Rugova kishte hequr 'silenciatorin' nga armët e UÇK-së

Opinione

Rugova kishte hequr 'silenciatorin' nga armët e UÇK-së

Nga: Faton Abdullahu Më: 22 janar 2018 Në ora: 12:56
Faton Abdullahu

Duhet ta kujtojmë veprën e Rugovës me respektin më të madh, duke e kuptuar drejt se nga rreshtimi dhe veprimi i tij dje kemi ende shumë për të mësuar edhe sot, sidomos sot

Ibrahim Rugova ka hequr nga armët e UÇK-së 'silenciatorin'. A kam të drejtë të konstatoj kështu? Konsideroj se po. Më lejoni ta argumentoj këtë konstatim. Pushka e UÇK-së është drejtuar kundër armikut të vërtetë, me plotë të drejtë dhe justifikim të parrëzueshëm. Atë pushkë e ka përshkruar guximi dhe gatishmëria për flijim, në rastin e Adem Jasharit edhe me dimensione mitike për tu bërë udhërrëfyes. Ato krisma kanë shtyrë përpara rrugëtimin tonë drejtë lirisë për ta pushtuar atë më mirë se kurrë më parë. Por përkundër kësaj ka diçka që ka bërë që krismat, apo më saktë armët, apo edhe më saktë, lufta në Kosovën e okupuar e drejtuara kundër Serbisë të mos kuptohej drejtë, të mos kuptohet në kohë të duhur, apo thënë edhe ndryshe të keqkuptohet. Pse? Sepse të gjithë ata të cilët do të vendosin se duhet të radikalizohen, se duhet të kapin armët kundër Serbisë, sidomos në fillimet e këtyre veprimeve, nuk do t’ju shkoj për dore, që sa duhet shpejt dhe si duhet përmbajtësish të shkëputen, aq më pak t’i bindin të tjerët, posaçërisht botën perëndimore se janë shkëputur nga ndikimi ideologjik që kishin krijuar për kohë të gjatë nga Tirana zyrtare komuniste, konkretisht nga ndikimi i ideologjisë komuniste. Kjo do të jetë e meta më e madhe dhe shumë serioze e atyre rrethanave kruciale për fatin e Kosovës. Ky rreshtim i vjetër rrezikonte çdo gjë të re e të mirë, edhe luftën e drejtë edhe masivizimin e saj e mbi të gjitha përpjekjen e sigurimit të përkrahjes së botës demokratike ndërkombëtare.

Në ato rrethana në përmbyllje të shekullit të kaluar, gjithandej bota demokratike perëndimore, me në krye SHBA-t po e ndihmonte sidomos Evropën Lindore, që të çliroheshin një herë e përgjithmonë nga ideologjia komuniste. Po përmbyseshin pushtetet komuniste në shtetet antidemokratike evrolindore, antiperëndimore e pro-sovjetike, po binte Murri i Berlinit, po lindte një epokë e re. Armiku më i madh i botës perëndimore për decenie të tëra, ideologjia komuniste po fundosej, bota perëndimore po përkrahte çdo lëvizje liberal demokratike, çdo lëvije antikomuniste. Në këto rrethana gjeopolitike planetare të rrokësh armën në Kosovë të luftosh për liri dhe për pavarësim të saj, por duke mos u rreshtuar drejtë dhe përmbajtësisht, duke mos qenë kundër komunizmit si ideologji dekadente por edhe pro ruse, do të thoshte vetëvrasje, jo vetëm politike por totale. Njerëzit që kishin kapur armët në atë kohë e dinin shumë mirë kush ishte armiku i Kosovës, por nuk e dinin ende aq mirë kush ishte miku i Kosovës. Ata e kishin kuptuar mirë se çka meriton Serbia, por nuk ishin kaq fort të bindur se prej kujt do ta kenë përkrahjen për ta realizuar këtë plan. Në ato rrethana Ibrahim Rugova dhe intelektual të tjerë të kohës, me përpjekje të mëdha e konsekuente, me politika të mençura e largpamëse, me guxim dhe urti, do ti shkoj për dore që vullnetin politik të shqiptarëve për liri e pavarësi ta bëjë të pranueshëm e të kuptueshëm për botën demokratike përgjithësisht e për atë perëndimore veçanërisht. Ai do t’i bindë perëndimorët se projekti - Kosova shtet i pavarur, nënkuptonte shtrirje dhe forcim i koncepteve evroatlantike në Ballkan shtrirje e demokraci në këtë rajon. Ai i pari lider shqiptarë në Ballkan, do t’i bind perëndimorët se shqiptarët po shkëputen nga çdo ndikim i ideologjisë komuniste dhe se përpjekja e tyre e re është plotësisht nacionale, demokratike, me orientime gjeopolitike properëndimore. I Rugova ka qenë properëndimor më parë se që UÇK të bëhej e tillë. Me këtë rreshtim të ri e ndryshim përmbajtësor Ibrahim Rugova ka ndihmuar të gjithë shqiptarët në Ballkan, prandaj edhe luftën e UÇK-së, bile shumë. Falë këtij rreshtimi të hershëm dhe në kohën e duhur, falë këtij rreshtimi që do të siguroj përkrahjen më të madhe në historinë tonë për kauzën tonë, Ibrahim Rugova do ta bëj që edhe lufta e UÇK-së të mos keqkuptohet, që edhe ajo të përkrahet. Thënë ndryshe figurativisht, armëve të UÇK-së drejtuara kundër Serbisë okupuese, Ibrahim Rugova do t’ua heq 'silenciatorin' do t’ua heqë tisin e dyshimit që e kishin të huajt. Prandaj ato krisma do të bëjnë bum të madh. Kështu krismat e pushkëve të UÇK-së do të dëgjohen më larg e më mirë, do të bëjnë jehonë historike. Sidomos drejt e mirë do t'i dëgjojë, kuptojë e më pas edhe përkrahë ato bota perëndimore, posaçërisht SHBA. Sot me rastin e dymbëdhjetë vjetorit të vdekjes së Ibrahim Rugovës duhet ta kujtojmë veprën e tij me respektin më të madh për këtë vepër titanike, duke e kuptuar drejt se nga rreshtimi dhe veprimi i tij dje kemi ende shumë për të mësuar edhe sot, sidomos sot.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat