Kryeministër, jep llogari për izolimin e qytetarëve!

Opinione

Kryeministër, jep llogari për izolimin e qytetarëve!

Nga: Mimozë Lakna Më: 25 janar 2018 Në ora: 08:56
Mimozë Lakna

U bënë një muaj, që kur vendi u fut në dramën e shfuqizimit të ligjit për Gjykatën Speciale.

Deputetë të PDK-së dhe gjithë AAK-ja, kanë pritur momentin e volitshëm për të iniciuar shfuqizimin e këtij ligji. Këto parti, sot drejtojnë institucionet e Kosovës, kanë në dorë pushtetin dhe numrat në Parlament. Kjo po i bën më “arrogante” dhe më të vendosura se asnjëherë, që nismën e tyre për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, ta dërgojnë deri në fund, pavarësisht çmimit.

Kuvendi i Republikës së Kosovës, ka hedhur topin tek Qeveria sa i përket çështjes së Gjykatës Speciale. E qeveria e përfaqësuar nga Kryeministri Ramush Haradinaj, nuk dihet se kur do ta shqyrtojë çështjen në fjalë. Për më tepër, ky i fundit gjatë së mërkurës, bëri një deklaratë të ngjashme me atë të Nasim Haradinajt, javën që shkoi.

Kur u pyet, lidhur me deklaratat e shefes së zyrës së BE-së për nismën e shfuqizimit të Gjykatës Speciale dhe ratifikimin e demarkacionit, ndër të tjera ai tha se nuk i japin llogari ambasadorëve.

“Dhomat e posaçme janë iniciativë e parlamentit. Ne i jepim llogari vetëm parlamentit se ai na ka zgjedh, nuk i jepim llogari ambasadorëve. Ne nuk i kem punëdhënës ata, punëdhënës e kem parlamentin”, ka thënë të mërkurën Kryeministri i Kosovës.

Me llogaridhënien, duket se Kryeministri ka problem edhe në drejtime të tjera. Ai nuk i dha, askujt llogari për pushimet super luksoze, që i bëri në shtetin e Zvicrës. Madje, shpërfaqi edhe “arrogancë” duke thënë, se ka mjaft para për të pushuar, por se nuk ka kohë. Kryeministri i Kosovës, nuk i dha “pesë pare”, për takimet e tij me të dyshuarin për krime të shumta në Mitrovicën veriore Milan Radojciq.

Kryeministri i Kosovës, nuk dha llogari as për punësimet e familjarëve, nëpër pozita të rëndësishme të shtetit. As kur ia dyfishoi vetes pagën, nuk e pamë të jepte ndonjë sqarim të duhur. Edhe në këtë rast, tha se paratë e rrogës i duhen për të blerë kravata.

Sikur i harroi Kryeministri, raportet e Agjencisë Kundër Korrupsion dhe milionat e deklaruara aty. As për zëvendësministrat nuk dha llogari. As premtimet për tre muaj ushtri dhe liberalizim vizash nuk i mbajti. 

Nuk dha llogari, as kur i quajti gazetarët të pashkollë.

Më e keqja, mbi të këqijat e lartcekura, është deklarata se nuk i japin llogari ambasadorëve për shfuqizimin e Speciales e as për Demarkacionin.

Në dhjetë vjetorin e pavarësisë së Kosovës, liderët e saj po kanë frikë nga drejtësia ndërkombëtare. Kanë vënë interesin personal, para interesit të vendit dhe të qytetarëve.

Emrin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e kanë vendosur si “mburojë”  dhe ia kanë mësyrë nismës që po e rrezikon të ardhmen e shtetit të Kosovës.

Më kot u thuhet atyre se Gjykata Speciale do të gjykojë krimet individuale dhe jo organizatën. Ata nuk duan të dëgjojnë. Duan t`i shkojnë deri në fund nismës “shtet shkatërruese”, siç po quhet aktualisht në opinion.

Se kush do t`ua ndalë këta hapa të rrezikshëm nuk dihet ende. Por, një gjë është e ditur me siguri, llogari do të japin!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat