Mirditorët përballë mirditorëve!

Opinione

Mirditorët përballë mirditorëve!

Gani Mehmetaj Nga Gani Mehmetaj Më 22 janar 2018 Në ora: 08:24
Mirdita

Zbrazje e madhe e Dardanisë u bë disa herë gjatë historisë. Në luftën austriako-turke arbërorët u mobilizuan në kryengritje më shpresa të mëdha për rikrijimin e shtetit arbëror nga Nishi në Prishtinë e Durrës. Trupat shqiptare më në krye Pjetër Bogdanin e çliruan Prishtinën. Dardanët, mirditorët, kelmendasit, Hoti e Gruda u vunë në mbrojtje të Dardanisë, luftuan e rezistuan një kohë të gjatë, por murtaja ishte ajo që ua bëri gjëmën arbërorëve.

 Mirditorët në shkrimin tim janë emërtim krahinor për arbërorët-shqiptarët në Dardani  po edhe në Shqipëri që disa herë gjatë historisë u vunë përballë njërit- tjetrit për fe, ndonjëherë u gjakosën sepse ishin të krahinave të ndryshme. E mora shembullin e mirditorëve, sepse ata ishin të pranishmit edhe në zonat kodrinore e në rrafshinat dardane, shquheshin për veçanësi krahine e karakteri, por edhe pësuan fatin tragjik të shqiptarëve tjerë, që u konvertuan në myslimanë.
 
Mirditorët janë e s’janë nga Rrafshi i Dukagjinit. Kur zbritën ishin katolik, pas një kohe  jo pak syresh i islamizoi Perandoria Turke me gjak e me hekur. Të gjithë e mbajnë në mend kur erdhën në Dardani, por gati askush nuk e mbanë në mend kur ikën në Malësi, duke ua lënë tokat pjellore e qytetet pushtuesit. Kronikat për këto dyndje brenda shqiptare janë të pakta, luftërat e rrënimet i kanë shkatërruar dokumentet e monumentet. Gojëdhënat janë zvetënuar, kështu që pak kush nga familjet e moçme e mbajnë në mend kur shkuan arbërorët nga Prizreni, Gjakova e Peja në Mirditë e Malësi, ndërsa të gjithë e kujtojnë kur u kthyen në rrethet e Prizrenit, të Gjakovës e Pejës.

Malësorët në cikle dyndeshin në rrafshin pjellor nga disa arsye: kur atdheu ua kërkonte ta luftonin pushtuesin turk, kur dobësohej Perandoria otomane, kur i mbërthente zia e bukës, kur i ndiqte gjakmarrja. Kështu, gjenin hapësirë, krijonin ngulime atje ku popullata rrallohej nga lufta, nga murtaja e nga shpërnguljet. Tokat e moçme që i mbanin në mend si nëpër mjegull, ua kishte marrë pushtuesi, pronarët ishin tjerë, ndonjëherë të gjakut të tyre, por me tituj turk, aga e pasha. 

Mirditorët kur zbritën në Rrafshin e Dukagjinit individualisht e në grupe, ishin puro katolikë, por vala e parë e tyre u islamizuan shpejt e dhunshëm, duke u shkrirë në arbërorët vendës që tashmë ishin islamizuar. Gjuhën e pushtuesit asnjëherë nuk e mësuan as vendësit dhe as "ardhacakët". Mësuan ndonjë fjalë në qytet për nevojat elementare, kur u duhej të komunikonin me zyrtarë otomanë.

Image
Gjakova

Mirditorët e mbajnë në mend kur zbritën nga shkrepat e Mirditës, e mbajnë në mend kur ishin katolikë, por ashtu si për të gjithë arbërorët nga Nishi në Shkup fare pak është shkruar për lëvizjet e kundërta. Kur ikën shumë prej tyre para qindra vjetësh në Mirditë morën me vete copëra të rrafshit të Dardanisë, duke e kujtuar si nëpër mjegull, por kur u kthyen shekuj më vonë sollën nga Mirdita e Malësia copëra të krahinës së tyre ku u natyralizuan, forma të organizimit, krenarinë e pacenuar, shpirtin kalorësiak e ndjenjën e fortë të përkatësisë kombëtare e krahinore. Natyrisht Mirdita kishte fiset ilire nga antika e arbërorët në mesjetë që luftuan më gjatë se çdo krahinë tjetër shqiptare për pavarësinë e tyre. Dyndjet e popullatës brenda territorit shqiptarë ishin të natyrshme. 

Atdheu i ri (i vjetër) ishte i njëjtë dhe ndryshe. Ishte i njëjtë, sepse pjesa më e madhe e vendësve flisnin si ata- shqip, zakonet e veshjet i kishin si të tyre, Kanuni i Lekë Dukagjinit që ua rregullonte marrëdhëniet, vepronte njëjtë. Por ishte ndryshe, sepse fenë e kishin ndryshuar, mbi kisha ishin ndërtuar xhami, në vend të emrit Gjon mbanin emrin Xhelal, Mria u bë Mejreme etj. A u zhgënjyen në kontaktin e parë me krahinën- atdheun e ri? E prisnin këtë ndryshim apo nuk e dinin? Është vështirë të dihet, sepse edhe për këto përjetime emocionale nuk kemi shkrime. Kemi kronika të fretërve shqiptarë që tregojnë për masakrat turke ndaj popullatës,  për hyrjet e dhunshme të malësorëve në Prizren, herë kundër pushtuesit turk, herë kundër të islamizuarve që mishëroheshin me pushtuesin. Po ashtu është vështirë të dihet a shpresonin që do t'i prisnin si bijë të shkëputur nga grigja, apo do t'i trajtonin si ardhacak që kur nuk ua japin atë që e kërkojnë dinë ta marrin pa pyetur.

Priftërinjtë shqiptarë katolik raportojnë për plaçkitje të qyteteve e katundeve në kohë të turbullta, shpesh duke e parë qytetin e kamur vend armik. Ndërkaq, Perandoria turke që shquhej për pushtet të egër, kur zhytej në kaos me vjet nuk e merrte vetën, kështu që grupet e dhunshme e bënin ligjin. Raporti qytet-katund acarohej, krahas acarimeve krahinore për ndasitë sociale,  fetare e për pronat.    

Nga të gjitha qytetet dardane Gjakova e ka përqindjen më të madhe të mirditorëve që e përbëjnë bërthamën e qytetarisë së vjetër. Është proverbiale mos durimi i qytetarisë së vjetër mirditore-gjakovare (të islamizuar) ndaj mirditorëve katolik dhe ndaj jo mirditorëve katundarë.

Thuhet se Gjakovën e ri themeluan pas rrënimeve të turqve mirditorët. Edhe Jaku i Vulajve, njëri ndër të kamurit-aristokrat të qytetit, edhe Hadumi, që e ndërtoi xhaminë e parë në qytet, ishin mirditorë. I pari njihet me kombin e fenë arbërore, i dyti ishte bastard i një katundi puro katolik arbëror që donte t'u vardisej pushtuesve turq, prandaj e ndërtoi xhaminë mbi rrënojat e kishës, që të shlyente të kaluarën katolike e veprimtarinë e palavdishme prej tregtari të pandershëm. Kështu, e thotë legjenda e rithemelimit të Gjakovës, sepse qyteti njihej edhe në antikë, njihej edhe më mesjetë, por gati u zhduk nga harta e qyteteve, kur e dogji e rrënoi ushtria turke. Gjakovarët që iu qepen maleve deri në Mirditë, ose që u vendosën në katunde të mbrojtura arbërore, ku kaluan qindra vjet ishin katolikë. U kthyen kur u qetësua disi gjendja në qytet, duke e ndryshuar fenë, sepse s'kishin rrugëdalje tjetër. Sot qytetarët e Gjakovës dhe katundarët e rretheve e mbajnë në mend kur ishin katolikë dhe kur u bënë myslimanë.

Mos durimi provincial që nuk është karakteristikë vetëm në Gjakovë, por në gjitha qendrat provinciale të Dardanisë nga Gjakova në Istog, nga Presheva e Shkupi në Prishtinë, është më shumë mos durim i mendësisë turko-orientale. Mosdurimi fetar i shtohet pastaj kësaj mendësie. Qyteti ishte myslimanë, katundi e Malësia katolike.       

Sipas këtij modeli acarimet në mes të vendësve e "ardhacakëve" ishin të dukshme, sepse askush nuk e pret me lule të ardhurin nga një katund tjetër, nga një kullotë tjetër, edhe më pak nga një krahinë tjetër. Fërkimet nisnin për tokë të askujt, vazhdonin për prestigj e emër, për të përfunduar në fyerje fetare e në gjakderdhje. Fërkimet nisnin nga mendjemadhësia, jo rrallë nxiteshin nga pushtuesit turk, ndërkaq, urrejtja fetare kultivohej në mënyrë sistematike nga hoxhallarët, pjesa më e madhe e tyre vinin nga Anadolli që mezi e mësonin shqipen sa për të bërë sherr. Por këta hoxhë dinin të krijonin ndasi të frikshme brenda shqiptare, dinin ta nxisnin myslimanin kundër katolikëve.  Këtyre acarimeve i kanë fryrë edhe serbët në stilin: fute një derr të therur në xhami dhe prite vëllavrasjen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat