Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, “Moisiu arbëror”

Opinione

Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, “Moisiu arbëror”

Nga: Don Lush Gjergji Më: 19 janar 2018 Në ora: 12:34
Don Lush Gjergji

Kush është për ne Shqiptarët Gjergj Kastrioti – Skënderbeu?

Kaluan 550 vite pas vdekjes së tij. Shumçka ka shkruar historiografia botërore, diçka më pak ajo arbërore dhe shqiptare. Megjithatë kemi mjaft elemente për ta portretizuar dhe paraqitur atë në dimensione historike dhe aktuale. Figura e tij zgjon gjithnjë shumë mendime, vlerësime, shqyrtime, këndvështrime,  deri te kundërshtimi, urrejtja,  keqinterpretimi, frika nga e vërteta dhe jeta e tij. Kjo dëshmon bindshëm  që aktualiteti i tij,  “ballafaqimi” me të, siç duket, jo vetëm që nuk zbehet kurrë, por gjithnjë është personalitet, përmbajtje, porosi për të tashmen dhe të ardhmen tonë.

Ai popullit tonë Ilir dhe Arbëror ia gjeti rrënjët, ia gjeti damarin, ia ktheu besimin dhe dinjitetin, lirinë dhe pavarësinë, duke i përmirësuar gabimet e shumta të dinastive apo princave tanë, që të ndarë dhe përçarë, luftonin njëri - tjetrin duke u bërë “pre” e të huajve, në vend që të bashkoheshin për t’i luftuar armiqtë tanë të përbashkët dhe të përbetuar..

Besëlidhja e Lezhës (1444), akti kulmor i urtisë dhe strategjisë vizionare të tij,  ku u vunë themelet për shtetin arbëror, me kohezion dhe bashkim në çdo kuptim dhe drejtim për formimin e binomit Shtet dhe Komb.

Hapi tjetër i strategjisë dhe urtisë së tij ishte bashkëpunimi me aleatet perëndimor, ndër të cilët duhet përmendur Mbretërinë e Napolit,  atë të Venedikun, Raguzës, Papatin, Hungarinë, sidoms  trimin Janos Hunyadi, por edhe shumë të tjerë. Këtu erdhi në shprehje  aftësia e tij në diplomacinë  e mirëfilltë dhe komunikim i vazhdueshëm me qendrat e rëndësishme evropiane.

Në këtë punë tejet të madhe dhe vendimtare Gjergj Kastrioti i ndriçoi dhe vlerësoi rrënjët tona ilire, pra, lashtësinë, traditën, kulturën, qytetërimin, krishterimin tonë që nga kohët apostolike, duke u frymëzuar nga këto vlera dhe virtyte ai  dhe populli ynë, si pasardhës të Aleksandrit të Madh, të Ilirikut antik, të një historie dhe tradite  të gjatë dhe të lavdishme shekullore, që qëllimisht ishte mbuluar me harresë dhe mospërfilltë.                                                             

Nëpërmjet Jeroni De Radës, më vonë rilindësve tanë, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ishte “ngjallur” edhe një herë në popullin tonë, në histori, traditë, kulturë, qytetërim, si model dhe ideal për çdo shqiptar, si mundësi për rekuperimin e historisë, ndërgjegjes, vlerave dhe virtyteve tashmë të harruara dhe tjetërsuara.

Nga ajo që dimë dhe mund të theksojmë:

•Gjergj Kastrioti – Skënderbeu pati forcën, vizionin, guximin, trimërinë t’i kthehet vetvetes, rrënjëve ilire dhe arbërore, fesë së krishterë dhe të vërtetës historike. Kthimi te burimi është porosi dhe testament shpirtëror i tij edhe sot për ne, kaq të ndarë dhe të përçarë, të shkapërderdhur anekënd, pa ndonjë identitet dhe personalitet bazik, pa vetëdije dhe përcaktim në këto tri pika: kush jemi, çka duam dhe si duam të realizojmë atë çka vërtet duam.

•Ai nuk e kishte humbur kujtesën historike personale, familjare, fetare dhe kombëtare. Edhe pse babai i tij Gjon Kastrioti  qe i detyruar t’ua dorëzonte Gjergjin në moshën e brishtë 9 vjeçare, diku në fillim të vitit 1415, Gjergji ynë i mbeti besnik historisë familjare, kombëtare dhe fetare.

•Ai është shembëll i shkëlqyer i përfaqësuesit të “diasporës”, i cili nuk mendonte me “bark”, por me krye, vlerësonte me mendje dhe me zemër, dhe thënë me gjuhën e Shën Nënës Tereze, e “jep pjesën më të mirë të vetvetes”, por për të tjerët, për të mirën e përbashkët për të gjithë, si model flijimi dhe dhurimi, altruizmi dhe atdhedashurie shembullore. Shtyllë jete dhe veprimi pati BESËN, dhe me Besëlidhjen Shqiptare më 2 mars 1444, vuri themelet e reja dhe të vjetra tona kombformuese dhe shtetformuese, duke nderuar traditat e përbashkëta, simbolet, mbi të gjitha synimet, idetë dhe idealet tona, nën flamurin e përbashkët drejt histories dhe ardhmerisë.

•Ai është dhe mbetet model i intelektualit, filozofit, dijetarit, vizionarit, burrështetasit, luftetarit të pashembull për popullin ilir dhe arbëror, për ta gjetur edhe një herë vendin dhe dinjitetin e humbur, bashkimin dhe vëllazërinë tonë gjithëkombëtare me popujt dhe vendet e qytetërimit të krishterë dhe evropian.

Gjergj Kastriotin – Skënderbeun është figura më madhore në historinë sonë, së bashku me Shën Nënën Tereze, përfaqësuesi më i mirë i lashtësisë, autoktonisë, krishterimit, traditës, kulturës dhe qytetërimit tonë shekullor ilir, arbëror dhe shqiptar, Njeri i Provanisë së Zotit dhe historisë sonë, personalitet për nderim, admirim, mbi të gjitha imitim dhe vijim për çdo shqiptar. Historia, si Mësuesja e jetës, edhe një herë na fton dhe na mëson për atdhedashuri dhe vëllazëri gjithëshqiptare, si parakusht për zhvillim dhe përparim të gjithanshëm personal, familjar dhe kombëtar. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat