shumë më shpejtë bashkohen kur pyetja shekspiriane "të jesh apo të mos jesh" i afrohet përmasave reale dhe kur ka diçka për të vjedhur dhe plaçkitur. 

Mundësia për të vjedhur dhe plaçkitur i bënë shqiptarët që besa indiferent për të gjitha pasojat që ia shkaktojnë shoqërisë dhe shtetit. Në këso situatash ata bashkohen si vetëtima dhe i gjuajnë në gropë të çenefit të gjitha idealet dhe bindjet politike së bashku me ndërgjegjen e kalbur, ngaqë janë të edukuar në frymën e mentalitetit kaqak. Pikë.
Në fund të cdo akti mbetet pak “esencë” me të cilën historia e shkruan veten. 

Konfliktet politike të partive shqiptare më bëjnë që të mendoj se serbët e vërtetuan sërish bindjen e tyre se ishin të “pashmangshëm” nga vendimarrja për të ardhmen e Kosovës.

Natyrisht është një konkluzion cinik por i vërtetë. 

Mbi ndarjet e politikes ditore të shqiptarëve, serbët asnjëherë nuk po ngurrojnë që të dëshmojnë se kur shqiptarët sillen si “kapedanë përçarës” ata dinë të jenë “ushtarë të tyre të devotshëm.

Me dhembë shpirti kur i vërej në këto ndarje dobesitë tona të moqme që na kanë bërë gjithmonë humbës në garën tonë historinë me kombet konkurente. 
Urrejtja ndaj njëri tjetrit, sikur armiku të ishim vetë ne për vetveten, po na sjellë në të njëjtin konkluzion që e kanë pasur parardhësit tanë.
Në këtë shkretëtirë politike ku demokracia duket si rutinë fjalësh pa veprim, fjalori urrejtjes u jep kalorësve të mjegullës identitet. 
Ballkani është ndërtuar nga shoqëritë e dhunshme ku e mira duket si dobësi përgjithësuese dhe e pa ngjyrë. 

Korrupsioni, uzurpimi institucional, islami radikal dhe antiamerikanizmi janë në fakt rrëziqët më të mëdha që u kanosen shqiptarëve. Kjo qasje vrastare ndaj vlerave universale që sjellin prosperitet êshtë njëkohësisht tradhëtia më e madhe që ne shqiptarët po ia bëjmë vetvetes.

Zhvendosja permanente e vëmendjes së publikut nga problemet esenciale në ato periferike dhe nga temat e rëndësishme jetësore në emra dhe mbiemra të përveçëm që ka funksionuar për mrekulli më tepër se një dekadë, fatmirësisht nuk do të funksionon më. 

Agjenda e vendimeve të rëndësishme që po ia lëkundin themelin shtetit nuk e len askënd indiferent.
Gjykata Speciale, Asociacioni dhe Demarkacioni sa janë rrezik për emra të përveçëm, po aq janë edhe shansa për një fillim të ri, pa këta emra të përveçëm që e bartin fajin kryesor për ekzistimin e tyre.

Fitorja e Vetvendosjes në zgjedhjet qendrore të qershorit dhe ajo e Ldk-së në zgjedhjet lokale është dëshmi e qartë që populli i Kosovës e dëshiron një fillim të ri. Fatmirësisht kësaj radhe pa protagonistët e vjetër. Dhashtë Zoti dhe ashtu u bëftë. Amen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat