Kuvendi, peng i partive politike

Opinione

Kuvendi, peng i partive politike

Nga: Arben Sylejmani Më: 13 shkurt 2018 Në ora: 15:32
Arben Sylejmani

Në sistemet parlamentare, Kuvendi luan një rol të rëndësishëm në funksionimin e shtetit, për shkak se është institucioni që e përfaqëson sovranin,  dhe si i tillë ai ka fuqinë që të zgjedh Qeverinë dhe shpreh mosbesimin ndaj saj, nëse politikat e ekzekutivit nuk janë në pajtim me interesin e përgjithshëm publik.

Por, në Kosovë çdo herë ka ndodh e kundërta. Prej shpalljes së pavarësisë, ka qenë Qeveria ajo e cila në praktikë ka kontrolluar Kuvendin, dhe kjo ka bërë që ekzekutivi të jetë i papërgjegjshëm përball qytetarëve.

Dhe faji kryesor për pafuqinë e Kuvendit për të mbajtur përgjegjëse Qeverinë, po dalin të jenë subjektet politike në Kosovë që proklamohen si parti liberale, por që demokracia e tyre e brendshme len për të dëshiruar.

Për faktin se subjektet politike në Kosovë identifikohen me lider të fuqishëm, të cilët në mënyrë arbitrare marrin vendime për politikat që duhet të ndjek partia, pa u dhënë mundësia që anëtarëve të tjerë që të paraqesin qëndrimet e tyre pro ose kundër.

Duke pasur fuqi të pakufizueshme brenda partisë, është lideri ai i cili vendos njerëzit më të dëgjueshëm në listë për deputet, në mënyrë që ai kur të vjen në pushtet mos të ketë problem për t’i shtyre agjendat e tij personale përpara përmes votimit në Kuvend.

Praktikat e gjertanishme tregojnë për përjashtimin nga partia të atyre pak deputetëve të cilët kanë votuar kundër një nisme të iniciuar nga ana e Qeverisë apo e partisë për të cilin kanë menduar se është e dëmshme për vendin.

Përjashtimi i deputetit nga partia me arsyetimin se ai ka votuar kundër interesit të qeverisë apo të partisë së tij cenon rregullat bazike të demokracisë. Për shkak se deputeti edhe pse garon në listë me një subjekt politik, ai zgjedhet me votën e lirë të qytetarit dhe si i tillë, ai ka për obligim që t’i mbrojë interesat e tyre, e jo të mbes peng i partisë në të cilën bën pjesë.

Një dukuri tjetër që ka ndodhur gjatë legjislaturave të kaluara që ka degraduar rolin e Kuvendit ka qenë edhe manipulimi i votave në legjislaturat e mëhershme.

Manipulimet më të mëdha të votave ndodhën në rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 2010-së që e kanë vënë në pikëpyetje legjitimitetin e deputetëve dhe kredibilitetin e Kuvendin për të miratuar ligje dhe për të zgjedhur përfaqësuesit e institucioneve publike.

Edhe në këtë rast fajin kryesor e bartin partitë politik, sepse shumica e të dënuarve për manipulim të votave ishin nga militantë të subjekteve politike që falsifikuan rezultatet nëpër qendra të votimeve në favor të individëve të caktuar për tu bërë deputetë.

Këta deputet jo legjitim gjatë gjithë asaj legjislature tërë veprimtarinë e tyre e vënë në shërbim të partisë, e jo në përfaqësim të interesave të qytetarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat