Tregtarë flamujsh!

Opinione

Tregtarë flamujsh!

Nga: Melihate Tërmkolli Më: 14 shkurt 2018 Në ora: 18:34
Melihate Tërmkolli

U mohua dhe u dogj flamuri i Dardanisë, midis Prishtinës, nga vandalë shqiptarë, të ashtuquajtur veteranë të luftës, më 2005.

Pasi u dogj ai flamur, me njohjen e Pavarësisë së Kosovës, na erdhi flamuri shtetëror që e kemi tani. I mirë, i keq, ky është flamuri shtetëror i Kosovës.

Sot, dëgjova se edhe ky flamur, u dogj diku në Gjilan, nga vandalë sigurisht, kushdo që të jenë.

Ne, shqiptarët e Kosovës djegim vetëm flamuj tanë, të Kosovës sonë të dashur! Tmerr!

Dhe atë në emër të “dashurisë” për flamurin kombëtar. Nuk duam t’ia dijmë se flamuri etno-kulturor kombëtar i shqiptarëve është edhe flamur shtetëror i Shqipërisë.

Por ne shqiptarët e Kosovës nuk bëjmë zë vetëm për dy flamuj, kur valëvisin në çdo cep e në çdo skutë të shtetit tonë, për atë të Shqipërisë (edhe flamur kombëtar i shqiptarëve) dhe për flamurin e Serbisë!

Pra, ne shqiptarët e Kosovës, duke mohuar flamurin e shtetit tonë, duke e djegur e nëpërkëmbur atë, po e mohojmë, po e “djegim” e po e nëpërkëmbim shtetin tonë dhe kështu edhe po e barazojmë flamurin e Shqipërisë (njëkohësisht edhe flamur etno-kulturor i shqiptarëve kudo që janë), me flamurin e Serbisë. çfarë idiotizmi!

Shqiptarë të dashur, mos keni dert, me këtë mentalitet po shkojmë drejt dhe sigurtë në theqafje.

Pushteti ynë, çfarë po bën?! Në pikë të natës e heqë flamurin etno-kulturor të shqiptarëve dhe e vendosë flamurin shtetëror të Kosovës, me një dramaticitet, thuase atë natë u ?lirua Prishtina, nuk di nga kush tani.

Gënjeshtarë, të dy palët, profiterë, tregtarë! Edhe ata që po e djegin flamurin shtetëror të Kosovës në emër të “dashurisë” për flamurin etno-kulturor kombëtar. Edhe këta, që në pikë të natës, e heqin njërin flamur e  e vënë tjetrin (në emër të shtimit të njohjeve për Kosovën).

Të dy palët, në fakt e duan veç një flamur. Atë që u sjell përfitime personale dhe asgjë tjetër. Turp!

Politika dhe pushteti, me sjelljet e tij, deri sot nuk e ka bindur popullin se kemi një shtet sovran e të pavarur, dhe si i tillë duhet ta ketë edhe flamurin e vetë unik.

Pjesa tjetër (VV kryesisht), parreshtur manipulon me ndjenjat e qytetarëve shqiptarë, në emër të gjëja bashkimit me Shqipërinë e duke mohuar shtetin tonë, madje jo rrallë herë, duke e ngatërruar shtetin me pushtetin.

Në krejt këtë zallamahi flamujsh, dhe jo vetëm, është vetëm një përfitues. Serbia.

Serbisë nuk po i pengon më flamuri i Shqipërisë (njëkohësisht edhe flamur etno-kulturor i shqiptarëve) dhe as nuk po e shqetëson shumë Shqipëria si shtet (njëherë për njëherë).

Serbinë po e pengon shteti i Kosovës, e me këtë edhe simbolet e saj shtetërore.

Dhe për këtë nuk po derdhë shumë mund.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat