Shqiptarët dhe negociatat për emrin e IRJM - Bota Sot
Shqiptarët dhe negociatat për emrin e IRJM

Opinione

E shtunë, 26 maj 2018

Shqiptarët dhe negociatat për emrin e IRJM

Nga: Afrim Fanda Më: 30 janar 2018 Në ora: 18:00
Afrim Fanda

Kohëve të fundit, bisedimet për emrin e IRJM ne mes te Greqisë dhe IRJM, që zgjasin me shumë se 20 vite, u intensifikuan. Të dy kryeministrat, Tsipras dhe Zaev, deklaruan gatishmëri per tolerance më të madhe lidhur me gjetjen e emrit përfundimtar për IRJM.

Nga njëra anë, kryeministri Tsipras, megjithë kundershtimin dhe presionin nga opinioni publik grek, është i gatshëm të pranojë emërtim të përbërë, edhe me kushtin që të permbajë emrin Maqedoni. Kjo per arsye se duke ja hequr ekskluzivitetin IRJM-së për emrin Maqedoni, grekët hedhin poshtë njëherë e përgjithmonë argumentin e keqpërdorur me vite që teorikisht u jep të drejtë sllavëve që quajnë veten maqedonas, dhe shtetin e tyre Maqedoni, në një të ardhme të pretendojnë edhe për territoret që historikisht kanë të njëjtin ëmer në Greqinë e sotme.

Nga ana tjetër, kryeministri Zaev në krye te qeverise se re te IRJM, më i vetëdijshëm se paraardhësi i tij për faktin që po bëhet gjithnjë e më e vështirë të mbajë në këmbë këtë shtet, me emër, territor dhe histori të përvetësuar si dhe flamur të shpikur, është i gatshëm për lëshime. Me një emer të përbërë, që gjithsesi do të përmbante emrin Maqedoni, duke e quajtur veten akoma maqedonas, në një regullim shtetëror unitar të mbrojtur me kaq ngulm, sllavomaqedonasit sigurojnë vetes pozitën e pronarit të privilegjuar të shtetit, dhe pozitën e pakicës dhe qytetarit të dorës së dytë për shqiptarët. Me lëshimin që bën Zaev ndjehet mjaft komod, sepse nuk është i pari që bën këtë. Lëshimet në këtë drejtim janë bërë që pas shpalljes së pavarësisë (1991). Në vitin 1993, të ndodhur para kundërshtimit dhe presionit të Greqisë për emrin, sllavomaqedonasit pranuan anëtarësimin në OKB nën emërtimin e përkohshëm - Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë. Ndërsa më 1995 pranuan të ndryshojnë edhe flamurin, duke hequr diellin maqedonas të lashtë Vergina nga flamuri dhe duke bërë një tjetër te ngjashëm me konkurs. Por ama, ata vet, gjatë gjithë kohës vazhduan akoma ta quajnë shtetin Maqedoni, dhe veten maqedonas!

Nderkohë, para ca ditësh, në Selanik u mblodhën dhjetëra e ndoshta edhe qindra mijëra protestues, për të protestuar që emri Maqedoni të mos jetë pjesë e riemërtimit të ri të IRJM.

Po shqiptarët në IRJM, e edhe me gjërë, cfarë qëndrimi kanë lidhur me emrin e ri të IRJM-së? A duhet dhe a pritet nga ata te kenë qëndrim, mendim apo kundërshtim sa i përket një cështjeje kaq të rëndësishme? A duhet ata të kerkojnë të drejtën për të marrë pjesë si palë e tretë në bisedime dhe madje, për të kundërshtuar ndonjë variant? 

Klasa politike shqiptare në pushtet, e edhe ajo në opozitë nuk kanë asnjë qëndrim lidhur me emrin që do zgjidhej si i pranueshëm për palën greke e pastaj edhe për IRJM.

Thuajse kjo punë s’ka të bëjë fare me ta. Udhëheqësi i BDI, pjesë e qeverisë së koalicionit me LSDM, deklaron gjatë gjithë kohës në publik se për të është me rëndësi të vetme anëtarësimi i IRJM në NATO dhe BE, dhe bisedimet për emrin i sheh vetëm në fuksion të këtij anëtarësimi, pavarësisht emrit që do të dali nga këto negociata. Dhe që absurdi të jetë akoma me i madh, nga po kjo parti e paintersuar për emrin, Bujar Osmani, zëdhënës i BDI dhe njëkohësisht zv/kryeminister për integrime Europiane, u angazhua në disa takime për negocatat për emrin. Ndërkaq, qytetarët shqiptarë në IRJM, të zhytur në varfëri, të detyruar të zgjedhin në mes ikjes në shtetet e Europës perëndimorë ose skllavërimit për një vend pune nga ana e partive shqiptarë në pushtet, as që u shkon mendja të shprehen lidhur me këtë cështje që i ka nxjerë ata, bashkë me shtetin ku jetojnë, në një udhëkryq të rëndësishëm politik.

Shqiptarët, që realisht përfaqësojnë palën e tretë në këtë cështje, qoftë duke u bazuar në argumentin historik politik, qoftë në atë të realitetit aktual, anashkalohen plotësisht.

Por këtë hërë jo me fajin e “fuqive të mëdha” por falë perfaqesuesve shqiptare te inkriminuar në institucionet e IRJM! Në një kohë që zgjidhja e vetme e pranueshme për shqiptarët, si palë e tretë në këtë çështje, do të ishte shmangia e përdorimit të emrit Maqedoni në emrin e ri të IRJM, që detyrimisht do të shoqërohej me ndryshimin e kushtetutës dhe karakterit unitar të shtetit. Vetëm në këtë mënyrë shqiptarëve do t’u plotësoheshin të drejtat kolektive, aktualish objekt talljeje ne duart partive sllavomaqedone ne pushtet, qe japin e marin te drejta, dhe partive shqiptare në pozitë dhe opozitë që “luftojnë” e “luftojnë” pambarim për këto te drejta.

Duke anashkaluar shqiptarët në një moment kaq të rëndësishëm historik, kryeministri Zaev, në vazhdimësi të paraardhësve të tij, me ndihmën e shqiptarëve të inkriminuar për të cilët mban me vete çantën e mbushur plot me dosje kriminaliteti, tani për tani arrin të kontrollojë politikën shqiptare, duke kultivuar shqiptarin e degjueshëm dhe kokëulur, në një shoqëri dhe sistem mafioz që nuk ka asgjë të përbashkët me shoqëritë demokratike europiane. Ku qytetari shqiptar jeton i skllavëruar nga partitë shqiptare në pushtet dhe i kushtëzuar me vendin e punes voton ashtu si do kryeministri Zaev.

Por një gjë është e sigurtë, kryeministri Zaev me gojën plotë fraza të bukura për paqe dhe stabilitet në rajon, me këto lojëra të rezikshme, vetëm paqe dhe stabilitet nuk do të sigurojë për të ardhmen e bashkëqytetarëve tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test