Vajtojnë Ivanoviqin, injorojnë heronjtë e Kosovës!?

Opinione

Vajtojnë Ivanoviqin, injorojnë heronjtë e Kosovës!?

Nga: Prof.Dr.Mehdi Hyseni Më: 17 janar 2018 Në ora: 17:07
Prof.Dr.Mehdi Hyseni

*** -Pse Shqipëria e fsheh dhe e hesht terrorizmin  politik ndaj Ilir Konushevcit, Hazir Malës dhe Ahmet Krasniqit, kurse  rrufeshëm e dënon terrorizmin serb ndaj Ivanoviqit?! –Nuk është ky turp, padrejtësi, paradoks dhe antihumanizëm?!

-Të kuptohemi, dhe të  bindemi njëherë e  përgjithmonë se drejtësia nuk është e rezervuar vetëm për serbët, përkatësisht vetëm për pushtuesit sllavë ballkanikë, por, për të gjithë popujt e botës. Prandaj,  shqiptarët për asnjë çmim nuk duhet vrarë vetëveten për llogari dhe për interesa pushtuese të asnjë armiku qoftë i madh apo i vogël, qoftë i brendshëm apo i jashtëm.
 
Krimi nuk amnistohet,  qoftë i kryer në kohë lufte  a në paqe
 
*** Logjikisht, çdo njeri normal, duhet dënuar krimet e terrorizmit dhe të gjenocidit kudo që shfaqen në botë. Mirëpo, gjithmonë, duhet nisur nga e afërta e pastaj,  të shkohet te e largëta (së pari, duhet  fshirë oborrin tënd, pastaj të  kërkosh fshirjen e oborrit të huaj).
 
Pretekst për të shkruar ca rreshta në këtë temë, ishte  reagimi si “rrufeja” i pushtetarëve shqiptarë nga Tirana dhe nga Prishtina ndaj vrasjes së Oliver Ivanoviqit (kryelider i partisë “Liria, demokracia dhe drejtësia) në Mitrovicë, më 16 janar 2018, të cilët me të drejtë e denoncuan  një krim të tillë, ashtu sikurse Beogradi zyrtar dhe BE-ja etj.
 
Mirëpo, ajo që krijoi përshtypje të veçantë në opinionin publik ballkanik, ishte reagimi urgjent denoncues  i shtetarëve dhe i liderëve politikë të Shqipërisë  dhe të Kosovës.
Në Shqipëri, të parët reaguan: presidenti  Ilir Meta, kryeministri Edi Rama dhe ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, si  dhe kryeliderë të partive politike (Lulzim Basha nga PD dhe Monika Kryemadhi nga LSI).
 
Në Kosovë reaguan presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryekuvendari Kadri Veseli, të të gjithë e dënuan vrasjen e kryeliderit politik serb Oliver Ivanoviq, me mesazhin, që sa më parë të zbulohen kryersit e  këtij akti kriminal.
 
Krejt në rregull, si Prishtina, ashtu edhe Tirana kanë të drejtë të kërkojnë që të zbulohen  autorët e krimit ndaj  viktimës Oliver  Ivanoviq. Mirëpo, lind pyetja, pse  shtetarët dhe liderët politikë të Shqipërisë nuk ishin kaq të shpejtë dhe efikas për zbulimin e atentateve terroriste politike, të kryera kundër heronjve të  Kosovës, Ilir Konushevci, Hazir Mala dhe Ahmet Krasniqi, që për motive dhe për interesa politike u vranë mizorisht  në territorin e Shqipërisë  në maj dhe në shtator të vitit 1998.
 
Si mund të jesh hero i një populli dhe i një shteti, e të mos zbulohet se kush ishte vrastari i tij?!
 
-Tanimë u bënë 20 vjet (1998-1999) institucionet dhe organet e sistemit politik dhe të drejtësisë së Republikës së Shqipërisë kanë heshtuar dhe bllokuar aktet terroriste kundër heronjve të Kosovës, Ilir Konushevci, Hazir Mala dhe Ahmet Krasniqi, kurse dje, më 16 janar 2018, si vetëtima  kërkuan denoncimin dhe zbulimin urgjent të vrasësve të Oliver Ivanoviqit (kryeliderit politik serb të “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”).
 
Prandaj, të nderuar pushtetarë të Kosovës dhe të Shqipërisë, ashtu siç po kërkoni, që me procedurë të shkurtër të zbulohen vrasësit e liderit politik serb Oliver Ivanoviq, duhet të kërkoni edhe  zbulimin e vrasjeve makabër të heronjve të Kosovës, Ilir Konushevci, Hazir Mala dhe Ahmet Krasniqi, sepse  vetëm në këtë mënyrë mund ta bindni Evropën, Amerikën dhe tërë botën, se nuk pajtoheni me krimet e terrorizmit kushdo që të jenë kryerësit, projektuesit dhe urdhërdhënësit e tyre. 
 
-Vetëm kështu mund ta mbroni drejtësinë, ta nderoni kombin, shtetin dhe atdheun, sepse fshehja e së vërtetës dhe e drejtësisë përbën krim dhe dënim qoftë sipas së drejtës së  brendshme, ashtu edhe  sipas së drejtës  ndërkombëtare.

Sa më sipër, prapë shtrohet pyetja, ku është drejtësia këtu, për serbin Ivanoviq urgjentisht u ngrit në këmbë e gjithë leva shtetërore e Shqipërisë dhe e Kosovës, kurse për vrasjen  e heronjve të Kosovës, Ilir Konushevci, Hazir Mala dhe Ahmet Krasniqi, qe 20 vjet (1998-2018), as pushteti e as  mileti nuk kërkojnë verdiktin e drejtësisë!? 

Pse  në këto raste kanë dështuar politika dhe drejtësia, kjo nuk është e çuditshme, por, pse deri më sot, askush nga elita klasës akademike  “çile guri gojën”?! 

-Kjo është tejet brengosëse, e turpshme dhe për çdo gjykim, të harrohen heronjtë e Kosovës, të cilët flijuan jetet e tyre për lirinë e Kosovës! - Ku është ndërgjegjja, pse elita akademike qe 20 vjet nuk kërkon drejtësi për zbardhjen e këtyre rasteve nga ana e shtetit shqiptar, ose nga institucionet ndërkombëtare?!
 
Deshi apo nuk deshi, drejtësia e Shqipërisë, duhet të flasë, sepse vrasjet e tilla nuk janë vetëm çështje e brendshme e Shqipërisë, apo e Kosovës, por janë të sanksionuara edhe me të drejtën ndërkombëtare sipas së cilës mbajnë përgjegjësi  pushtetarët e këtyre dy shteteve nëse nuk zbardhin krimet e tilla të terrorizmit.
 
Duke qenë se, Ilir Konushevci dhe Ahmet Krasniqi janë heronjë të shpallur nga Kosova dhe të dekoruar nga Shqipëria, lind pyetja, si është e mundur, që të mos kërkohet zbardhja e vrasjes së tyre në Shqipëri(1998), duke qenë se  nuk jetojmë në kohën e egërsisë dhe të fiseve mbase Shqipëria është shtet  i mirëfilltë, që ka ligje dhe kushtetutë të veten?
 
Pavarësisht nga kalkulimi i “hesapeve” të politikës së pushtetarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës, klasa akademike shqiptare, si dhe çdo shqiptar ka të drejtën morale dhe ligjore ta ngrejë zërin, duke kërkuar nga drejtësia e shtetit shqiptar zbardhjen e ratsve tragjike të heronjve të Kosovës, Ilir Konushevci, Hazir Mala dhe Ahmet Krasniqi.
 
Duke qenë se ne nuk jemi as gjykatës, as investigues e as avokatë, e drejta jonë morale dhe ligjore si pjesëtarë të shoqërisë shqiptare, është të kërkojmë drejtësi për viktimat e terrorizmit politik, Ilir Konushevci, Hazir Mala dhe Ahmet Krasniqi, sepse është e turpshme,  absurde, amorale, antiligjore, antikushtetuese dhe antihumane, që në kohë paqeje, të mos ketë Drejtësi për këta heronj të Kosovës, të cilët flijuan jetët e tyre për linë e Kosovës.
 
Veç  tjerash, nëse Shqipëria hesht edhe më tej, duke mos zbardhur krimet e theksuara ndaj  këtyre dëshmorëve të Kosovës, atëherë, pa dyshim se, dot'i mbetet borxh historisë kombëtare shqiptare dhe drejtësisë, si dhe do të përballet me pengesat dhe me vështirësitë për të hyrë në Bashkimin Evropian (BE), i cili nuk pranon  shtete me bagazh të një hipoteke të tillë të terrorizmit politik, pavarësisht  se kush dhe, për çfarë interesash fshihet pas tij, edhe pse kanë kaluar jo më pak se 20 vjet (1998-2018).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat