Bisedë mistike me kryeministrin Zoran Zaev

Opinione

Bisedë mistike me kryeministrin Zoran Zaev

Nga: Sulejman Mehazi Më: 9 shkurt 2018 Në ora: 19:36
Sulejman Mehazi

I nderuar kryeministër i Maqedonisë Zoran Zaev, nëse ju gjatë bisedës me palën greke pajtoheni që shtetin tuaj ta pagëzoni me Gornamakedonija, atëherë ju pyesim jo si shqiptar, po si qytetar i Maqedonisë, ku është, mbeti e shkoi Dolnamakedonija?, nëse nuk ekziston Dolnamakedonija, duhet ta dini e ta keni të qartë se në Gornamakedoninë tuaj më shumë banojnë shqiptarë sesa maqedonas. Në Gornamakedoninë tuaj janë qytetet e mëdha shqiptare: Shkupi me rrëthinë, Kumanova  me rrethinë, Tetova me rrethinë, Gostivari me fshatrat rreth e përqark, Kërçova me fshatrat, Dibra me fshatrat, fshatrat e Velesit; s'i përmendim shqiptarët e Manastirit e të fshatrave të Prilepit sepse këto i takojnë Dollnomakedonisë maqedonase.

Pasi në Gornomakedoninë tuaj banojnë më shumë shqiptarë pse atëherë zyrtarisht e ndërkombëtarisht të mos përkthehet e thirret edhe shqip Maqedonia e Epërme? Jo vetëm kaq, çfarë do bëhet me Desnamakedoninë bullgare e Levamakedoninë shqiptare?, çfarë me Maqedoninë e Përparme antike greke, shqiptare, jugosllave, po me të ardhmen, të mbasmen multietnike shumëkombëshe maqedone, shqiptare, turke, serbe, rome gornomakedonçiane? Pasi thoni se gjuha e dytë zyrtare në Maqedoni do jetë dhe gjuha shqipe, atëherë a s'është e drejtë e patjetërsueshme dhe e logjikshme që edhe shqiptarët ndërkombëtarisht ta pagëzojnë emrin e këtij shteti në gjuhën e tyre shqipe, p.sh. Maqedonia e Epërme?!

I nderuar kryeministër Zaev, kemi një propozim, besojmë se do pajtohen  të gjithë: maqedonasit, shqiptarët,  grekët, bullgarët, serbët, turqit, romët, me siguri dhe BE e SHBA-ja që Maqedonia në të ardhmen pa përkthyer në asnjë gjuhë tjetër të quhet GHYMISHMAKEDONIA, apo në maqedonisht SHARENAMAKEDONIJA përkthyer në shqip MAQEDONIAELARME?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat