Kundërshtimi si platformë politike!

Opinione

Kundërshtimi si platformë politike!

Nga: Bajram Gecaj Më: 20 janar 2018 Në ora: 13:33
Bajram Gecaj

Ramush Haradinaj dhe AAK deri sa kishin qëndruar në opozitë për disa mandate radhazi, kishin tentuar të tregonin një konstruktivitet në qasje e veprime politike, edhe pse shpesh jo-përmbajtjesorë. Mirëpo, duke vazhduar kështu, AAK po mbetej pa pushtet e Ramush Haradinaj, përkundër dëshirës së flaktë deri në fiksim paranoik, pa postin e kryeministrit. Prandaj duket se kishin përfunduar se kjo lloj qasje nuk po ju shpaguhet fare dhe se duhej ndryshuar. Duket se egoizmi për pushtet e flijoj konstruktivitetin politik.

Kjo "këndellje politike" e këtij subjekti dhe e kryetarit të saj kishte filluar të shprehet gjatë kohës së koalicionit LAN/LVAN, ndërsa gjatë mandatit të Qeverisë Mustafa ishte shndërruar përfundimisht në një kundërshtim të papërmbajtur e joparimorë ndaj cilësdo kërkese të miqve ndërkombëtare, duke përfshire këtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sa më shumë që e nuhatnin pushtetin aq më shumë ju shtohej bindja se janë në rrugë të drejtë me padrejtësitë e tyre.

Kjo qasje, jo-konstruktive, së paku në dukje të jashtme, ju shpagua Ramsh Haradinajt, pasi që në shtatorin e vitit 2017 arriti që, pas shumë akrobacioneve të padenja politike, me ndihmën edhe të sekserëve e matrapazëve grykës, të rrëmbente postin e kryeministrit. Kjo duket të këtë qenë një “shkolle e mirë” për Kryeministrin Haradinaj, sepse një qasje e tillë po vazhdon të aplikohet gjatë qeverisjes së tij edhe më, duke u kthyer kështu ne një koncept qeverisës.

Edhe pse Haradinaj tani Kryeministër, duket se ka mbetur i bindur se duhet të vazhdoj me kundërshtime, mospajtime e refuzime politike. Sa më shumë aq më mirë. Kështu kundërshtimin ndaj cilësdo kërkesë të rëndësishme të miqve të dëshmuar ndërkombëtar, sidomos të SHBA-së, siç është për shembull demarkacioni apo gjykata speciale, duket se ai e bën me një platformë politike të menduar kujdesshëm, madje-madje duke deklaruar edhe me dozë të lartë mburrjeje e kokëfortësie se “AAK nuk ndërron qëndrimet”! Thënë ndryshe kjo nënkupton se “nuk më qon peshë fare çka thonë perëndimorët, me rendësi është që kështu fitoj besimin nga populli". Dhe që fatkeqësia të jetë edhe më e madhe, një pjesë e elektoratit duket se këtë kundërshtim dhe këtë kokëfortësi të tijën e marrin për “burrëri” e “zotësi”, duke harruar kështu shumë shpejt ku ishim, ku jemi dhe ku duhet të shkojmë! Ata që harrojnë ju përsëritet historia, e kjo nuk mund të kundërshtohet!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat