Kështu nuk do të vepronte Ibrahim Rugova

Opinione

Kështu nuk do të vepronte Ibrahim Rugova

Nga: Mimozë Lakna Më: 22 janar 2018 Në ora: 12:38
Mimozë Lakna

21 Janari i dhimbjes dhe krenarisë erdhi përsëri. Erdhi për të na kujtuar se sa keq jemi si vend dhe sa shumë na mungon Presidenti historik Ibrahim Rugova, i palëkundshmi në ruajtjen e frymës kombëtare dhe miqësisë së përhershme me SHBA-në.

Në ditët kur kjo miqësi gati sa nuk u cenua, nga disa që kanë vënë në rend të parë interesin e tyre personal, mungesa e Presidentit historik dhe vizionit të tij pro perëndimorë po shkakton dhimbje tek qytetarët e Kosovës.

Kot e kanë, ata që shkojnë e bëjnë homazhe tek varri i Presidentit në Velani, kur janë larg rrugës që ndoqi e përçoi ai për vite me radhë. Është ironike, të dëgjojmë teksa i thurin lavde e poezi nëpër rrjeteve sociale, pikërisht ata që e luftuan dhe e kundërshtuan.

Edhe Ramush Haradinaj, që thirret e mbahet për përkrahës të Ibrahim Rugovës, as afër rrugës së tij nuk është.

Shumë vepra që i ka bërë ndër vite, nuk përkojnë as për afërmi me frymën rugoviane.

Haradinaj, me tentimet për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, po dëshmon se emrin e Presidentit Rugova e përdori vetëm për t`u ngjitur në karrierë. Për tu bërë Kryeministër.

Njësoj bëri edhe kundërshtari i tij i fuqishëm në vitet e pas luftës, Hashim Thaçi. Thaçi, në çdo ditë të shënuar nderon Presidentin Rugova, e në anën tjetër ndjek një rrugë krejt tjetër prej asaj që ndiqte ai.

Rruga që na e shtroi Presidenti Rugova po rrezikohet. Thaçi, Haradinaj e Veseli nuk kanë hequr dorë nga tentativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Kjo gjë bie ndesh me atë që SHBA donë prej Kosovës dhe për të mirën e Kosovës. Liderët që sot drejtojnë vendin, nuk po mendojnë për Kosovën. Aq po u bën atyre nëse Kosova ka ngecur në procesin e shtet-ndërtimit. E rëndësishme për ta, është që ta shpëtojnë lëkurën e tyre. Kështu nuk do të vepronte Ibrahim Rugova po të ishte gjallë.

Është për tu vlerësuar qëndrimi i LDK-së kundër kësaj tentative. LDK nuk e donë shfuqizimin e ligjit për Specialen, por pret nga kjo gjykatë që t`i zbardhë vrasjet politike të pasluftës. Kjo parti, sado vështirësi të ketë kaluar që nga vdekja e Presidentit, po dëshmon më së shumti se është pro miqësisë së përhershme me SHBA-në.

Shumë veprimtarë të LDK-së u vranë vetëm pse ishin bashkëpunëtor të Presidentit Rugova. Nëse Haradinaj e respektoi aq shumë Rugovën, përse kërkon sot shfuqizimin e Speciales? A është ai i “kënaqur” me faktin se vrasjet politike, të bashkëpunëtorëve të Rugovës nuk janë zbardhur ende? A është ai i vetëdijshëm se pikërisht Gjykata Speciale do t`i zbardhë disa prej tyre?

Këto pyetje duhet t`i shtrohen kreut të Qeverisë gjatë ditëve në vijim, kur deputetët e AAK-së që e drejton ai dhe të PDK-së që e drejton Kadri Veseli, do të tentojnë sërish “shkatërrimin”, e vizionit të Presidentit Rugova, me tentativën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat