Preshevë: Devijimi nga amaneti i të parëve!

Opinione

Preshevë: Devijimi nga amaneti i të parëve!

Sevdail Hyseni    Nga Sevdail Hyseni Më 17 shkurt 2018 Në ora: 08:22
Ilustrim

Komuna e Preshevës, të hënën e ardhshme, më 19 shkurt, voton për konstituimin e parlamentit të ri lokal, i dalë nga zgjedhjet e 24 dhjetorit, të vitit të shkuar.

Votuesit preshevarë, të cilët votuan shqip, përmes të zgjedhurve të tyre, provojnë t’i blejnë edhe pak vota që flasin serbisht, për të formuar një bashkëqeverisje multietnike, e cila ka munguar deri tani.

Elektorati shqiptar, si gjithherë, në Preshevë, ka treguar një kulturë të lartë politike, dua ua dhënë votëbesimin subjekteve të preferuara, për të formuar një kuvend stabil, efikas dhe të përgjegjshëm. Por, mjerisht, disa parti politike, të cilat thirren për ndryshime, me ndihmën e këshilltarëve komunalë serbë, të cilët nuk janë më shumë se dy, tentojnë t’ia ndërrojnë kursin parlamentit lokal, duke e kthyer atë në një arenë luftimesh për interesa partiake, personale, grupore e familjare.

Formimi i një koalicioni qeverisës prej një e gjysmë partish shqiptare me ndihmën e Listës serbe, duke lënë anash disa parti të tjera shqiptare, bartëse të shumë proceseve demokratike, që nga vitet e 90-ta e këndej, nuk është tjetër pos devijim nga amaneti i të parëve.

Nëse vlerësohet pozitive, madje edhe historike mbetja në opozitë e Partisë për Veprim Demokratik, Partisë Demokratike Shqiptare dhe Bashkimit Demokratik të Luginës, të cilat me dekada të tëra paskan qeverisur me Komunën e Preshevës, në favor të një partie të re me emrin Alternativa për Ndryshim dhe një krahu të shkëputur nga Partia Demokratike Shqiptare, së bashku me Listën serbe, atëherë diçka nuk është në rregull me Preshevën tonë.

Nuk ndryshohet “harta politike e Preshevës”, dukë lënë anash partitë politike me traditë dhjetëra vjeçare, të qeverisjes lokale, me një përvojë të gjatë të organizimit të pavarur politik, me një të kaluar të përmendur në mbajtjen me sukses të Referendumit të 1 dhe 2 marsit, të vitit 1992, si dhe shumë procese të tjera nëpër të cilat ka kaluar populli preshevarë, duke mos harruar konfliktet e armatosura të vitit 1999-2001 e këndej.

Nuk është logjike dhe aspak e kuptueshme, që në Kuvendin Komunal të Preshevës, deri dje, me një përbërje qind për qind shqiptare, të vendosin dy këshilltarë serbë nga 36 këshilltarë të tjerë shqiptarë, se kush me kë të formoj koalicion qeverisës, kush me cilin do të bashkëveproj me nivelin qendror të pushtetit dhe cili me cilët do të bëjë pushtet multietnik në frymën e një multietniciteti të pëlqyer nga Beogradi dhe të mbështetur nga ndërkombëtarët.

Po edhe sikur të ndodhnin këto çudira, në skenën qeverisëse të Preshevës, pas konstituimit të parlamentit të ri komunal multi-kulti, në fillim të javës së ardhshme, nuk do të pushojnë inatet, mosmarrëveshjet, hasmëritë, intrigat, shantazhet etj, të cilat do të çojnë ujë në mulli të huaj!

Me këto veprime të çorientuara e të orkestruara nga lart, nuk do të ketë Kuvend, i cili me dinjitet do të udhëhiqet nga shqiptarët, duke shkelur me dy këmbë në vullnetin politik të qytetarëve, të cilët ua kanë dhënë votëbesimit të zgjedhurve të tyre, për të qeverisur me vendin dhe pushtetin për ta shtrirë sa më afër tyre.

Si do që të jetë, preshevarët kanë nevojë, për një Parlament lokal, të denjë, efikas, stabil dhe të përgjegjshëm, për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, të cilët janë ata që më së shumti po pësojnë nga mosmarrëveshjet ndërshqiptare e ndërpartiake.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat