Debati që nuk na duhej

Opinione

Debati që nuk na duhej

Nga: Mimozë Lakna Më: 15 shkurt 2018 Në ora: 11:42
Mimozë Lakna

Politikanët e Republikës së Kosovës, dolën qesharakë sa i përket festimeve të 10 vjetorit të Pavarësisë.

Ajo që e pamë ditëve të fundit, lidhur me flamurin kombëtar, ishte me të vërtetë një “cirk”, një lojë me ndjenjat e qytetarëve.

Një flamur kombëtar, i vendosur tek Rrethi në Kryeqytet u bë “mollë sherri” ndërmjet përfaqësuesve të nivelit lokal dhe atij qendror në Kosovë. Askujt nuk i pengonte prania e flamurit kuq e zi, që tash e sa kohë ishte i vendosur aty, por se, prania e flamurit shtetëror të Republikës së Kosovës të njohur nga 114 shtete, do ta bënte më madhështore festën.

Nuk do të kishte asgjë të keqe nëse krah flamurit kombëtar do të vendosej edhe flamuri i shtetit të Kosovës. Zgjidhja ideale, të cilën si për sherr ose nuk e menduar ose nuk deshën ta mendojnë, komunarët e as Këshilli organizativ i festës.  

Mosmarrëveshjet ndërmjet politikanëve, përçuan frymën negative edhe ndër qytetarë. Disa, u mblodhën të martën mbrëma tek vendi ku do të vendosej flamuri i Kosovës, për ta kundërshtuar këtë akt. Këto momente u përcollën edhe me lajme të ndryshme, siç ishte ai, se disa persona kanë vjedhur flamurin e shtetit të Kosovës.  

Politikanë e analistë të ndryshëm, nëpërmjet statuseve në rrjetet sociale, vetëm sa i kanë “fryrë zjarrit”, duke quar kështu edhe revoltimin e panevojshëm.

Askush nuk mund ta vë në dyshim, dashurinë e shqiptarëve të Kosovës, për flamurin kuq e zi, flamurin për të cilin luftuan, u përndoqën e u flijuan.

Por, askush nuk duhet ta harrojë realitetin në të cilin jetojmë. Kosova është shtet, ka simbolet e veta, të cilat përbëjnë identitetin e saj, qysh nga 17 shkurti i vitit 2008.

Simbolet shtetërore duhet të respektohen, sidomos nga zyrtarët.

Partitë politike, nuk kanë të drejtë ta mohojnë këtë identitet, e as të “përfitojnë” politikisht nga ndjenjat e popullit.

Mbase, një ditë populli do të ketë të drejtën që të zgjedhë se me cilin flamur donë të përfaqësohet. Një referendum, ndoshta do të ishte zgjidhja më e mirë.

Deri atëherë, pushtetarët e përfaqësuesit politikë, duhet ta respektojnë flamurin shtetërorë me të cilin na njeh edhe bota si shtet me identitet.

Çdo kundërshtim i këtij flamuri, qon ujë në mullirin e Serbisë, e cila edhe ashtu bën përpjekje të vazhdueshme për kundërshtimin dhe mohimin e pavarësisë së Kosovës.

Përse politikanë e parti politike, nuk duhet ti falin kënaqësinë armikut tonë shekullorë, duke mohuar identitetin tonë shtetërorë.

Kush e kishte menduar se 19 vjet pas lufte, identiteti i Kosovës si shtet do të mohohej e do të shfrytëzohej për poenë politike nga parti të caktuara.

Debati i fundit, na e dëshmoi se pushteti e jo shteti, është qëllimi primar i partive politike në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat