Si po shpallen shqiptarët të rrezikshëm si serbet për Kosovën?

Opinione

Si po shpallen shqiptarët të rrezikshëm si serbet për Kosovën?

Nga: Lis Bukuroca Më: 14 shkurt 2018 Në ora: 20:35
Lis Bukuroca

Ramush Haradinaj i deklaroi Tegeespiegel- it gjerman, se "lindja e një kombi, nuk është ecuri e lehtë!" Kuptohet kush ia shpërlau trurin!  Ai nuk vendosi të valojë " te rrethi", edhe flamuri multietnik i shtetit multietnik, (më homogjen se sa disa shtete rreth Kosovës, por hoqi vetëm atë të cilin kishte guxim për ta hequr, por jo të serbëve në veri, që mbajnë qeverinë e tij vertikalisht. Ramushi tha se me këtë flamur, synojmë njohjen. Thua se kusht për pranimi është deshqiptarizimi i Kosovës. 

Ai hoqi flamurin fal pushtetit politik, por Kosova ka akoma qytetarë, që ndjejnë veten shqiptarë, si ka edhe të tjerë, që ndjehen serbë, romë, goranë, turq apo me kombësi kosovare. 

Flamuri është pjesë e identitetit social dhe nacional. Në asnjë vend të Perëndimi, nuk do të kishte heshtur populli dhe largimin nuk do ta kishte marrë si ndërmarrje dhe ndërhyrje të zakonshme, normale. Kosova ka shumë probleme, por flamuri është pjesë e identitetit të tij dhe zbritja e tij, domethënë sulm, përbuzje dhe shpërfillje arrogante e ndërgjegjes së popullit, e votuesit, i cili flamurin nuk konsideron  pengesë të shtetit, por vazhdimësi normale. Me flamurin multientik, nuk identifikohen pikë së pari ata të cilëve u është kushtuar: pakicat!

Me serbet që kanë një vetëdije shumë të madhe se sa përfaqësuesit e kombit kosovar, unifikimi nacional nuk mund të arrihet kurrë. Nuk mjafton vetëm një flamur i ri për të krijuar një grup të ri me një identitet të ri nacional. Atij i duhen edhe simbole tjera, shëmbëlltyra historike dhe aktuale, bashkëveprimi dhe interesi përbashkët në një drejtim, madje edhe identifikimi dhe krenaria me simbole të njëjta. Kishat serbe në Kosovë nuk do të lejojnë kurrë që serbet e Kosovës të identifikohen me një flamur, që është simbol i pavarësisë, i shkëputjes!

Lexoni këtë konstatim shumë nervoz, plot mosdurim dhe për keqardhje të Arben Idrizit te gazetaexpress:

"Flamuri i Shqipërisë te rrethi dhe flamuri i Serbisë në Graçanicë apo në veri të Kosovës, aty ku duhej të ishte (vetëm) flamuri i Kosovës, janë shenjë se kurorëzimi i vuajtjeve tona me pavarësinë e vendit është i pamjaftueshëm. Bile-bile, i papranueshëm. Ne dhe ata nuk duam të jemi kosovarët. Ne dhe ata duam të jemi NE dhe ATA. Ne dhe ata duam të jemi shqiptarët dhe serbët. Shqiptarët për Shqipërinë dhe serbët për Serbinë. Shqipëria dhe Serbia. Shqipëria dhe Serbia e tillë nuk janë për paqe, tolerancë dhe bashkëjetesë. Janë për dhunë, urrejtje dhe spastrime."

E lexuat! Flamuri i Serbisë dhe i shqiptarëve të Kosovës flasin për pamjaftueshmëri të shtetësisë. Domethënë shqiptarët e Kosovës, që shqipe kanë gjuhë amtare dëshmojnë dashurinë ndaj shtetit, vetëm kur emocionalisht braktisin një pjesë të identitetit të vet! Nuk mbaron këtu, por flamuri shqiptar qenka edhe i papranueshëm, sepse përjetohet si flamur imperialist! Pra, serbet dhe shqiptarët nuk lejuakan që banorët pa identitet, të shndërrohen në kosovarë. E penguaka flamuri, sa serb, aq edhe ai shqiptar. Shqipëria dhe Serbia paskan qëllime të njëjta: të mos lejojnë shqiptarët e Kosovës të bëhen kosovarë! 

Po cila është kërkesa? Për të kënaqur serbet, shqiptarët duhet të dezertojnë në aspektin nacional dhe të krijojnë kombin e ri shumetnik kosovar!!! Ai integrim sugjeron që shqiptarët e Luginës të quajnë veten serb, ata të Maqedonisë maqedonas dhe ata të Malit të Zi, malazias! Ne që jetojmë në Perëndim duhet të bazohemi në ato përkufizime të gjenive të Kosovës dhe ta sllavizojmë veten në aspektin nacional sepse ashtu rekomandojnë dhe përligjin shamanët e kombit të ri.

Sipas Arben Idrizit, Shqipëria dhe Serbia ashtu siç janë, janë për luftë! Nëse Arbeni ka fakte se pjesa dërmuese e qytetarëve të Kosovë në aspektin kombëtar ndjehen kosovarë, jo shqiptarë, atëherë ka të drejtë të refuzojë atë flamur dhe ta konsideroj si rrezik për identitetin nacional, por nëse shumica ndjehen shqiptarë, atëherë është vetëm përpjekje  për t' i imponuar shumicës atë që vet konsideron të drejtë. Bota nuk funksionon ashtu, as demokracia, jo. Demokracia lejon identitetin e ri nacional, kosovar në këtë rast, por ajo nuk mund të ndalojë kontinuitetin nacional shqiptar. Identiteti nacional nuk është recetë byreku, por vetëdije subjektive mbi vlerat vetjake nacionale. Ai nuk mund t’ i imponohet askujt dhe nuk mund t’i ndryshohet askujt. Ai është i njëllojtë me konvertimet fetare. E bëjnë ata që braktisin një fe apo që nuk kanë pasur fare!

Shteti i Kosovës nuk kremton shtetësinë pa popull. Shteti është i popujve që jetojnë brenda saj. Nëse aty ka njerëz që ndjehen shqiptarë, atëherë tok me flamurin e kosovarëve, duhet të jetë edhe ai shqiptarëve, serbeve, turqve dhe romëve. Pra, i të gjithë atyre etnive, që Kosovën trajtojnë si atdhe të vetin, por që nuk pranojnë komb të ri kosovar! Në demokracia kjo nuk mund të ndalohet! Kombi kosovar nuk mund të ketë sukses, sepse ai kërkon që njerëzit, të gjithë, si shqiptarët, ashtu edhe pakicat, të braktisin identitetin e vet dhe pranojnë të riun, që ua kanë vizatuar njerëzit të pa kënaqur me identitetin e vet!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat